Zgjedhje në SHBA/ Demokratët fitojnë garat kryesore, votuesit mesazh paralajmërues Trumpit

5 Nëntor 2025, 11:04 / BOTA ALFA PRESS
Zgjedhje në SHBA/ Demokratët fitojnë garat kryesore, votuesit

Zgjedhjet e së martës që u zhvilluan në disa shtete të SHBA-ve sollën një valë fitoreje për Partinë Demokratike në të gjithë Bregun Lindor të vendit, duke reflektuar pakënaqësinë e zgjedhësve ndaj presidentit Donald Trump, pothuajse një vit pas fillimit të mandatit të tij të dytë. 

Demokratët fituan disa gara të rëndësishme, atë për kryetar bashkie në New York, ku triumfoi Zohran Mamdani, emigrant nga Uganda. Menjëherë pas fitores, Mamdani tha se arritën që të përmbysin një dinasti politike dhe se ardhmja është në duart e tyre. 

Mamdani tërhoqi vëmendje të madhe kombëtare për shkak të ideologjisë së tij progresive dhe "joshjes" së votuesve që mezi prisnin një fytyrë të re. Për Andrew Cuomon, i cili po përpiqej të rikthehej në politikë pasi dha dorëheqjen nga zyra e guvernatorit në vitin 2021, rezultati ishte një goditje. Ishte gjithashtu një goditje për Trumpin, i cili në fund të garës mbështeti Cuomon në vend të republikanit Curtis Sliwa.

Fituan gjithashtu garat për guvernator në New Jersey dhe Virginia, si edhe Propozimin 50, masën e votimit për rindarjen e zonave zgjedhore të Kalifornisë.

Në Virginia, ish-kongresistja e moderuar Abigail Spanberger arriti rezultatin më të fortë për demokratët në këtë shtet, duke siguruar me lehtësi fitoren. Ndërkohë, në New Jersey, një tjetër moderuese, Mikie Sherrill, arriti të shpërbëjë koalicionin që Trump dhe rivali republikan Jack Ciattarelli kishin ndërtuar në zgjedhjet e fundit.

Në New York, fitorja e socialistit demokrat Zohran Mamdani shënoi herën e dytë këtë vit që ai mposht ish-guvernatorin Andrew Cuomo, fillimisht në primaret demokrate dhe më pas në zgjedhjet e përgjithshme, ku Cuomo kandidoi si i pavarur me mbështetjen e Trumpit.

Fitoret e demokratëve me prirje të ndryshme ideologjike nuk pritet ta zgjidhin debatin e brendshëm të partisë për drejtimin që duhet ndjekur, sidomos me primaret e mesmandatit që afrohen dhe me zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 në horizont. Megjithatë, të gjithë kandidatët u bashkuan në një temë të përbashkët: çështjen e përballueshmërisë ekonomike dhe kritikat e ashpra ndaj administratës Trump.

“Amerikanët janë të tmerruar nga ajo që po shohin nga kjo administratë,” tha kongresistja Alexandria Ocasio-Cortez nga festa e fitores së Mamdanit në Nju Jork.

Në Kaliforni, votuesit miratuan një nismë për rishpërndarjen e zonave elektorale që pritet të forcojë pozitat e demokratëve në garën e ardhshme për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Ndërsa në Pensilvani, gjyqtarët demokratë të Gjykatës së Lartë të shtetit ruajtën shumicën e tyre, duke siguruar ndikim të vazhdueshëm në një shtet kyç ku betejat ligjore mbi rregullat e votimit janë të pashmangshme.

Po ndodh...