Nga “jam bashkëpunëtor” te “po më hedhin baltë”!/ Tre socialistë, i njëjti refren para dyerve të SPAK: Besim te drejtësia!
Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe Sara Mila kanë zgjedhur të njëjtën mburojë në daljet e tyre të para nga SPAK-u: Fjalë për bashkëpunim, respekt për drejtësinë dhe pretendime se gjithçka do të sqarohet. Por pas deklaratave të kujdesshme para kamerave qëndrojnë hetime, dyshime dhe pyetje që kërkojnë përgjigje.
Në politikën shqiptare duket se ekziston një skenar i përsëritur sa herë që një zyrtar socialist përfundon në dyert e SPAK-ut. Përpara prokurorëve duhet të japë shpjegime, ndërsa përpara gazetarëve duhet të bindë opinionin publik se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe së fundmi deputetja Sara Mila kanë pasur secili versionin e vet të këtij komunikimi. Njëri foli për bashkëpunim me hetuesit, tjetra për besimin te drejtësia dhe transparenca, ndërsa deputetja e Elbasanit zgjodhi të fliste për baltë dhe sulme politike.
Erion Veliaj: Isha këtu si bashkëpunëtor
Më 30 prill 2024, kryebashkiaku i atëhershëm i Tiranës, Erion Veliaj, doli nga SPAK-u pas marrjes në pyetje për çështjen e inceneratorëve. Pas disa orësh në Prokurorinë e Posaçme, ai u shfaq përpara gazetarëve me një deklaratë që synonte të përcillte një mesazh qetësie dhe bashkëpunimi.
“Isha këtu si bashkëpunëtor”, deklaroi Veliaj, duke lavdëruar hetuesit dhe punën e institucionit.
Ai foli për profesionistë, disiplinë dhe forcimin e institucioneve, duke thënë se takimi i kishte krijuar një bindje pozitive për SPAK-un.
Por rrjedha e mëvonshme e hetimeve do ta vendoste vetë Veliajn në një pozitë krejt tjetër përballë drejtësisë. Kryebashkiaku u arrestua në shkurt të vitit 2025 dhe u përball me akuza të rënda nga SPAK-u. Kështu, deklarata e dikurshme për bashkëpunim do të mbetej një prej momenteve më të komentuara të raportit të tij me Prokurorinë e Posaçme.
Belinda Balluku: Jam shpresëplotë se procesi do të bazohet në transparencë
Në tetor 2025, radhën e kishte Belinda Balluku. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u paraqit në SPAK për çështjen e Tunelit të Llogarasë.
Edhe ajo zgjodhi një deklaratë të përmbajtur, duke shprehur respekt për institucionet dhe besim te procesi.
“Jam shpresëplotë që do të jetë një proces i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet e drejtësisë, tek e cila besoj”, deklaroi Balluku.
Por çështja nuk do të mbetej vetëm te kjo paraqitje. Hetimet ndaj saj u zgjeruan, ndërsa në tetor 2026 SPAK i komunikoi akuza të tjera, përfshirë dyshime për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Nga fjalët për transparencë te akuzat e rënda të Prokurorisë, dosja e Ballukut është një tjetër shembull se deklaratat publike nuk mund të zëvendësojnë përgjigjet që kërkon drejtësia.
Sara Mila: Është hedhur shumë baltë mbi mua
Më 11 nëntor 2026, në dyert e SPAK-ut u shfaq deputetja socialiste Sara Mila nën hetim për korrupsion në zgjedhj. Ndryshe nga Veliaj dhe Balluku, ajo zgjodhi një tjetër linjë komunikimi: sulmin ndaj asaj që e cilësoi si politikë të vjetër dhe baltosje ndaj figurës së saj.
“Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër”, deklaroi Mila pas daljes nga Prokuroria e Posaçme.
Deputetja bëri të ditur se ishte thirrur si person në dijeni dhe se kishte dhënë dëshminë e saj, ndërsa theksoi se do të paraqitej sa herë të kërkohej nga organet e drejtësisë.
“Ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë”, u shpreh ajo.
Por edhe në këtë rast, deklaratat politike nuk i japin përgjigje pyetjeve që lidhen me hetimin. Nëse bëhet fjalë për dyshime që prekin procesin zgjedhor, qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë po hetohet dhe çfarë përgjegjësie mund të ketë secili prej personave të përfshirë.
Sepse qytetarët nuk kanë nevojë për një tjetër fjalim politik në daljen nga SPAK-u, kanë nevojë për transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi./Alfapress.al
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
"RNB-BNB", si thirrje për t’i dhënë fund tranzicionit!
Pse Rama e ka humbur pushtetin?
Atdheu pa semaforë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

