Ekonomia e “plehrave”
Në lajmet e fundit nga ekonomia në rajon apo Europën Juglindore ato që na tërhoqën vëmendjen këtë javë janë:
Kompania Stellantis hodhi në treg makinën e saj elektrike Fiat Grande Panda në qytetin serb Kragujevac, ku ka investuar pothuajse 200 milionë euro (përfshirë një subvencion prej 48 milionë eurosh nga qeveria serbe), në një fabrikë që pritet të nisë prodhimin e plotë në tetor, duke punësuar 1000 njerëz; Grupi francez Saint-Gobain ka nisur me sukses fabrikën e dytë të prodhimit të kartonit të gipsit në Turda, Rumaninë Qendrore.
Linja e re, e cila përfaqëson një investim prej mbi 50 milionë eurosh, shtrihet në 14,000 m2 dhe përfshin pajisje të përparuara për bluarjen, kalcinimin, formimin e pllakave, tharjen dhe grumbullimin e kartonave të gipsit;
Kompania italiane Ariston ka nisur ndërtimin e një fabrike të re në Nish të Serbisë, me një investim të planifikuar prej 75 milionë eurosh për prodhimin e pajisjeve elektrike shtëpiake; Sparkasse Bank do të japë një kredi deri në 2 milion euro për kompaninë Makprogres DOO Vinica.
Makprogres është një kompani lokale në pronësi familjare me 640 të punësuar, që prodhon dhe shet produkte ushqimore nën markat Vincinni, Donia, Sun Valley, Fantasia dhe Natura, në më shumë se 60 vende në mbarë botën.
Në Shqipëri, lajmet më kryesore të ditëve të fundit janë dy:
E para një projektligj i ri për menaxhimin e mbetjeve, ku qeveria risjell në vëmendje importin e mbetjeve që i konsideron jo të rrezikshme, ndërsa në vend është hapur debati për një anije me skorje të rrezikshme që nuk po i merret vesh origjina dhe i gjithë procesi i mëpasshëm i transportit, pa folur për paqartësinë se çfarë do të ndodhë kur të kthehen në portin e Durrësit.
Lajmi tjetër lidhet me ngritjen e kampit të refugjatëve- bazuar në një marrëveshje me qeverinë italiane- në Shëngjin, i cili ndryshe nga projektet e tjera që zvarriten me muaj, ka ecur me shumë shpejtësi dhe do të jetë gati për të pritur mysafirët e parë që në shtator.
Kontrasti i lajmeve që prodhon Shqipëria dhe që nuk janë lajme propagande është i madh me lajmet ekonomike, që prodhojnë vendet e tjera.
Është po kaq i madh edhe kontrasti ndërmjet “detyrave” që pritet të kryejë një qeveri për të nxitur ekonominë e qëndrueshme, për të rritur mirëqenien e qytetarëve të saj dhe cilësinë e jetesës së tyre, me atë që po bën realisht.
Fokusi i saj kryesor për momentin duket në “përpunimin” e mbetjeve dhe të refugjatëve nga importi, në një kohë që vendi ka probleme të tjera shumë më madhore dhe emergjente.
Problemi i plehrave në fakt qëndron, por në një dimension krejt tjetër. Në kulmin e turizmit menaxhimi i tyre po lë shumë për të dëshiruar.
Në zonat bregdetare mbeturinat janë përhapur kudo, duke lënë një përshtypje negative tek turistët, që po ankohen si asnjëherë më parë në rrjetet sociale, duke i bërë reklamën më të keqe të mundshme Shqipërisë turistike.
Në Vlorë derdhen ujërat e zeza, teksa qeveria ia ka lënë punën bizneseve që të investojnë në ngritjen e përpunimit të impianteve të ujërave të zeza me një kosto deri në 100 mijë euro. Subjektet, edhe pse i paguajnë shtetit të gjitha taksat, po detyrohen që të bëjnë punën e qeverisë.
Kjo e fundit gjatë periudhës 2017-2023 ka paguar nga paratë e taksapaguesve rreth 13 miliardë lekë (130 milionë euro) për ngritjen e tre inceneratorëve, që sot praktikisht nuk ekzistojnë, jo më të bëhet fjalë të punojnë.
Kjo nuk e pengoi as Ministrinë e Financave të rrisë pagesat për koncesionet, ku një nga zwrat e shtuar ishte pikërisht inceneratori i Tiranws.
Edhe problemi i emigracionit qëndron, por në atë të ikjes së pandalshme të shtetasve shqiptarë, që ka arritur në përmasa të tilla që po ndikon gjithë treguesit ekonomikë nga tregu i punës, tek konsumi, për të mos folur pastaj për efektet afatgjata në produktivitetin e ekonomisë e skemës së pensioneve. Por këto probleme qeveria as që denjon t’i përmendë ndonjëherë, e jo më t’i pranojë.
Nuk po shohim që kjo qeveri të bëjë qoftë edhe përpjekje propagandistike për të ulur korrupsionin, që mbetet ndër më të lartët në Europë, sipas sondazheve të fundit, pavarësisht reformës për drejtësi, që më shumë u imponua nga institucionet ndërkombëtare.
Nuk ka as ndonjë lëvizje serioze për të zhbllokuar fondet e BE-së për bujqësinë apo për të hyrë në negociata me institucione të tjera ndërkombëtare që ofrojnë financim në bujqësi, gjë që kanë ndërprerë investime të rëndësishme (në ato raste kur janë dhënë pa mik), duke e bllokuar këtë sektor jetik në një moment kur konsumi po rritej për shkak të turizmit, duke i lënë hapësira të mëdha importeve.
Çfarë qëndrueshmërie ekonomike dhe cilësie jetese mund të premtohet me këto politika?! Në vend që Shqipëria të kishte hyrë në fazën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të investohej shumë për cilësinë e jetesës, qeveria po e kthen timonin në anën e kundërt.
Pse duhet të orientohet qeveria në këta sektorë të pranimit të mbetjeve e mbeturinave, ku përvoja botërore ka treguar se janë sektorët tipikë ku mafia i ka duart e gjata edhe në vende me institucione kontrolli e menaxhimi më të forta.
Ndërkohë që të gjithë jemi të vetëdijshëm për dobësinë e theksuar institucionale në vend, ku deri edhe trupa policore është akuzuar nga kreu i SPAK për kriminalizim.
Apo që të rrezikojmë të bëhemi si modeli meksikan me ishuj të lumtur resortesh, siç po reklamohet investimi në Ishullin e Sazanit, vetëm për pak turistë dhe jashtë kufijve të restorteve të sundojë varfëria, krimi dhe korrupsioni!
Ekonomia e “plehrave” nuk mund të jetë dega kryesore e ekonomisë shqiptare, për më tepër që qeveria shqiptare që e nxit këtë model nuk ka treguar ndonjë aftësi menaxhimi./Monitor.al
Pse hesht Sali Berisha për skandalin Çyrbja?
ide
Më mirë vetëm se i keq shoqëruar!
Pse shqiptarët duhet të shikojnë ekonominë në zgjedhjet 2025
Qeveria e saboton punën e SPAK (edhe) duke mos e mbështetur financiarisht
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128