VIDEO/ Bllokohen rrugët e Beogradit, protestë masive kundër Vuçiçit

15 Mars 2025, 15:17 / BOTA ALFA PRESS

VIDEO/ Bllokohen rrugët e Beogradit, protestë masive kundër

Një protestë madhështore, më masivja që ka njohur vendi, pritet të mbahet ditën e sotme në Beograd, e cila konsiderohet si kulmimi i protestave që po mbahen prej disa muajsh kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Protesta udhëhiqet nga studentët, të mbështetur dhe nga qytetarët, teksa pritet të zgjasë deri në orët e vona të së shtunës. Grumbullimet kanë nisur që prej orëve të paradites në shumë zona të ndryshme të kryeqytetit.

Protesta po mbahet nën sloganin “15 për 15”, duke iu referuar datës 15 Mars dhe 15 viktimave që humbën jetën nga shembja e një tende në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Sipas planit të studentëve, tubimi kryesor do të bëhet në orën 16:00 para Parlamentit të Serbisë, ndërsa aty afër do të vendoset një podium në sheshin Slavija.

Vuçiç u bëri thirrje të gjithëve që protesta e sotme në Beograd të jetë paqësore dhe që autoritetet shtetërore të mos përdorin forcë përveç në rastet e nevojës absolute dhe tha se shteti do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar paqen dhe stabilitetin. Vuçiç tha se protesta është e paligjshme, dhe se nëse ka nevojë, do të ketë arrestime.

Ditën e sotme nuk kanë munguar as incidentet, ku në mëngjes një automjet u fut mes turmës, duke marrë përpara dhe një protestuese, teksa një person është arrestuar, pasi ka kërcënuar se do të hidhte në erë godinën e presidencës.

Kjo është protesta e katërt e madhe në vend, ndërsa tubime më të vogla vazhdojnë të mbahen çdo ditë në qytete të shumta anembanë Serbisë. Për ditë të tëra, studentët kanë marshuar nga pjesë të ndryshme të vendit dhe deri të premten në mbrëmje, të gjithë kishin mbërritur në Beograd.

VIDEO

 

 

Po ndodh...