Skandali në Nvidia/ Zbulohet bashkëshorti i dyshuar sekret i të dashurës së Jensen Huang, lidhje me botën e biznesit dhe spiunazhin kinez

Skandali që përfshin drejtuesin e Nvidia-s, Jensen Huang, dhe një grua kineze të dyshuar për lidhje me shërbimet sekrete të Pekinit, merr një tjetër zhvillim. Në qendër të vëmendjes është tashmë edhe një biznesmen i fuqishëm kinez, Kang Wei, i cili dyshohet se është bashkëshorti i Alice Huang, gruas që raportohet se ka pasur një marrëdhënie intime me kreun e gjigantit amerikan të teknologjisë.
Historia ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe përdoruesve të internetit, pasi ndërthur marrëdhëniet personale, interesat e mëdha financiare dhe dyshimet për spiunazh industrial. Megjithatë, një pjesë e pretendimeve mbetet e pakonfirmuar, ndërsa hetimet dhe raportimet mediatike kanë nxjerrë në pah detaje të reja mbi personat e përfshirë. Sipas raportimeve të mediave kineze, Kang Wei është një biznesmen dhe drejtues financiar i njohur në Kinë. Ai u bë drejtuesi më i ri i një kompanie fondesh në vend, pasi mori drejtimin e Zhonghai Fund në moshën 32-vjeçare.
Në vitin 2010, Kang themeloi grupin e investimeve private Hexi Capital, ndërsa Alice Huang iu bashkua kompanisë pesë vite më vonë, sipas Financial Times. Kompania ka investuar në disa sektorë të teknologjisë, përfshirë industrinë e videolojërave dhe qendrat e të dhënave. Por karriera e Kang është shoqëruar edhe me probleme ligjore. Në vitin 2018, Hexi Capital u gjobit me 2.6 milionë dollarë, ndërsa Kang me 60 mijë dollarë, për shkelje të detyrimeve të deklarimit dhe kryerjen e transaksioneve të paligjshme gjatë një periudhe bllokimi të lidhur me blerjen e kompanisë Huiqui Technology.
Kompania u gjobit gjithashtu vitin e kaluar nga Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë i Kinës, për mosdeklarimin e përfshirjes së një personi të brendshëm në një kompani që kishte blerë. Ndërkohë, Kang raportohet se u arrestua në fillim të vitit 2026, nën dyshimet për manipulim të aksioneve të kompanive të listuara në bursë.
Përdorën lidhjet me kreun e Nvidia-s për të siguruar investime
Sipas raportimeve të The New York Times, Jensen Huang dhe Kang Wei kishin krijuar një rrjet kompanish të ndërlidhura, përmes të cilave realizonin blerje korporatash dhe investime në biznese të ndryshme.
Kang dyshohet se e prezantonte Alice Huang si bashkëshorten e tij përpara investitorëve kinezë dhe punonjësve të kompanisë së saj, Megaspeed. Gjatë këtyre takimeve, ai fliste për lidhjet e saj me themeluesin e Nvidia-s dhe, sipas burimeve të cituara nga gazeta, i përdorte këto marrëdhënie për të siguruar kapital dhe për të zgjeruar aktivitetin e biznesit. Edhe raportimi i The Information pretendon se Kang, 51 vjeç, e njihte Jensen Huang që prej vitit 2010 dhe kishte bashkëpunuar me të. Madje, thuhet se ai ia kishte prezantuar gruan e tij drejtuesit të Nvidia-s rreth dhjetë vite më parë. Deri në pranverën e vitit 2020, rrjeti i tyre kishte siguruar një projekt të rëndësishëm në Shangai, duke marrë pjesë në ndërtimin dhe operimin e një qendre kompjuterike të inteligjencës artificiale për gjigantin kinez të internetit Tencent.
Dyshimet për spiunazh dhe çipat amerikanë të inteligjencës artificiale
Një tjetër element i kësaj historie lidhet me dyshimet për përfshirjen e Alice Huang në një operacion të mundshëm spiunazhi në interes të Pekinit. Sipas raportimeve, nuk dihet saktësisht se kur ajo nisi marrëdhënien me Jensen Huang, por që në qershor të vitit 2024 dyshohet se fliste hapur për afërsinë e saj me drejtuesin e Nvidia-s. Në fillim të vitit 2025, Alice Huang u prezantoi disa investitorëve në Kinë një marrëveshje për çipat e inteligjencës artificiale. Ajo pretendonte se kishte mundësi të siguronte procesorët grafikë të Nvidia-s dhe theksonte marrëdhëniet e saj tregtare me Alibaba-n, sipas dy investitorëve të cituar nga Financial Times.
Projekti lidhej me ndërtimin e një qendre të dhënash në Azinë Juglindore, me vlerë prej disa qindra milionë dollarësh. Megjithatë, investitorëve nuk iu bë e ditur marrëdhënia e saj me Jensen Huang. Ndërkohë, sipas The New York Times, zyrtarëve amerikanë u është paraqitur informacioni se Alice Huang mund të ketë punuar për Ministrinë e Sigurisë Shtetërore të Kinës. Dyshimet lidhen me një përpjekje të mundshme për të siguruar informacione mbi teknologjinë amerikane të çipave të inteligjencës artificiale dhe për të ndikuar që Nvidia të vinte në dispozicion të tregut kinez gjysmëpërçuesit e saj më të avancuar. Për momentin, shumë prej këtyre pretendimeve mbeten të pakonfirmuara. Megjithatë, zbulimet mbi lidhjet mes Alice Huang, Kang Wei dhe drejtuesit të Nvidia-s kanë shtuar pikëpyetjet mbi ndërthurjen e interesave personale, biznesit dhe sigurisë teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
"RNB-BNB", si thirrje për t’i dhënë fund tranzicionit!
Pse Rama e ka humbur pushtetin?
Atdheu pa semaforë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
