Dosjet e CEO-ve të SHPK-ve PS- PD- PL

22 Tetor 2022, 13:55 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Dosjet e CEO-ve të SHPK-ve PS- PD- PL

Debati i fundit që është hapur me rastin e miratimit të ligjit të ri për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të Shtetit, shënjon edhe një moment tjetër historik për marrjen fund të një mashtrimi 32- vjeçarë.

Klasa politike udhëheqëse në Shqipëri fatkeqësisht nuk ka qenë kurrë as e majtë dhe as djathtë, por thjesht një grup “xhambazësh” të cilët kuptuan të parët se partitë mund të jenë ndërmarrje biznesi të suksesshme dhe të përjetshme.

Ashtu siç po del sot në dritë, bëhet fjalë për SHPK ku punëtorë vullnetarë janë qindra- mijë socialistë dhe demokratë të ndershëm dhe të keqpërdorur në të paktën 2 breza. Janë korporata që nuk kanë paguar deri më tani asnjë lloj takse, as në natyrë dhe as morale.

Një tufë individësh sharlatanë me plot frustrime që nga fëmijëria dhe rinia, të cilët nën veladonin e pluralizmit, demokracisë, të së majtës moderne dhe të së djathtës progresive, kanë kapur dhe bllokuar përveç partive edhe çdo qelizë të këtij vendi.

Tani nuk duan që të shkulen, as me SPAK, as me “non grata” dhe as me procesin e nxjerrjes në dritë të së kaluarës së errët. Se me votë, as që bëhet më fjalë.

Ligji për hapjen e dosjeve nuk është se do të bëjë ndonjë çudi në të ardhmen, por është pjesë e procesit të spastrimit përfundimtarë të këtyre SHPK-ve. Dosje për të kaluarën e tyre, dosje për korrupsion që kanë bërë.

Është një nga pikat e planit të madh të Perëndimit për të rikthyer demokracinë funksionale në një vend anëtarë të NATO, aspirant për në BE dhe me rëndësi gjeostrategjike në luftën që kanë më boshtin Rusi- Iran- Kinë.

Edhe më naivët e dinë që Edi Rama, nuk e votoi me dëshirë ligjin për hapjen e dosjeve. Prapa këtij ligji janë sërish amerikanët, siç janë pas furtunës penale që pret korrupsionin e të gjitha “ngjyrave”dhe “nogratat”, që do vazhdojnë për të gjitha palët.

Nuk dua të futem në teknikalitete, por mënyra se si po e trajton Rithemelimi këtë çështje tregon se SHPK-së së Berishës, i është grisur edhe maska e fundit antikomuniste.

Përpëlitjet dhe britmat e tipit ‘Bashkuat votat me Ramën”, “Gjueti shtrigash për Ilir Metajn”, “Goditen të përndjekurit e detyruar me dhunë për të firmosur si bashkëpunëtorë”, e të tjera budallallëqe, veçse u hapin sytë edhe atyre pak të mashtruarve në radhët e tyre.

Ligji jep fund përfundimisht fshehjen pas certifikatave të virgjërisë, që kanë marrë shumë politikanë dhe zyrtarë nga komisionet Mezini dhe Bezhani.

Kthjellohuni pak: Atë certifikatë nuk e merrte dot një ish i përndjekur politik, që është detyruar nën torturë të firmos bashkëpunimin. Nuk i ka llogaritur njeri ata këto 32 vite. As paratë e dëmshpërblimi që ju takonin me ligj, nuk i merrnin dot të gjithë njësoj, edhe me “të djathtin” Berisha në pushtet.

 “Virgjërinë” mund ta siguronin vetëm politikanë dhe zyrtarë të lartë me pushtet, të cilët kanë 32 vite në lojë. Tani ka ardhur koha që ta vërtetojnë “cipën”, nëse duan që të jenë ende në skenën e demokracisë, pluralizmit dhe të pushtetit.

Thelbi i këtij ligji, i cili ka nevojë edhe për 2-3 amendamente të tjera, nuk është që shqiptarët të futen në internet dhe të lexojnë dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe të ministrisë së Brendshme të diktaturës. Te ato dosje që do të hapen, ndryshe nga sa mashtrojnë kundërshtarët e ligjit, gjenden edhe hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët që zbatonin nenin 55 e të tjerë.

Ajo që do të ndodhë është që kushdo që ka gjakosur shpirtin dhe duar në diktaturë, të iki vetë nga politika dhe loja e pushtetit. Nëse nuk pranon, atëherë gjyqin publik e ka hak dhe le ta përballojë vetë.

Kështu siç ka ardhur puna pas 32 vitesh, në Shqipëri debatet me komunistë, hetues, bashkëpunëtorë, antikomunistë, të majtë, të djathtë e të tjera broçkulla, janë thjesht shpërqendrim nga thelbi.

Dhe thelbi janë organizatat, SHPK-të e Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metajt. Ato kanë vetëm një flamur me vetëm një ngjyrë; Pushtet për të bërë korrupsion dhe korrupsionin për të blerë dhe mbajtur pushtet.

Për të arritur këtë rreth vicioz, shpikën edhe “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Pikërisht për këtë janë së bashku kundër SHBA, kundër Drejtësisë së kontrolluar nga Perëndimi, kundër çdo grupimi dhe individi që ka identifikuar frymën enveriste në PS, PD dhe PL.

Te e para Rama nuk bën fare zgjedhje, te e dyta Berisha garon me veten, te e treta Meta emëron kryetar Metajn. Të tre bashkë kanë hesape për të larë me të kaluarën në krye të Shqipërisë, që është katandisur në këtë gjendje vetëm për “meritë” të tyre.

Prandaj këmbëngulim se nuk bëhet fjalë më për komunistë e anti-komunistë, për të djathtë e të majtë. Liderët e tyre janë në thelb e njëjta gjë; hajdutë ordinerë që për hir të pasurimit të klaneve të tyre, mbajnë peng demokracinë dhe partitë. Mbajnë peng, edhe pastërtinë dhe pozicionimin ideologjik të partive që kanë uzurpuar.

Mbajnë edhe njëri- tjetrin, sepse bashku i kanë marrë me shiringë Shqipërisë dhjetëra miliard dollarë dhe shumicën e Shqipërisë së patundshme.

Ndaj vetëm duke lejuar dhe ndihmuar procesin historik, (Drejtësi-Kushtetutë e Re- Ndriçimi të së kaluarës), të pastrimit të Shqipërisë nga kjo metastazë e paprecedentë në Europë, do të çlirohen edhe energjitë për të pasur më në fund, një të majtë moderne dhe një të djathtë progresiste.

Nëse vazhdohet me “Dum Babën”, atëherë Enverin do keni edhe për dekada të tjera. Herë i maskuar si “Lexhendë e demokratëve”, herë si “Skënderbe i socialistëve”, e gjithmonë si CEO i bizneseve PS- PD- PL./Alfapress.al



 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128