Bonusi i bebes me pagesa mujore nga 1 korriku 2027, vetëm për familjet me të ardhura deri në 180 mijë lekë

Nga 1 korriku 2027, familjet me të ardhura mujore deri në 180 mijë lekë do të mund të përfitojnë mbështetje financiare mujore për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare. Skema e re e bonusit të bebes parashikon pagesa nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë në muaj, në varësi të numrit të fëmijëve, por nuk do të zbatohet për të gjitha familjet.
Detajet e politikës së re sociale u bënë të ditura nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027.
Sipas ministres, qeveria ka vendosur që mbështetja e re financiare të përqendrohet fillimisht te familjet me të ardhura më të ulëta, duke përcaktuar si kufi të synuar të ardhurat mujore deri në 180 mijë lekë.
Skema është buxhetuar të nisë nga 1 korriku 2027 dhe synon të mbështesë familjet në përballimin e shpenzimeve për rritjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve gjatë pesë viteve të para të jetës.
Sa do të përfitojnë familjet?
Sipas formulës, mbështetja financiare do të diferencohet në varësi të radhës së lindjes së fëmijës.
Për fëmijën e parë, pagesa mujore do të jetë 5 mijë lekë, ose 60 mijë lekë në vit. Nëse përfitohet për të gjithë periudhën pesëvjeçare, mbështetja totale arrin në 300 mijë lekë.
Për fëmijën e dytë, pagesa mujore do të rritet në 7 mijë lekë, ose 84 mijë lekë në vit. Për pesë vite, shuma totale e përfitimit do të jetë 420 mijë lekë.
Ndërsa për fëmijën e tretë, mbështetja do të jetë 10 mijë lekë në muaj, ose 120 mijë lekë në vit. Në total, përgjatë pesë viteve të para, një familje mund të përfitojë 600 mijë lekë për këtë fëmijë.
Bonusi aktual i lindjes nuk ndryshon
Një element i rëndësishëm i politikës së re është se pagesat mujore nuk do të zëvendësojnë bonusin aktual të bebes, që jepet menjëherë pas lindjes.
Ministrja Spahiu sqaroi se bonusi ekzistues do të vazhdojë të jepet sipas kushteve aktuale, ndërsa mbështetja mujore do të jetë një përfitim shtesë për familjet që plotësojnë kriteret e të ardhurave.
Aktualisht, bonusi i lindjes është 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë e në vijim.
Kjo do të thotë se familjet që kualifikohen për skemën e re mund të përfitojnë si pagesën e menjëhershme pas lindjes, ashtu edhe mbështetjen mujore gjatë viteve të para të jetës së fëmijës.
Zbatimi nga korriku 2027, mbeten për t’u përcaktuar kriteret përfundimtare
Megjithëse skema është parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2027, kriteret përfundimtare të përfitimit dhe procedurat e aplikimit mbeten për t’u detajuar.
Një nga çështjet që kërkon sqarim është mënyra se si do të llogariten të ardhurat mujore të familjes, si dhe nëse kufiri prej 180 mijë lekësh do të zbatohet njësoj për të gjitha familjet, pavarësisht numrit të anëtarëve.
Gjithashtu, mbetet për t’u sqaruar nëse pagesat do të përfshijnë edhe fëmijët e lindur përpara datës 1 korrik 2027, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të skemës nuk kanë mbushur ende moshën 5-vjeçare.
Politika e re përfaqëson një ndryshim në mënyrën e mbështetjes financiare të familjeve me fëmijë, duke kaluar nga modeli i një pagese të vetme pas lindjes drejt një mbështetjeje të vazhdueshme mujore, por të kushtëzuar nga niveli i të ardhurave.
Për familjet që do të plotësojnë kriteret, skema e re mund të sigurojë deri në 600 mijë lekë mbështetje shtesë për një fëmijë gjatë pesë viteve të para, përtej bonusit aktual të lindjes. /ekofin.al
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
"RNB-BNB", si thirrje për t’i dhënë fund tranzicionit!
Pse Rama e ka humbur pushtetin?
Atdheu pa semaforë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
