“Alibashët” duhet ta ndajnë mendjen: Janë PD-ja që duan amerikanët apo jo?!

7 Prill 2023, 15:28 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

“Alibashët” duhet ta ndajnë mendjen: Janë PD-ja

Sali Berisha doli prapë këtë të premte si “kryetar” i Partisë Demokratike dhe sulmoi sërish, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E quajti piromane dhe e akuzoi se po shkel ligjin shqiptarë dhe atë amerikanë, duke ndërhyrë në fushatën elektorale e cila në fakt ende nuk ka nisur.

Në ligjërimin e tij “papritur harroi” që të përsërisë akuzat e rënda se e dërguara e presidentit të SHBA në Tiranë, nëpërmjet korrupsionit ka bërë prona të shumta në Shqipëri. Por edhe pse ky zhvillim i fortë ka qenë këto dy ditë kryefjalë e medieve shqiptare, askush nga gazetarët aty nuk e pyeti se ku i ke provat, ose përse nuk i dorëzon në institucionet e drejtësisë shqiptare apo ato amerikane!

Sali Berisha është mësuar që të hedh akuza monstruoze penale e deri morale për këdo që ai e konsideron armik e kundërshtarë, pastaj i fut një gotë me ujë në konferencën e radhës dhe kalon te armiq dhe akuza të tjera.

Ndërkohë mediet shqiptare, vazhdojnë që ta trajtojnë atë si një specie të rrallë e mbrojtur me ligj e cila mund të bëjë dhe të thotë çfarë të dojë, pa mbajtur asnjë lloj përgjegjësie të paktën publike dhe morale.

Por problemi më i madh nuk është ky. Sali Berisha dhe ndjekësit e tij në një lëvizje politike ende ilegale, vazhdojnë që të trajtohen dhe emërtohen nga gati të gjitha mediet si kryetari, deputetë dhe eksponentë të PDSH. Foltorja e tij nuk njihet nga gjykatat shqiptare, nuk është e regjistruar si PDSH në regjistrin e partive, nuk u njoh nga Kolegji Zgjedhor dhe në fund as nga KQZ e Celibashit.

Në emër të Partisë Demokratike, ai ka sulmuar dhe vazhdon të sulmojë e të akuzojë ambasadorët e SHBA dhe Britanisë së Madhe. Në emër të PD ka sulmuar Sekretarin e Shtetit Blinken dhe institucione të tjera të Departamentit të Shtetit. Në emër të kësaj partie, së bashku me forcën që drejton ortaku i tij Ilir Metaj, ai sulmon çdo ditë drejtësinë e re dhe posaçërisht SPAK-un si investime direkte të SHBA dhe perëndimit.

Së bashku me një tabor ndjekësish, ata dalin pa pushim në mediet shqiptare dhe flasin për një Amerikë të cilën mund ta korruptojë edhe Rama me Duçkën dhe Nezën. Sulmojnë investimet amerikane në Shqipëri dhe tashmë kanë krijuar për herë të parë jo një “celulë”, por një front të hapur anti-amerikan, i cili ka nga pas një infrastrukturë të fuqishme financiare, biznese, mediet dhe analistët e vetë.

PD e cila u mbulua që në djep me flamurin shqiptarë dhe atë amerikan, tashmë falë përdorimit që po i bën emrit të saj Sali Berisha dhe ndjekësit e tij në betejën “anti-nongrata”, sa vjen dhe po perceptohet si forcë politike më shumë anti-amerikane, se anti-regjimit Rama.

Deri këtu nuk ka asnjë problem. Berisha është në misionin e tij personal e kushedi çfarë tjetër. Tashmë problemi i vërtetë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, qëndron pikërisht te këta që përfaqësojnë PD-në zyrtare, të cilën e mbështet politika perëndimore.

Si ka mundësi që edhe pse çdo zyrtarë i lartë amerikan kur flet për Shqipërinë deklaron, se PD-në legale pa Berishën e kanë aleat strategjik; se sikur edhe vetëm 5 vetë të mbeten te ajo parti ata vetëm atë njohin, kurse lidershipi i saj ende kompleksohet dhe ka frikë nga Berisha?!

Si ka mundësi që kur “nongrata” del në emër të PD-së dhe sulmon pa fakte ambasadoren e SHBA, pra vetë Presidentin dhe Departamentin e Shtetit, ata heshtin?!

Nuk e bëjnë dot një deklaratë zyrtare dhe të thonë, se distancohen nga këto akuza të paprovuara që bëhen në emër të partisë që drejtojnë ligjërisht?!

Si ka mundësi që nuk i dërgohet një shkresë zyrtare të gjitha medieve shqiptare, ku tu kërkohet që të zbatojnë statusin ligjor të partisë që drejtojnë me emrin PDSH dhe të ndalojnë emërtimin e lëvizjes ilegale të Berishës si “PD” dhe të vetë Berishës si kryetar i saj?!

Berisha është në rregull me misionin dhe strategjinë e tij siç e thamë. Edhe kur akuzon dhe linçon pa fakte Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn, apo këdo tjetër në PD që nuk i bindet, ai në fakt as e ka fare me ata. E ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përkrahin dhe njohin PD-në e tyre dhe jo atë të tij.

Kaq e thjeshtë është situata, por nëse vazhdojnë kështu me këtë frikë dhe kompleks që kanë për tu distancuar në çdo qelizë nga Berisha dhe fronti i tij anti-amerikanë, atëherë më mirë le të shkojnë në rresht te Foltorja, ose të shohin punët e tyre personale dhe të mos marrin në qafë demokratët dhe shqiptarët që janë shumicë, si pro-amerikanë dhe pro-perëndimorë.

Ose të vrasin përfundimisht Berishën që kanë brenda tyre, ose të distancohen nga aleati strategjik i PD që kur lindi. Dhe ai është SHBA dhe perëndimi. Tani po kuptohet qartë se përse Lulzim Basha nuk e hodhi në votë te forumet e larta të kësaj partie përjashtimin e Berishës pasi SHBA e shpalli “armik”, por e mori vetë përsipër me tagrin e kryetarit!

Por pas 1 viti e gjysmë, rrugë të mesme nuk mund të ketë më sepse demokratët dhe shqiptarët që i përkrahin, nuk janë budallenj. Amerikanët dhe perëndimorët, jo e jo!/Alfapress.al

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128