Doli hapur kundër luftës me Ukrainën, arrestohet politikani rus Boris Nadezhdin

13 July 2026, 16:01 / BOTA ALFA PRESS

Ka rënë në pranga Boris Nadezhdin, politikani rus kundër luftës i cili u përpoq të sfideonte Vladimir Putin në zgjedhjet e fundit presidenciale të vendit. Ai është dërguar në një komisariat policie në një qytet në perëndim të Moskës, mëngjesin e kësaj të hëne, vetëm disa javë pasi deklaroi se do të kandidonte në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

“Ata e morën nga shtëpia e tij. Arsyeja e ndalimit të tij është e panjohur.”, tha sekretari i tij i shtypit për BBC Russian.

Javën e kaluar, Nadezhdin u shpall “agjent i huaj” nga ministria e drejtësisë dhe u akuzua për përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me qeverinë ruse dhe për thirrjen e njerëzve për të marrë pjesë në tubime të paautorizuara.

Në fillim të vitit 2024, Nadezhdin u përpoq të kandidonte si president, me një qëndrim kundër luftës dhe duke bërë thirrje për t’i dhënë fund armiqësisë me Ukrainën. Asokohe ai deklaroi se mbështetej nga dhjetëra miliona njerëz të cilët nuk donin që Rusia të kishte këtë rrugë autoritarizmi dhe militarizmi. Ai tha gjithashtu se nëse zgjidhej president, detyra e tij e parë do të ishte të ndalonte konfliktin me Ukrainën dhe më pas të rivendoste marrëdhëniet normale midis Rusisë dhe komunitetit perëndimor.

Megjithatë, kritikat e tij ndaj Putinit mbetën të matura, duke bërë që disa të spekulojnë se Kremlini do ta lejonte atë të kandidonte në mënyrë që t’u jepte zgjedhjeve iluzionin se ishin të drejta.

Nadezhdinit iu ndalua përfundimisht të kandidonte nga komisioni zgjedhor rus disa javë para se të zhvilloheshin votimet, me arsyetimin se më shumë se 15% e nënshkrimeve që ai paraqiti me aplikimin e tij për kandidaturë ishin të gabuara.

Ai e kundërshtoi këtë, por në fund të fundit nuk mundi të kandidonte, ashtu si çdo figurë tjetër e besueshme e opozitës. Më 18 mars 2024, Putini shpalli një fitore dërrmuese që i hapi rrugën një mandati të pestë në detyrë.

Po ndodh...

ide