A janë edhe kandidatët dhe deputetët e Berishës “nongrata”?

5 Prill 2023, 15:25 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

A janë edhe kandidatët dhe deputetët e Berishës

Nga media zyrtare e Departamentit të Shtetit, përfaqësuesja direkte e presidentit të SHBA në Tiranë, ambasadorja Yuri Kim, u distancua edhe njëherë nga personat “nongrata”, të cilët vendi i saj i ka vulosur si eksponentë të korrupsionit dhe minues të demokracisë shqiptare.

Me sa dimë zyrtarisht deri më tani ata janë Sali Berisha, Vangjush Dako, Aqif Rakipi dhe Tom Doshi.

Për damkën politiko-penale- amerikane ndaj Sali Berishës, te Blinken fillimisht kishte paguar Soros dhe Edi Rama me ndihmën e Lulzim Bashës. Pastaj Soros u harrua dhe tani na ka dalë se korruptimin e Amerikës e ka bërë McGonigal, Edi Rama, Agron Neza, Dorian Duçka dhe padyshim, sërish me ndihmën e Lulzim Bashës.

Deklarata e Kim u bë në me rastin e zgjedhjeve të 14 majit duke ju bërë thirrje shqiptarëve, që të mos votojnë kandidatët që mbështeten nga këta eksponentë, të cilët vazhdojnë që të jenë faktorë politik dhe ndikues te vota.

Edi Rama vetëm kur i dërgon mesazhe të koduara ja përmend këto kohë “nongratën” Sali Berishës, kurse ky nuk guxon fare që të zërë në gojë Vangjush Dakon, Tom Doshin dhe Aqif Rakipin. Pra Rama dhe Berisha janë në një tavë dhe të gjithë bashkë po bëjnë sikur luftojnë për të “fituar” zgjedhjet e radhës, duke bërë sikur “nongratat” e tyre nuk ekzistojnë.

Në fakt të gjithë bashkë nuk janë “në zgjedhje”, por vetëm në aksionin e radhës për ti rezistuar projektit të perëndimit për Shqipërinë dhe drejtësisë së re.

Le të ndalemi pak te opozita Berisha-Metaj, sepse Rilindja e Edi Ramës ashtu siç deklaroi vetë ai, është në statusin; “Paç fatin e Erion Veliajt”.

Të 61 kandidatët e primareve aktualisht po garojnë në logon e koalicionit, “Bashkë fitojmë”, i cili ka për shefa politikë Sali Berishën dhe Ilir Metajn. I pari Non Grata nga SHBA- Britania e Madhe dhe me hesape të rrethit më të afërt në SPAK, (familjarë dhe bashkëpunëtorë kur ishte në pushtet), kurse i dyti i izoluar nga Perëndimi dhe me disa procese po në SPAK.

Kandidatët dhe deputetët që janë rreshtuar pas tyre, po bëjnë sikur ky fakt nuk ekziston. Po hiqen sikur janë individë të cilët kanë vetëm hallin e rrëzimit të pushtetit lokal të Edi Ramës dhe se si do të rregullojnë punët e bashkive ku sfidojnë.

Askush nga ata nuk guxon që të distancohet nga sulmet e egra të Sali Berishës ndaj SHBA dhe nominalisht, ndaj ambasadores së tyre në Tiranë. As ata dhe as deputetët të cilët i janë bashkuar në betejën e tij anti-nongrata dhe anti-drejtësi, nuk kanë një mendim publik të vetin për këtë çështje. As nuk dalin dhe të thonë; po Berisha ka të drejtë, as nuk i kërkojnë fakte, e madje nuk guxojnë që të shprehen “as mish as peshk”.  

Nuk marrin guximin që të flasin me gjuhën e Berishës, por njëkohësisht me heshtje miratojnë sulmet e tij ndaj SHBA dhe Britanisë së Madhe. Madje edhe kur janë në një sallë me atë, se në krah nuk i qas.

Kjo është arsyeja pse edhe përfaqësuesit e BE në Tiranë, nuk e takojnë. Do të ishte një pranim në heshtje i anti-amerikanizmit të tyre, edhe sikur të gjendeshin në një ambient të përbashkët.

Kandidatët e primareve, deputetët e Foltores e madje edhe ca kokrra të PD-së zyrtare, vazhdojnë e bëjnë sikur kjo situatë nuk ekziston. Në fakt vetëm po fshehin pas gishtit elefantin “nongrata”, të damkosur për korrupsion madhorë dhe zjarrvënës të demokracisë shqiptare dhe të vetë Partisë Demokratike.

Po hiqen në këtë fushatë, sikur nuk janë produkte dhe bashkëpunëtorë të armikut të Amerikës. Madje janë aq pa shtyllë kurrizore, sa për merak të Berishës nuk guxojnë që të zënë emrat e “nongratave” të Ramës të cilët janë faktorë kryesorë te vota “kundër” tyre, të paktën në Shkodër, Elbasan, Durrës dhe Tiranë.

Igli Cara ka frikë tu thotë dursakëve se Vangjush Dako është “nongrata”, edhe pse e di gjithë qyteti që ai është koka e mbledhjes së votave në bashkinë që synon.

Të njëjtën gjë nuk e bëjnë dot kandidatët Bardh Spahia në Shkodër, Luçiano Boçi në Elbasan dhe Belind Këlliçi në Tiranë, për Tom Doshin dhe Aqif Rakipin. Të gjithë e dinë se janë të deleguarit kryesorë të Edi Ramës që me çdo mjet korrin vota për kandidatët e tij, por nuk i sulmojnë dot si të shpallur “nongrata”, pikërisht për krim zgjedhor e të tjera. Pra Berisha i ka katandisur deri aty sa as kundërshtarët e tyre në zgjedhjet ku synojnë të bëhen kryetar bashkish, nuk i denoncojnë dot, se mos u mërzitet Sali Berisha i cili ka të njëjtin hall.

Tani këta dhe 58 të tjerët nëpër Shqipëri, na dalin dhe na thonë që përfaqësojnë veten dhe janë kandidatë të demokratëve dhe të qytetarëve anti- regjim. Mund ti justifikosh për 1001 gjëra se përse janë pozicionuar aty ku janë, por nuk kanë pse bëjnë kot më kot sikur e fshehin Sali Berishën në fushatë, kur ai del nga 5-6 herë në ditë si kryetar i tyre dhe sulmon në front SHBA dhe SPAK.

Më shumë do të respektoheshin nëse dalin hapur dhe thonë: Po ne jemi kandidatë të “nongratës” dhe ushtarë të kauzës së tij anti-amerikane dhe anti-drejtësi!

Ata vetë personalisht, (dhe kushdo që ndjek Berishën apo flirton me atë), ndoshta janë burra dhe gra të mira. Nuk kanë si Berisha dhe Metaj fatura të së kaluarës për të paguar dhe nuk kanë probleme me SHBA dhe perëndimin, por shefa politik dhe jo vetëm, kanë pikërisht ata të dy.

Prandaj nëse vë në punë logjikën më minimale, edhe pse personalisht nuk kanë mandata “nongrata”, politikisht dhe përball shqiptarëve janë njësoj si Sali Berisha. Non Grata dhe pikë. Do ishin më të ndershëm dhe të respektueshëm, nëse dalin e kërkojnë vota pikërisht me këtë status politik.

Se edhe pse po fshihen si struci në rënë, kujdeset vetë Sali Berisha që tua kujtojë atyre, shqiptarëve dhe perëndimit, se vërtet janë kandidatë e deputetë, por janë edhe ushtarë të kauzës dhe luftës së tij anti-amerikane!/Alfapress.al 

 

Po ndodh...

ide