Nga celula antiamerikane që “zbuloi” Arvizu në Tiranë, te Fronti me të cilin po përballet Yuri Kim!

8 Prill 2023, 16:05 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Nga celula antiamerikane që “zbuloi” Arvizu në

Paralelisht me zhvillimet e luftës në Ukrainë dhe përkrahjen e frontit SHBA-BE për të mundur makinerinë vrastare të Putin e cila po kërcënon gjithë perëndimin, duart e zgjatura ruse në rajonin tonë, janë vitalizuar jashtëzakonisht.

Tashmë plani dhe investimi rus për ta bërë sa më të dobët perëndimin pikërisht në Ballkanin Perëndimorë, nuk është më sekret. Një nga strategjitë më potente është “lufta hibride” që ajo po zhvillon në këtë rajon, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Sipas analistit Mark Voyger, të Center for European Policy Analysis; “Kutia e mjeteve” të luftës hibride ruse përfshin elementë si lufta politike, diplomatike, ekonomike dhe financiare, ligjore (ligji), si dhe përpjekje socio-kulturore, me përdorimin e gjerë të infrastrukturës, shërbimeve inteligjente dhe grupeve kriminale.

Ai shton se dezinformimi për të demonizuar, baltosur, deligjitimuar dhe vënë në dyshim vlerat e demokracive perëndimore është një nga investimet kryesore, veçanërisht në vende ku influenca e SHBA-BE është jetike. Korrupsioni i pushtetarëve dhe i klasës politike të një vendi është peri i hollë, që synon Rusia në këto vende.

Nëse i shohim të gjithë këta element të përkthyer në realitetin shqiptarë aktual, mund të thuhet pa frikë se “puna” është keq. Aktualisht me relator kryesor Sali Berishën, në Shqipëri që nga shpallja e tij “nongrata”, ka nisur një aksion dhe fushatë e hapur, (“sovraniste”), kundër shtyllës kryesore të perëndimit dhe armikut kryesorë të Rusisë, SHBA-ve.

Gjithashtu edhe Edi Rama herë pas here, shfaqet si sovranist, godet influencën amerikane në drejtësinë e re dhe provokon dhe kërcënon me “aktorë të tretë”, (Rusia, Kina), të cilëve mund tu bashkohet nëse i goditet nga perëndimi, pushteti absolut që ka.

Kurse Ilir Metaj dihet që ishte gati të përfundonte si Salvador Allende, apo të priste me gjoksin para raketat amerikane në Malin me Gropa!

Por si u “katandis” kështu Shqipëria, vendi më pro-amerikan dhe më pro-perëndimor në Europë dhe ndoshta në gjithë botën?!

Duket se rrënjët e këtij shpërthimi, antiamerikan aktual janë më të hershme se koha e ndërhyrjes radikale të SHBA, për nisjen në vitin 2016 të Reformën në Drejtësi dhe ngritjen e SPAK, apo më vonë, në kohë me nisjen e valës së “nonogratave” djathtas, Berisha, si dhe majtas, Tom Doshi, Vangjush Dako dhe Aqif Rakipi.

Celula që “zbuloi” Arvizu

Më 20 shtator të vitit 2011 pasi vendi ishte në një situatë politike destabilzuese pas ngjarjeve të rënda të 21 janarit, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, foli për herë të parë publikisht për një celulë të strukturuar antiamerikane në vendin tonë.

Në një intervistë për Ilva Taren ai tha tekstualisht:

Në vende si Shqipëria njerëzit janë gati 96 për qind pro-amerikanë, 4 % mund të mos jenë dakord, por kjo është tjetër gjë, ndërsa ne po flasim për një gjë krejt tjetër. Më lejoni të përmend një komentues tjetër, Artur Zheji, dhe e di se disa nga shikuesit tuaj do thonë, oh Artur Zheji. Ai është dhe një opinion-shkrues, shkrimet e të cilit unë i lexoj.

Në prill ai ka shkruar një artikull dhe që quhej “Antiamerikanizmi i porositur”. Dhe ai ka shpjeguar një fenomen që për mua është shumë i qartë dhe që ne e kemi parë në atë periudhë, që ka qenë një antiamerikanizëm i organizuar, i drejtuar dhe ka pasur një celulë, ka pasur drejtues, ka pasur mbështetje biznesi, ka pasur gjithashtu dhe makineri.

Pra, ka qenë një aktivitet i organizuar që ka pasur në plan të mund të marrë një kah politik. Por gjithashtu në një shoqëri demokratike, unë e pranoj këtë. Por unë mendoj që kjo gjë nuk drejton siç duhet, nëse shkon kështu. Megjithatë flasim për njerëzit në Amerikë dhe ata thonë që çfarë lidhje ka kjo me këtë?

Ky është një aktivitet i drejtuar, i orientuar, nuk është diçka organike. Është diçka për të cilën paguhet, është diçka që është e skicuar e hartuar në këtë formë. Ka një plan dhe të gjitha veprimet që ndërmerren për ta realizuar. Kështu që mendoj se është e rëndësishme për ta dalluar, për ta kuptuar për atë që është. Ne e dimë se ç’po ngjet këtu.

E dini dhe se kush e organizon?

Mendoj që po.

Mund ta bëni publik?

Jo. Mendoj që të gjithë teleshikuesit e dinë, madje njerëzit që e bëjnë këtë e dinë.

Po i paralajmëroni?

Mendoj se ata e dinë.

Pra që 12 vite më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin identifikuar një lëvizje të strukturuar antiamerikane, e cila siç deklaronte ambasadori Arvizu, është e organizuar, me drejtues, me mbështetje biznesi, një makineri e vërtetë. Pra, një aktivitet i organizuar që ka pasur në plan të mund të marrë një kah politik. Dhe ja ku jemi në vitin 2023...

Nga celulë në Front antiamerikanë

Pyetjes së gazetares Ilva Tare nëse po i paralajmëroni drejtuesit, financuesit dhe frymëzuesit e kësaj celule, ambasadori Arvizu ju përgjigj në mënyrë lakonike: Mendoj se ata e dinë...

Koha rrodhi dhe tashmë amerikanët, prej afro dy vitesh kanë nisur sanksionet ndaj të gjithë atyre që nëpërmjet korrupsionit dhe minimit të demokracisë në vendet e tyre, shpallen edhe si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA.

Tani edhe në Shqipëri ata kanë emra dhe të tjerë priten të mësohen. Antiamerikanizmi si luftë ndaj asaj që përfaqëson SHBA për demokracinë dhe shtetin ligjor kudo në botë, tashmë ka frontin e vetë politik dhe jo vetëm, edhe në Shqipëri.

Pas nisjes së Reformës në Drejtësi me amerikanët si kumbarë, ky front u kristalizua. Sali Berisha dhe Ilir Metaj i dolën për zot publikisht, kurse Edi Rama prapa skene duke sabotuar, por edhe hapur herë pas here.

Pas shpalljes “nongrata” nga SHBA dhe përjashtimit nga grupi parlamentarë të PD-së që i bëri Lulzim Basha, Sali Berisha nisi një aksion për të deligjitimuar institucionet e këtij vendi. Vetë akuzoi si të blerë nga Soros dhe Edi Rama, Sekretarin e Departamentit të Shtetit Blinken.

Prej një viti e gjysmë ka ngritur perceptimin, se institucionet amerikane janë të korruptuara. Në mënyrë të paprecedentë akuzon përfaqësuesen direkt të presidentit të SHBA në Tiranë, Yuri Kim, për korrupsion, (madje edhe erotik), për prona të marra në Shqipëri nëpërmjet korrupsioni, e të tjera damkosje të lemerishme.

Njësoj bën edhe me ambasadorin e vendit tjetër të madh perëndimorë, Britaninë e Madhe. Nuk jep asnjë provë, por televizione, portale, gazetarë e analistë të shumtë, u japin jehonë akuzave dhe këtij deligjimiteti që Berisha i bën SHBA dhe institucioneve të tij.

Tashmë është bërë “rutinë” por shumë njerëz, mediet dhe analistët që mbështesin Berishën dhe Metajn, shkruajnë me përbuzje dhe me tone kriminalizuese për SHBA. Edhe kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë. Shpesh Rusia paraqitet si “viktimë”, kurse SHBA si vend pragmatik që mendon vetëm për interesat e veta dhe nuk pyet për demokraci dhe drejtësi në vendet e tjera.

Berishistët në rrjetet sociale kalojnë në ekstrem me sharje vulgare, racizëm, bullizime, akuza, shpifje monstruoze ndaj ambasadores Kim, Sekretarit të Shtetit Blinken dhe vetë presidentit Biden. Si lukuni, guxojnë që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe në faqen e ambasadës amerikane në Tiranë. Po aq të egër, në mos më shumë, janë edhe ndjekësit që ka Ilir Metaj në rrjet dhe medie. Më saktë janë bashkë dhe në një linjë, që ngjan si e telekomanduar.

Më të frikshëm janë analistët e Berisha-Metajt me antiamerikanizmin e tyre të maskuar si liri shprehje dhe sovranizëm shqiptarë. Të gjendur në çdo televizion dhe me portale në posedim, të ftuar përnatë në emisionet “prime time”, helmi i tyre “i sofistikuar” antiamerikan, tashmë e ka bërë punën edhe në opinionin publik. Prej tyre por edhe eksponentëve të Rithemelimit thirrjet për të rrethuar ambasadën amerikane, nuk çudisin më askënd.

Kujtoni kush e frymëzonte dhe e firmoste peticionin, për të përzënë ambasadoren Kim nga Shqipëria. Thirrjet për ta shpallur përfaqësuesen e SHBA “nongrata” nuk i dëgjon as në Beograd, Pekin e madje as në Moskë kaq të zëshme dhe të organizuara. Por në Tiranë nga berishistët, janë të përditshme.

Edhe “luftën hibride”, baltën, bullizimin, shpifjet monstruoze që bëjnë 24 orë rresht në medie dhe rrjet ndaj Lulzim Bashës, Ekelejd Alibeajt, Roland Bejkos dhe shumë të tjerëve në PD-në proamerikane, e bëjnë vetëm e vetëm për të sulmuar SHBA-në për faktin se përse i konsideron aleatë, kurse berishizmin një rrezik për demokracinë shqiptare dhe për vetë sigurinë e tyre kombëtare. Shkatërrimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, si i vetmi investim politik-strategjik që kanë bërë amerikanët në Shqipëri, ka qenë edhe synimi i vërtë për goditjen, përçarjen dhe dobësimin e saj.

Nëse hapet një dosje dhe mbushet vetëm me veprimtarinë publike të tyre gjatë dy viteve të fundit, atëherë do të shohim se “celula” e Arvizut është shndërruar në një organizatë politiko-financiare-kriminale, me vektor të qartë antiamerikanë.

Pra në një Front që nuk fshihet më dhe që ushqehet jo vetëm nga korrupsioni i shkuar dhe i tanishëm por edhe nga pushteti, biznesmenët më të mëdhenj dhe krimi i organizuar brenda dhe jashtë vendit.

Zjarrit që kanë ndezur prej kohësh, i ka shkuar tymi i zi në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit. Ndaj në datat 10-14 prill Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut e viziton në alarm, i dërguari special i Sekretarit të Shtetit dhe koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit, James P. Rubin.

“Ai do të diskutojë përpjekjet e Rusisë, Republikës Popullore të Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformata për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë globin...”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit për këtë mision me epiqendër Tiranën.

Po Fronti në Shqipëri, ku hyn këtu?!

 

 

 

Po ndodh...

ide