Berishizmi, ramaizmi dhe metaizmi si neoenverizëm!

21 Mars 2023, 16:14 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Berishizmi, ramaizmi dhe metaizmi si neoenverizëm!

Me qëllim ose jo, analiza që po i bëhet asaj që po ndodh në Shqipëri, i largohet me çdo mjet thelbit. E gjithë retorika politike dhe mediatike fokusohet në teknikalitete të tipit; kjo qeveri e korruptuar duhet të rrëzohet një ditë e më parë, nuk jemi më të mirët po më të mirë se ne nuk ka, koha për rotacion, e të tjera mashtrime. Të gjitha këto i kemi parë dhe identifikuar gjatë 32 viteve të tranzicionit, por asgjë nuk ka ndryshuar.

Protagonistë të kësaj tymnaje janë Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Metaj, të cilët kanë vetëm një qëllim; ruajtjen e statukuosë politike dhe pasurore.

Që të tre kanë emër të përveçëm, jetën dhe pasuritë e tyre, postet politike e qeveritare, mëkatet, krimet por edhe ca të mira të kryera ndër vite. Kriminel ishte Enveri, por bëri edhe ca punë për Shqipërinë!

Njësoj si ai për 45 vite, edhe sot, thelbi i problemit nuk janë Berisha, Rama dhe Metaj si individ, por çfarë përfaqësojnë si liderë, shtetarë dhe sidomos si filozofi politike.

Nëse i zhvesh nga emri i përveçëm, prejardhja, kultura, dija, nga retorika e përditshme, ajo që mbetet është e njëjtë si dy pika uji. Janë tre individë të cilët kanë brenda enverizmin, në kushtet e demokracisë dhe të pluralizmit.

Njësoj si diktatori ata kanë ngritur kultin e individit. Pa ata nuk ka parti dhe “fitore”. Madje as pluralizëm, as demokraci e as Shqipëri. Nëse mendon ndryshe, shpallesh armik. Po tentove që ti kundërshtosh, përjashtohesh nga partia, ose detyrohesh të ikësh vetë. Ha edhe dru, pse jo.

Kush ju thotë të vërtetën e tyre, vendoset në murin e pushkatimit. Pak më ndryshe nga Enveri këta kanë skuadriljet e tyre politike, mediatike dhe militante, të cilët brenda 24 orëve nga shpallja e mendimit ndryshe nga ai i liderëve, të hedhin aq shumë shpifje, baltë dhe denigrim, sa që do të preferoje që më mirë të të pushkatonin  me plumba të vërtetë, siç bënte dikur diktatori.

Kur themi PS- PD e LSI- PL duhet të kuptojmë Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metajn, përndryshe këto forca politike nuk e meritojnë që të ekzistojnë!

Po të shohësh ndër vite individët dhe grupet armiqësore që tre “lexhendat” e tranzicionit kanë zbuluar brenda partive dhe pastaj i kanë “internuar”, thua; “lule o Enver”.

Nëse në forumet drejtuese të këtyre forcave politike hedh ndonjë libër, fut brenda ndonjë intelektual, profesor apo ndonjë individ me mentalitet perëndimorë, të gjithë hidhen nga dritaret duke thirrur të tmerruar: Na vunë bombën!  

Dikur PS, PD dhe LSI kur u themelua, gëlonin nga intelektualët. Të gjithë ranë rrugës “dëshmor” nga përballjet tragjike me Berishën, Ramën dhe Metajn.

Të tre si Enveri i drejtohen popullit veçanërisht kur i kanë punët keq. Mbajnë “këshilltarë”, vetëm për ti këshilluar ata. Të tre kur mbledhin “forumet” recitojnë fjalime çarçafë të gjata, kurse të tjerët vetëm duartrokasin.

Të tre i kanë gratë, fëmijët, familjarët, farefisin, miqtë...më të aftët, më të zgjuarit, më të suksesshmit në çdo fushë të jetës. Të ndryshëm nga pjesa tjetër e partisë dhe e popullit shqiptarë. Që të tre e meritojnë të jetojnë në luks sepse pa ata, të tjerët mund të ishin edhe më të varfër se sa janë.

Ata i marrin çdo gjë partisë dhe pushtetit që buron prej saj, ti duhet vetëm që të japësh, (vota është detyrim), madje edhe të vjedhësh te puna në shtet “ku bëhen lek”, që pastaj të dorëzosh pjesën më të madhe te partia e cila në fakt ka emrin e tyre. Ti mund të futesh në burg po u kape, ata të tre “larg o zot”, sepse nuk mund të burgosësh një parti të tërë.

Ata ta vënë emrin, ata ta heqin. Nëse nuk je në rresht kokulur pas kurrizit të tyre, nuk bëhesh funksionar në parti dhe në pushtet. Madje rrezikon edhe të mbetesh, pa bukën e fëmijëve. Kush guxon tu thotë të vërtetën në sy është i blerë, i shitur, spiun, peng, anti-parti. 

Kur bashkëpunëtorët e tyre në vjedhjen e Shqipërisë bien në duart e drejtësisë, ata vetë nuk kanë kurrë faj. Enveri nuk dinte gjë!

Kur ju vjen radha atyre vetë, drejtësia është politike, e amerikanëve, e Sorosit, e dreqit dhe e shejtanit.

Ashtu si Enver Hoxha la pas enveristët, edhe Rama, Berisha dhe Metaj kanë prodhuar klone të vetes. Mijëra raminj, salinj, metinj i ke në partitë respektive, në administratë, në medie, në FB, Tik Tok, Instagram, te tavolina ngjitur kur pi kafe dhe madje, edhe në krevatin bashkëshortorë.

Kur ti kritikon Ramën, Berishën, Metajn nuk ka nevojë që të përgjigjen ata vetë; ushtria e kloneve është gjithmonë gati që të të linçojë pa mëshirë.

Pra thelbi i tragjedisë së Shqipërisë, (ashtu siç e ka identifikuar tashmë edhe Perëndimi), nuk janë individët Sali, Edi dhe Ilir por ramaizmi, berishizmi dhe metaizmi si neoenverizëm, në kushtet e demokracisë dhe pluralizmit.

Po nuk shkulëm këtë, mos harxhoni kohë kot me zgjedhje e votime farsë, sepse gjithçka është vazhdim i lojës së tyre 32 vjeçare. Koha e “ngordhjes” së neoenverizmit ka ardhur.

Kush është përball tij, duhet vetëm të qëndrojë fortë dhe të vazhdojë luftën për PS-në, PD-në, pluralizmin e vërtetë dhe për Shqipërinë e së ardhmes, (se Metaj i dhamë rëndësi kot më kot), pa berishizëm dhe pa ramaizëm! /Alfapress.al 

 

Po ndodh...