Deputeti i “Listës së Studentëve” zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit në Serbi

19 November 2026, 16:17 / BOTA ALFA PRESS
Deputeti i “Listës së Studentëve” zgjidhet kryetari i

Profesori universitar Aleksandar Čupić, deputet i “Listës së Studentëve”, është zgjedhur kryetar i Asamblesë Kombëtare të Serbisë. Kandidatura e tij mori mbështetjen e 140 deputetëve nga 250 anëtarët e parlamentit. Čupić, i lindur në vitin 1978 në Prokuplje, në jug të Serbisë, është profesor asistent në Fakultetin e Transportit dhe Komunikacionit të Universitetit të Beogradit. Ai është i martuar dhe baba i gjashtë fëmijëve.

Ndërkohë, kandidatura e Stojan Radenovićit, i propozuar nga opozita kryesore, mori 97 vota. Debati parlamentar për zgjedhjen e kryetarit të ri zgjati tre ditë, më shumë se procedurat e zakonshme të zhvilluara në të kaluarën. Zgjatja e tij u ndikua nga kundërshtimet dhe taktikat parlamentare të opozitës, si dhe nga ndërhyrjet e shpeshta të presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili mori fjalën për çështje që nuk ishin pjesë e rendit të ditës.

Hapet rruga për formimin e qeverisë së re
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit përbën një hap të rëndësishëm drejt formimit të qeverisë së re të Serbisë, proces për të cilin parashikohet një afat kushtetues deri në tre muaj. “Lista e Studentëve” ende nuk ka bërë të ditur përbërjen e kabinetit të ri qeveritar dhe as emrin e kandidatit për kryeministër. Megjithatë, përfaqësuesit e saj kanë njoftuar se synojnë të përshpejtojnë procedurat, me qëllim përfundimin e tyre deri në mesin e dhjetorit.

Një tjetër çështje urgjente është organizimi i zgjedhjeve presidenciale. Pas marrjes së detyrës, kryetari i ri i Kuvendit ushtron përkohësisht funksionet e presidentit të Republikës dhe duhet të shpallë zgjedhjet presidenciale brenda afatit të përcaktuar nga legjislacioni. Sipas kalendarit të përmendur në raportim, data 27 nëntor është afati i fundit për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa votimi duhet të zhvillohet jo më vonë se 27 dhjetori.

 

Kjo vjen pasi Aleksandar Vuçiç dha dorëheqjen nga posti i presidentit më 27 shtator, duke vënë në lëvizje procedurat për zgjedhjen e pasuesit të tij në krye të shtetit.

 

Po ndodh...