A e dini se çfarë del nga pllenimi i ujkut me delen?

20 Tetor 2022, 12:45 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

A e dini se çfarë del nga pllenimi i ujkut me delen?

Ka vetëm një mënyrë për të rilindur, rithemeluar dhe rindërtuar një greminë: Ajo është ta thellosh atë sa më shumë!

Pikërisht këtë proces, po shohim me Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

Shikoni çfarë po ndodh në mënyrë permanente në këtë vend, ku një arlekin si Edi Rama po tallet me të gjithë.

Ky i fundit ka nisur fushatën për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke u shfaqur nëpër Shqipërinë e zbrazur dhe të zhytur në varfëri dhe depresion, si një “Enver i dytë”. Shkon në Përmet e Gjirokastër dhe inskenon spektakle ku populli shfaqet ekraneve i lumtur, ku emigrantë të kthyer nga kurbeti po lulëzojnë vendin me bizneset e tyre, gra që i hidhen në gjoksin e madh dhe i thonë; “Lum Shqipëria që të ka”.

Kjo është ajo që duket, por kush di të lexojë poshtë hijes së ballit të “Enverit të dytë”, sheh se ai ka një shqetësim të madh. Kanë kaluar 10 vite dhe është i detyruar që të thotë se investimet, punët e pushtetit të tij janë ende në mëngjes. Pastaj shpall sloganin e fushatës elektorale: Kë do të votoni ju, këtë opozitë të “nongratave”?!

Dhe në fund i fut një kërcënim, se do të ketë luftë bërthamore dhe dimër që se kemi parë që nga viti 1945, ndaj më mbani mua si shpresa e fundit!

A është aq idiot Edi Rama sa të besojë edhe vetë, se shqiptarët mund ti hanë ende këto spektakle arlekinësh plot ngjyra?!

Natyrisht që nuk është. Atëherë përse ecën përpara i sigurt se sërish do të fitojë edhe këto zgjedhje, kur edhe në ato të vitit 2021 nuk i fitoj me votë popullore?!

Ju kujtohet që hodhi me qindra milionë euro në ditët e fundit; mobilizoi krimin dhe biznesin nëpërmjet operacionit policor “KÇK”; Ja doli që të legjitimoj në parlament një Kod Zgjedhor të deformuar në favor të vetes; Mobilizoj patronazhistët si hije pranë çdo familje dhe biznesi; 80 mijë vota i nxori skarco, (e të me tjera mënyra malinje që dihen), dhe sërish me shumë sforcim, kapi vetëm 46% të votave?!

Ecën përpara i qetë dhe i sigurt edhe për këto zgjedhje, sepse sheh i kënaqur se si humnera, (ku është investitor dhe nënkontraktor i punimeve), gremina e opozitës, po rithemelohet duke u thelluar edhe më shumë!

Në këtë front nuk ka arlekinë, por ujqër të plagosur, vemje, butakë politikë pa shtyllë kurrizore dhe dele me shumicë.

Si do ta mundin Edi Ramën i cili e di edhe vetë që është pakicë, por ka nën hyqëm qindra-mijë të punësuar në shtet dhe bashki, pa llogaritur dhe oligarkët e qindra biznese klienteliste pas vetes?!

Apo do të rrëzoni dhe mundni sërish “Lulin e shkretë”

E kam thënë edhe në shkrime të tjera që e ashtuquajtura “shtresa gri” që solli PD-në në pushtet në vitin 2005 dhe Edi Ramën në vitin 2013, është properëndimore e vendosur, më inteligjentja dhe karakterizohet nga logjika e ftohtë.

Dhe logjika e ftohtë të thotë që kjo opozitë dhe ky lloj “bashkimi” pa moral dhe pa parime me “non grata” nga Perëndimi të maskuar si dyshja Bardhi- Paloka, mund ti duhet Sali Berishës, ca butakëve nga pala tjetër dhe vetë Edi Ramës, por kurrsesi Shqipërisë.

Gjëja më idiote që mund të dëgjosh është kjo puna e “bashkimit pa kushte” me Berishën dhe klonet e tija që jo vetëm mishin, por edhe kockat ju bluan deri pak ditë më parë. Dhe si përfundim; A e dini se çfarë del nga pllenimi mes ujkut dhe deles?

 Një ujk me lëkurë deleje, asgjë më shumë!/Alfapress.al

 

Po ndodh...