Berisha tregoi se është “non grata”, edhe në Gjermani

5 Shkurt 2025, 10:30 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Berisha tregoi se është “non grata”, edhe në Gjermani

Sali Berisha shkoi në Gjermani me shumë zhurmë e bujë, por përfundoi si një adoleshent te dera, duke pritur kë të kapte për një foto. Dhe më qesharak ishte fakti që rdhe dy pasi kongresi kishte përfunduar, Berisha postonte foto dëshpëruese nga e njëjta sallë. Tallje masive me militantët e verber të poshtballkonit, se të tjerët ia kanë vënë vizën me kohë.

Imazhet e shpërndara prej tij në rrjetet sociale tregojnë qartë se ai u kishte zënë pritë zyrtarëve gjermanë, duke shpresuar për një moment fotografik. Ata që e takuan as nuk e dinin kush ishte, përveç lobistëve të tij të vjetër, Doris Pack dhe Elmar Brok.

Asnjë nga personalitetet që kanë mbështetur Partinë Demokratike dhe kanë vënë kushte për qeverinë e Edi Ramës në procesin e integrimit në BE, nuk e takoi Berishën. Zyrtarisht, ai mori një fletëhyrje të siguruar nga Conrad Adenauer Stiftung në Tiranë, por asgjë më shumë.

Pamjet tregojnë se Friedrich Merz nuk kishte as idenë se kë kishte përballë, ndërsa të tjerët që shfaqen në foto duken aq të zënë me punë, saqë shumica e imazheve janë në lëvizje.

Shqipëria nuk është më e viteve ’90, kur shqiptarëve mund t’u hidhje hi syve me një foto të rastësishme në ecje e sipër, si ato që bëjnë tifozët me futbollistët apo artdashësit me këngëtarët dhe aktorët.

Këto janë si fotot e kriminelëve që qarkullojnë në media duke pozuar me politikanët gjatë fushatës, të cilët më pas thonë se “nuk e dinim kush ishte”.
Kjo është edhe historia e Berishës sot.

Shqiptarët presin që një lider opozitar të ulet si i barabartë në tryezë, të denoncojë manipulimin e zgjedhjeve. Por Berisha nuk mund ta bëjë këtë, sepse bashkoi votat me Ramën kundër vullnetit të shqiptarëve.
Demokratët prisnin që Berisha të fliste për korrupsionin qeveritar, por ai nuk mund ta bëjë dot, sepse bashkoi votat me Ramën për të liruar të korruptuarit.

Berisha, si i pandehur për korrupsion, nuk është partner i asnjë lideri në botën demokratike, të paktën deri kur drejtësia të thotë fjalën e fundit. Ai është i padëshiruar në SHBA dhe Britaninë e Madhe për korrupsion dhe lidhje me krimin, ndaj nuk mund të jetë i besueshëm në asnjë kancelari perendimore.

E shumta që mund të marrë janë disa shtrëngime duarsh të rastësishme, në cepat e sallave dhe tuneleve pa dritë.

Sot është një ditë e zezë për Berishën, sepse nuk mbeti njeri pa kuptuar sa poshtë ka rënë, saqë duhet të presë me orë të tëra për të kapur një shtrëngim duarsh.
Por është edhe një ditë zgjimi për demokratët, që të kuptojnë se koha e Berishës ka përfunduar.

Përrallat për heqjen e “non grata”-s dhe rikthimin e tij në Perëndim, janë vetëm shenja dëshpërimi.
Bota ka shumë halle, dhe halli i Berishës nis dhe mbaron te dera e shtëpisë së tij./Alfapress.al

Po ndodh...