Flamur Noka merr frenat e “bashkimit”, Bardhi zhduket nga skena

5 Shkurt 2024, 15:03 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Flamur Noka merr frenat e “bashkimit”, Bardhi zhduket nga skena
Ishte njoftuar se mbledhja e sotme mes deputetëve të “Rithemelimit” dhe mbështetësve të Gazment Bardhit do të shërbente për të bërë fakt bashkimin. Një gjë e tillë, pas pakënaqësive të shprehura në mënyrë të vazhdueshme nga një pjesë e deputetëve të grupimit të Bardhit, veçanërisht Korreshit dhe Gjekmarkajt, sipas të cilëve mes dy grupimeve nuk ka asnjë koordinim në aksionin politik, madje ata, në mungesë të Bardhit, nuk ishin thirrur as në mbledhjet e “Rithemelimit”.

I pyetur për këtë “problem”, Flamur Noka, i cili në mungesë të Berishës, është de facto shefi politik i “Rithemelimit”, iu përgjigj gazetarit, se bashkimi ka ndodhur dhe do të ndodhë, veçse është duke pritur të kthehet nga SHBA-ja Bardhi për ta bërë të mundur një gjë të tillë.

Përgjigjja e Nokës përveçse cinike, fshihte në thelbin e saj edhe një ‘kërcënim’ ndaj Bardhit, i cili gjendjej në SHBA dhe mund të kishte marrë andej mesazhe të qarta për të ndarë mendjen dhe për të mbajtur një qëndrim të prerë, qoftë ndaj SPAK-ut, qoftë ndaj “Non Gratës” së Berishës.

Pa kaluar një ditë nga përgjigjja e Nokës, se ishte duke pritur kthimin e Bardhit, ndërsa ky i fundit gjendjej ende në SHBA, “Rithemelimi” njoftoi për protestë ditën e hënë (sot), duke e bërë një gjë të tillë fakt të kryer, të pakonsultuar me pjesën tjetër të deputetëve, mbështetës të Bardhit.

Sigurisht që kjo “lojë” është një kurth ndaj Bardhit dhe deputetëve të tij për t’ia bërë faktike çdo lëvizje politike dhe për t’i detyruar të bëhen dhe të futen plotësisht në lojën e tyre, duke mos vijuar më edhe me SHBA, edhe me Saliun, edhe kundër SPAK-ut, edhe për mbështetje të drejtësisë.

Mesazhi i grupimit të kryesuar nga Noka është i qartë: ndajeni mendjen përsa i përket SPAK-ut dhe Berishës, ose shihni rrugën tuaj!

Nuk mund të shpjegohet ndryshe edhe dalja përpara gazetarëve vetëm e Flamur Nokës pas mbledhjes së grupit të deputetëve, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Në dallim nga herët e tjera, Bardhi nuk mbajti një fjalë pas mbledhjes.

Ky është një mesazh i qartë se gjërat nuk janë siç duken ose siç një pjesë e tyre duan t’i paraqesin para demokratëve, sepse jo vetëm bashkim që nuk ka, por nuk ka pasur asnjëherë. Dilema e madhe e Bardhit pas kthimit nga SHBA duket e madhe.

Në vend të bashkimit, ka pasur gjithmonë pazar, mirëpo tani, duke u afruar edhe periudha e zgjedhjeve loja po del në pah dhe nuk mund të vijohet më me dy standarde.

Grupi i Bardhit ka dy rrugë: të bashkohet plotësisht me Berishën dhe të marrin fund politikisht, duke pasur fatin politik të Berishës, ose të ndahen prej tij dhe të shohin rrugën e tyre politike, rrjedhimisht të asgjësohen dhe të mos kenë asnjë të ardhme, sepse ata janë “realitete” të pompuara mediatike me mbështetje oligarkike, dhe jo “realitete” elektorale, me mbështetje në popull apo demokrat.

Nuk mund të shpjegohet ndryshe se Bardhi, ndonëse pretendon se është sekretari i përgjithshëm i PD-së dhe kryetar i grupit të saj parlamentar, nuk ka zhvilluar për muaj me radhë një takim me elektoratin demokrat.

Pse?

Sepse nuk ka demokrat apo elektorat që mund ta presë dhe të mbështesë Bardhin dhe deputetët që i venë atij nga pas.

Këto dy rrugë të parrugë janë rezultat i lojës së tyre të pistë, i pazareve dhe i mungesës së parimeve në politikë.

Tashmë është e qartë, Flamur Noka ka marrë frenat e “bashkimit” dhe të bërjes së listave për deputetë të vitit të ardhshëm, Bardhi dhe të tijët të shohin dhe të bëjnë.

Dhe në fakt ata mbrëmjen e së enjtes u bashkuan në protestën e Rithemelimit, përpara parlamentit. Aty Bardhi nuk foli, por Sula, Koreshi dhe Salianji mbajtën fjalime. Rama ik- thërrisnin ata, Sali Berisha, Sali Berisha- u kundërpërgjigjej turma!

 

Po ndodh...