PD nuk do të bëhet më kurrë strehë e korrupsionit, punizmit, “nongratave” dhe bunker antiamerikan!

19 Maj 2023, 12:36 / EDITORIAL NGA LULZIM BASHA*

PD nuk do të bëhet më kurrë strehë e korrupsionit,

Është një kënaqësi t’ju shoh sot të gjithë bashkë, në një ditë ku kemi shumë për të thënë, e cila në këtë ditë reflektimi, bashkimi dhe vendimi për të zgjedhur të bashkuar rrugën e të ardhmes.

Nuk jemi mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit, por për të thënë disa të vërteta që për shumë gjatë nuk i kemi shqiptuar, apo vetëm i kemi belbëzuar.

E di që disa mezi presin t’i dëgjojnë, e di po ashtu se disa të tjerë mund të mërziten prej tyre. Por sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës.

Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër. Që ne të bëhemi bindës për shqiptarët, që ne të rikthejm besimin e shqiptarëve tek Partia Demorakatike, duhet të guxojmë tu themi atyre se “si do jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër”. Ky është një akt i madh i guximshëm, pasi do të na duhet ta provojmë sot se çfarë do Shqipëria.

Dhe ne do tua provojmë. Do të jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj, duke mos lejuar në rradhët tona dhe në ekipet drejtuese të PD, njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare. Dhe duhet të biem dakord sot për këtë standart i cili do të përfshijë këto kategori. Nuk do të lejojmë në stukturat drejtuese të PD njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme të shqiptarëve që ka qenë diktatura komuniste. Historia e genocidit komunist në Shqipëri, nuk do gjejë kurrë jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim dhe atë parti. Si do të jetë PD sot, do jetë Shqipëria nesër.

Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz të inkriminuar, në çfarëdo veprimtari kriminale gjatë këtyre tridhjetë viteve, që janë bërë objekt i dënimeve penale, për krime ndaj qënieve njerëzore, krime ekonomie, vepra penale apo përfshirje në organziata kriminale. Dhe këto jo vetëm për që do bëhen të zgjedhurit e popullit shqiptar por dhe të zgjedhurit brenda PD. Si do të jetë PD sot, do jetë Shqipëria nesër.

Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD duhet të jetë garancia e shqiptarve që do të jetojnë në një vend me sytë mendjen dhe trupin në Perëndim. Si do tëj jetë PD sot, do jetë Shqipëria nesër.

Mblidhemi sërisht në këtë sallë, pak muaj pasi të gjithë bashkë ngarkuam njëri-tjetrin me përgjegjësinë për të cuar përpara përballjen me kundërshtarin tonë politik, të vendosur për të mos hequr dorë nga detyra që na besuan qytetarët, atë për ndryshimin, që pengoi egërsisht nga masakra zgjedhore. U mblodhëm në 17 korrik, por u mblodhëm me një gur në zemër dhe një nyje në fyt.

Personit që mes nesh i kishim vendosour mbi supe më shumë spaleta, atij që i kishim shtruar për gati tre dekada rrugën me lavdërime, ju var mbi karrierën e gjatë politike, cilësimi non – grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pezmi ishte i madh. Pse ne dhe pse tani? Ishin pyetjet që mbizotëronin mes nesh.

Është e vështirë të shpjegohen me fjalë, aq më tepër një trupe politike që ka emocionet e saja në lidhje me këtë çështje, përgjegjësitë që lindin në raste të tilla. Jo për shkak të vështirësisë të vendimmarrjes, por për shkak të pasojave që ato prodhojnë te njerëzit.

Në rastin tonë, mençuria për të njohur diferencën midis gjërave që duhet të pranojmë dhe atyre që mund të ndryshojmë, ishte fare e qartë. Përballë historisë tonë, të partisë që ribashkoi Shqipërinë me Perëndimin, që ka shënuar arritjet më të mëdha në raport me aspiratat tona kombëtare, në procese ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë jetike, në një marrëdhënie vlerash të sanksionuar në kushtetutën e partisë tonë, shtegu, ndonëse i vetëm dhe i ngushtë, ishte i qartë.

Duhej mbrojtur Partia Demokratike, investimi i demokratëve dhe i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë! Dhe atë ditë ku mora atë vendim, nisi një marshim i ngadaltë dhe i pashmangshëm drejt kuvendit ku jemi mbledhur sot. Midis 9 shtatorit dhe 18 dhjetorit rreth partisë sonë kanë ndodhur ngjarje, akte dhe procese të pashembullta, të pa ngjara me parë, që i japin këtij kuvendi statusin e një date të dytë historike pas themelimit të Partisë Demokratike si partia e shpresës së shqiptarëve, si partia Euro-Atlantike, si partia e rilidhjes së Shqipërisë me perëndimin pas 45 vitesh të perdes së hekurt të komunizmit barbar shqiptar.

Kjo datë e dytë, po aq e rëndësishme, ky akt i dytë, ky kuvend, është dhe duhet të jetë kuvend i afirmimit të proamerikanizmit dhe pro euro-atlantizmit pas një periudhe keqkuptimesh, konfliktesh, paqartësish, kundërveniesh apo problemesh me aleatin tonë strategjik, të cilat kulmuan me pezullimin nga grupi parlamentar i ish-Kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Pas shpalljes së tij non grata për korrupsion madhor dhe pengim të demokracisë, ne jemi përballur me një fushatë të pashembullt, të pa principtë.

Jemi përballur me një fushatë në kufinjtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ultat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh për ta detyrur PD të hyjë në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të Sali Berishës. Më takonte mua të merrja mbi vete peshën e atij vendimi, të kthesha në rrufepritëse të akuzave që vërshuan dhe vërshojnë si lum, më takonte mua të lidhesha pas direkëve e të mbyllja veshët me dyll, që të mos dëgjoja këngën e sirenave, që sot janë një orkestër e madhe e mirëpaguar, e dirigjuar për të më denigruar mua dhe ekipin tim, e cila kishte vetëm një funksion, shmangien e të vërtetës.

Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë. Drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët, duke i trazuar shpirtrat e tyre të lënduar nga padrejtësia e 25 prillit, në interes të një personi, dhe të atyre që kurdisin mërinë e tij, duke e dëmtuar kështu Partinë Demokratike.

Por unë nuk mund ta pranoja këtë, ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është pasuri e demokratëve, të cilët kërkojnë vetëm një gjë, fitoren. Dhe fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një non grata në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në non grata, për ta hir të fatit personal të një personi kushdo qoftë ai. Pandaj çfarë ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon. Dhe ne sot zgjedhim të na ndryshojë për mirë. Ndaj edhe ky Kuvend i jashtëzakonshëm zhvillohet si një akt i vetëdijshëm dhe i një përgjegjësie të lartë nga ana e Partisë Demokratike dhe e imja personalisht, për një moment shumë jetik, thelbësor, dhe pa të dytë në historinë tonë si parti politike.

Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare, dhe pa asnjë diskutim i takon të jetë aty ku Shqipërisë dhe shqiptarëve ju takon të jenë, te pozita e natyrshme në qytetërimin perëndimor. Ky Kuvend i jashtëzakonshëm, mblidhet për të vendosur më qartë se kurrë: 

-a do të zgjedhim të ardhmen;

-A do të zgjedhim të heqim nga supet e Shqipërisë dhe shqiptarëve, zgjedhën e sundimit  të  njëshave, zgjedhën e sundimit të kastës tridhjetvjeçare, që ka marrë peng demokracinë për interesat e pushtetit dhe pasurisë marramendëse që kanë grumbulluar në rrugë të paligjshme e kriminale, zgjedhën e pandëshkueshmërisë që për turpin e tyre e kanë ngritur në sistem, për për të përjetësuar  pushtetin e pak njerëzve;

-A do të zgjedhim bashkudhëtimin tonë të pandalshëm e fatlum me aleatët dhe miqtë tanë të çmuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Europian, që si asnjëherë tjetër më parë kanë vendosur dhe po veprojnë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët,  për t’i çliruar nga  sundimi i tmerrshëm i oligarkëve politikë dhe ekonomikë dhe për të rimarrë, më hovshëm se kurrë, kursin e demokracisë normale të vlerave;

-A do të zgjedhim këtë betejë, këtë shans që nuk vjen shpesh?

-Me një fjalë tjetër të vetme, a do të zgjedhim fitoren?

-Apo do të zgjedhim  të shkuarën?

-Apo do të zgjedhim nënshtrimin?

-Apo do të zgjedhim humbjen e busullës nga u nisëm në dhjetor të vitit 1990?

Kjo është një zgjedhje politike dhe atdhetare, një zgjedhje mençurie dhe largpamësie, një zgjedhje mirënjohje dhe besnikërie ndaj ëndrrës shekullore dhe popullore shqiptare për Shqipërinë si Europa, për Shipërinë në miqësi të përjetshme me SHBA.

Kjo zgjedhje është për ne si Parti Demokratike dhe është për Shqipërinë. Ndaj jo vetëm sytë dhe mendjet e anëtarëve  dhe simpatizantëve të PD-së, por edhe sytë e mendjet e  shumicës së shqiptarëve janë drejtuar sot nga ky Kuvend. Në emrin tuaj më lejoni t’u them të gjithëve: nuk do t’ju zhgënjejmë. Ne do të zgjedhim të ardhmen. Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të zgjedhë të ardhmen.

Partia Demokratike e Shqipërisë do të zgjedhë të ardhmen. Disa harrojnë, disa bëjnë sikur harrojnë, e të disa bërtasin që të tjerët të harrojnë, se kush jemi ne.

Ne jemi partia e idealeve demokratike të Lëvizjes studentore, rinore, intelektuale dhe popullore e dhjetorit 1990, që ktheu Shqipërinë me fytyrë nga Perendimi, që caktoi njëherë e përgjithmonë përkatësinë e vendit dhe kombit tonë në familjen e tonë të natyrshme europiane dhe euroatlantike.

Kjo nuk ndryshon.

Kjo nuk do të ndryshojë.

Shqiptarët, të djathtë, të majtë e pa parti, e dinë se megjithë vështirësitë ku ndodhen, gjithçka të mirë që kanë, e kanë pikësëpari falë hapjes perendimore të vendit, falë lirisë, falë demokracisë, falë vlerave që bashkëndajmë me familjen  e kombeve të lira, falë anëtarësisë në NATO dhe udhëtimit drejt anëtarësimit në BE. Udhëtimi ynë krah për krah me vendet e Perendimit përbën ngjarjen më fatlume e më të ndritshme të historisë tonë. Si formacioni politik që i ka prirë këtij kursi, PD ekziston për ta mishëruar me sjellje dhe me vepra  ketë aleancë të shenjtë.

Kriza që po përjeton këto muaj Partia Demokratike shpërtheu në datë 9 shtator, pas vendimit tim për pezullimin e Sali e Berishës. Por kjo krizë nuk lindi atë ditë, ajo ka një parahistori  që  lidhet me raportin e Sali Berishës me Partinë Demokratike, të cilën e konsideron  pronë private, me bashkëputorët e tij të cilët i konsideron kukulla, me demokratët e thjeshtë të cilët  po tregon se i konsideron numërorë topi për interesat e hallet e tij.

Kjo është kriza “Berisha”, që  ka vegjetuar gjatë në trupin e PD-së në  formën dhe përmbajtjen e kulturës të linçimit dhe terrorizimit të kundërshtarëve dhe mendimit ndryshe,  nga e cila ai nuk arriti të shkëputej kurrë. Kjo ndoshta mund të na jetë dukur e përshtatshme për disa kohë, madje edhe e volitshme atërherë kur batareja zbrazej drejt kundërshtarëve tanë, por kjo na ka armiqësuar për shumë gjatë me nje pjesë të madhe të popullsisë.

Kjo krizë shpërtheu ditën kur unë mora vendimin. Xhindosja e tij zbuloi të vërtetën e hidhur se Sali Berisha bëri sikur iku në vitin 2013, por në fakt nuk iku kurrë. Kjo krizë zbuloi gjithashtu se xhindosja e tij nuk është me Partinë Demokratike, nuk është me mua, që jam pengesa që ai ta kthejë atë në një bunker kundër aleatit strategjik të shqiptarëve dhe kundër interesave të demokratëve, por xhindosjen e ka me SHBA-të. E gjitha kjo nuk është gjë tjetër vecse një mendësi e së kaluarës, një sedentim i mendësisë puniste që nuk mund të mos e shoqëronin në startin e saj demokracinë tonë të re.

Ne nuk jemi këtu për të bërë gjyqin e ndokujt, ne nuk jemi dogmatikë, as të ngushtë e të paditur që të mos e dimë se me të vërtetë, një sistem i urryer mund të shembet për pak ditë a pak javë, por shembja e mendësive të ngulitura për 50 vjet kërkon kohë. Aq me shumë në Shqipëri ku terrori sundonte territorin dhe individët, mendjet dhe shpirtrat, ku disidenca ishte e izoluar në burgje e kampe, ku liria merrte frymë me pipë në mjedise të ngushta, ku ndryshimet erdhën nga studentët dhe elitat e formuara brenda sistemit. Për ne mbeten të nderuar të gjithë ata që i dolën zot ndryshimit, ata të vijës së parë dhe gjithë shqiptarët që u bashkuan në rrugën e re.

Por mendësitë komuniste janë një mall toksik, ato nuk mund ta shoqërojnë nga një dekadë në tjetren drejtimin politik të partive dhe të vendit, nuk mund t’i shartohen kaq gjatë demokracisë. Sepse kjo është mënyra për ta vrarë demokracinë.

Ndaj edhe gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së. Dualizmit në përceptim dhe dualizmit real, kur ish kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e  kryetarit me protagonizmin  e tij. Faktet janë me qinda mijëra. Kushdo i ka parë.

Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë. Është përgjegjesia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur këtë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike.

Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre. Njohja e gabimeve është premisa e korigjimit të tyre. Në këtë kuvend të lirë, unë mbaj shënim me respekt për gabime të tjera nga diskutimet tuaja.  Dua të nënvizoj se kapërcimi i dualizmit përbën zgjidhjen  e një prej nyjeve  të krizës për të  cilën po flasim. Sot partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar.

Nga ana tjetër, ne caktuam një standart në qëndrimin tonë ndaj personave  që shpalleshin non grata nga SHBA: përjashtimin e tyre nga politika. Sepse përdorimi nga SHBA i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar në  Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit  aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Çfarë mund të bënin ne, çfarë mund të bëja unë kur goditja ra në shtëpinë tonë? Të shkelja standartin që vetë ne, të gjithë bashkë, nga i pari tek i fundit, përfshirë vetë Sali berishën e kishim vendosur, atëherë kur shpalljet non grata binin  mbi bashkëpunëtorë dhe aleatë të Ramës?  A nuk do të ishte ky kulmi i hipokrizisë para shqiptarëve?

A do të kishim fytyrë të përmendnim antikorrupsionin, a do të na besonte njeri, a nuk do të bëheshin shkrumb e hi si parulla bajate qëndrimet  e zotimet tona?

Sot, konflikti që Sali Berisha ka patur dhe po thellon dita ditës më shumë është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka më asnjë dyshim se e gjitha kjo na ka kushtuar shumë. I ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe çdo anëtari dhe votuesi të saj. 

Ndaj sot është dita, në këtë kuvend, që ne të ndahemi qartësisht nga kjo fazë e cila na ka kushtuar shumë, na ka rraskapitur, na ka lënë jashtë aksesit të pushtetit, na ka lënë jashtë institucioneve, ka ulur ndjeshëm shanset për të ardhur në pushtet, ka ulur ndjeshëm shanset për të realizuar projektet tona për zhvillimin e Shqipërisë dhe demokracisë Shqiptare.

Unë dua të shpall sot vullnetin tim, si kryetari i Partisë Demokratike, për mbylljen e këtij kapitulli të gjatë konfliktimi me partnerët tanë strategjikë. Partneriteti i plotë dhe pa dilema me SHBA, partnerin tonë strategjik që ishte në krahun tonë në betejën për përmbysjen e komunizmit dhe fitores së forcave demokratike, dhe mezi pret të jetë me ne deri në fitoren e ardhshme të PD në krye të qeverisjes së vendit, është në themel të PD-së, është në kodin gjenetik të PD.

Dhe nuk ka nevojë për asnjë votim, asnjë matje, asnjë konfirmim, për asnjë proces i cili mund ta vendosë atë në diskutim. Ky partneritet është i thjeshtë, i natyrshëm, i plotë dhe i thellë. Ne, nga sot, heqim çdo paqartësi lidhur me aleancën me SHBA. Jo vetëm se ky është interesi ynë strategjik, por sepse ne e besojmë këtë gjë. Euroatlantizmi ynë ka lindur me PD dhe si i tillë ai nuk mund të vihet në asnjë votim, në asnjë referendum dhe në asnjë proces.

Ne duhet të ndahemi qartësisht nga kundërvenia dhe të koordinojmë me aleatët tanë të gjitha ato akte, ato reforma, ato projekte të cilat synojnë reformimin e shtetit shqiptar, shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri, duke mirëpritur, konfirmuar dhe iniciuar çdo iniciativë që shkon në favor të interesit për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Shumë po spekullohet këto kohë me sovranizmin, duke riciklikuar koncepte  enveriste dhe populiste, të cilat shqiptarët i kanë vuajtur në kurriz si asnjë popull tjetër, dhe e dinë mirë që për ne sovranizëm përkthete në vetmi, izolim dhe varfëri. 

Natyrisht, kohët kanë ndryshuar, sovranizmi i këtyre zotërinjve nuk mund të jetë ai që ishte në Shqipërinë e mbyllur. Por pika ku takohen këta me të shkuarën komuniste është një: Përdorimi i sovranizmit për pushtetin e tyre personal, duke u dhënë partnerëve mesazhin “na lini në punën  tonë” dhe duke shpresuar se kështu mund të manipulojnë me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve që Shqipërinë e kanë mbi gjithçka.

Por demokratët dhe shqiptarët e dinë mirë se Shqipëria dhe Kosova janë të pavarura dhe sovrane vetëm brenda familjes euroatlantike. Është fati ynë si Shqipëri të jemi pjesë e kësaj Aleance. Urojmë e shpresojmë të jetë sa më shpejt fati i Kosovës gjithashtu.

Sovranizmi që po predikohet këto kohë, është në fakt mburoja për zullumet e atyre, që kanë për qëllim të zhvleresojnë shpalljet non grata, politikën amerikane, që tani është politika  e gjithë vendeve të NATO-s  kundër  korrupsionit, minimit të demokracisë dhe pandëshkueshmërisë.

A ka shqiptar që nuk e kupton këtë?

A ka shqiptar që do të donte të jetonte në regjimin e pandëshkueshmërisë “sovraniste” të kastes 30-vjeçare në pushtet?

A ka shqiptar që nuk e di se sovranizmi ynë është real dhe jetëdhënës sepse eshtë euroatlantik?

I ashtuquajturi sovranizëm i kastës 30-vjeçare, i mbështetur fuqishëm nga oligarkët dhe mediat e tyre, është kundër këtij roli të ndërkombëatrëve sepse ata duan të jenë rehat, të shijojnë siç kanë shijuar, të pasurohen me korrupsion sic janë pasuruar, të mbajnë në këmbë sundimin e tyre në kurriz të shqiptarëve që vetëm varfërohen.

Demokratët, ashtu si shumica dërmuese e popullti shqiptar, e duan dhe presin një rol edhe më aktiv të SHBA e partnerëve europianë kundër korrupsionit, që është plaga më e madhe sot për vendin.

Demokratët nuk janë e nuk mund të jenë të ndarë “sovranistët kundër SHBA ” në një anë dhe “proamerikanë kundër sovranistëve” në anën tjetër.

Të gjithë jemi sovranë e atdhetarë në një Shqipëri demokratike, euro-atlantike.

Partia Demokratike është e vendosur të përballet me këtë kastë që e do Shqipërinë të izoluar.

Partia Demokratike është e vendosur të përballet me këtë regjim që e do Shqipërinë pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Që shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton. Por Partia Demokratike nuk mund ta pranojë këtë kurrë. Ne jemi vendosur të përballemi me ata që prej dekadash besojnë se mbijetesa e tyre personale është më e rëndësishme se mirëqenia e popullit tonë,

Partia Demokratike është e vendosur në shkërmoqjen e trekëndëshit të Bermudës dhe prodhimit të saj të fundit politik, regjimit të Edi Ramës përmes masakrës zgjedhore.

Që ethshëm ka synuar të cënonte ekzistencën dhe qendrueshmërinë e Partisë Demokratike. Nuk ia kanë arritur, e nuk do ta arrijë kurrë, sigurisht falë shumicës së anëtarëve dhe delegatëve të partisë sonë të mrekullueshme, që janë sot në këtë sallë e jashtë saj.

Ne kemi pasur probleme të shumta, por krenohemi që jemi partia e Dhjetorit  ’90, që i ka i mbijetuar 31 viteve lufte të ashpra kundër saj, nga e majta komuniste apo nga kollona brenda nesh, deri te tentativat e të korruptuarve apo krimit të organizuar për të na dobësuar, për të na demoralizuar apo për të çfunksionalizuar Partinë Demokratike. Ne u kthyem fuqishëm me votat e shqiptarëve, ku pa asnjë pushtet, përballë masakrës zgjedhore, fituam zemrat e shqiptarëve dhe votën e vërtetë populore për ndryshim, pra një parti e madhe dhe e qendrueshme.

Qëndrueshmëria jonë as që mund të vihet në diskutim tashmë. Partia Demokratike është një realitet politik i konsoliduar që shikon vetëm nga e ardhmja.

Jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri por për të gjithë kombin tonë.

Që jo vetëm siguron qendrueshmërinë e PD, por edhe rritjen dhe zhvillimin e saj. Ne mund të humbasim një numër individësh, në një pakicë të papërfillshme, të cilët janë të brumosur, të indoktrinuar apo të lidhur me fije të ndryshme me interesat e së shkuarës, por ne do të fitojmë besimin e pjesës më të madhe të shoqërisë sonë, atë shumicë që beson si ne tek e ardhmja perëndimore e Shqipërisë. Ne do të fitojmë qytetarin normal shqiptar, votuesin civil, i cili do të ndërtojë këtu të ardhmen e tij. Ky transformin do ta më të besueshme dhe fitimtare, Partinë Demokratike, që lindi nga idealet më të mira të dhjetorit 1990, dhe që del më e pastër dhe më e forte nga ky Kuvend, gati për të zgjedhur të ardhmen.

Partia Demokratike, unë personalisht, bashkë me ju kemi një mision të ri. Këtë mision mund ta realizojë vetëm me ju, duke hequr çdo pengesë, duke sfiduar cdo vështirësi. Ne duhet ti japim fund këtij tranzicioni të gjatë dhe rraskapitës. Unë ju bëj një thirrje sot që të bashkojmë energjitë, forcat, ëndrrat, pasionet, kompetencën, kapitalet njerëzrore dhe politike për t’i dhënë fund tranzicionit.

Dhe ky kapitull mund të përmbyllet nëpërmjet shkallmimit të trekëndëshit të Bermudës dhe regjimit Rama, politikanëve më jetëgjatë, që kanë dominuar jetën politike të këtyre 30 viteve, nga majat e institucione të shqiptarëve. Që ndajnë përgjegjësi për varfërinë, mungesën e garës dhe tregut të lirë, për shpopullimin e Shqipërisë dhe stresin e qytetarëve që me padurim presin një dritë në fund të tunelit, përgjegjës për pengimin e intelektit shqiptar në këto tridhjetë vite për të shkuar përpara, përgjegjës për korrupsionin galopant, përgjegjës për lidhjet e politikës me krimin, përgjegjës për kulturën e hajnisë dhe shpifjes.

Ky vërtet është misioni im, i juaji dhe i Partisë Demokratike.Që ti japim fund tranzicionit duhen goditur arkitektët e kapjes së shtetit duke nisur nga regjimi në fuqi, ku cdo gjë është e kapur, nga ekonomia, tek institucionet dhe mediat. Ku vetëm fasada është demokratike dhe gjithë mekanizmi mbrapa është është korrupsion, ligësi, prapambetje. Shpërbërja e këtij trekëndëshi është misioni jonë i parë.

E që ky realitet i ri politik tek i cili po shkojmë, të na gjejë të përgatitur, ne duhet ti japim fund brenda nesh mendësisë së të shkuarës komuniste, shpifjes, lincimit, kultit të individit, konfliktualitetit, e të mos biem kurrë në retorikën e frymëzimit punist që nuk ka lidhje me të djathtën, që nuk ka lidhje me qytetarinë. Ne duhet të ndahemi nga kultura enveriste, manifestimin e të cilës në mënyrë sintetike e pamë si një film me xhiro të shpejtë këto 90 ditë, deri në tubimin e paligjshëm të 11 dhjetorit ku u krijua oragnizata e parë antiamerikane në hapësirën shqiptare.

E cila nuk ka si qëllim kthimin e demokracisë, por ngritjen e një muri për të penguar erën e re që po fryn nga perëndimi. Ndaj pa asnjë iluzion, na takon ne të prijmë përballjen me partinë shtet, me qeverinë më të korruptuar në Europë, na takon ne t’i presim fijet e krimit dhe paligjshmëritë që e kanë kthyer Shqipërinë në vendin më të varfër të kontinentit.

Nuk do të jetë një përballje e lehtë. Mos harroni se kanë kaluar 31 vjet dhe ata janë fuqizuar, ata kanë para, kanë prona, kanë kërcënimin dhe shantazhin dhe pak nga pak po avancojnë duke marrë territore në ekonominë legale, në media, në banka, në koncesione, në ekonominë e shqiptare. Por nga ana tjetër nuk kanë të drejtën me vete. E drejta është me qytetarët e lirë të këtij vendi që kërkojnë shpëtim. Ndaj ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ata në këtë përballje dhe të japim kontributin tonë sot në opozitë, për të shpërbërë edhe oligarkinë si formën e re të diktaturës politike dhe ekonomike, ku mungesa e lirisë ekonomike, pengon qindra mijra inciativa private që ndihmojnë zhvillimin, varros qindra mijëra ëndrra që duan të kontribuojne në këtë vend, dhe, mbi të gjitha, i heq vendit mijëra mundësi zhvillimi dhe lë në treg vetëm idete dhe interesat e një grushti të njerëzish.

Kjo situatë është e papajtueshme me shpirtin e lirë dhe sipërmarrës të shqiptarëve, është po ashtu e papajtueshme me vlerat tona, me idealet e themeluesve të Partisë Demokratike, që e donin Shqipërinë si gjithë Europa, dhe vijojnë ta duan edhe sot.

Unë dua t’ju flas sot për Partinë Demokratike si pasuri e antarësisë dhe jo pronë e një individi me mendësinë pas meje kaimeti. Jo, kiameti nuk do të vijë. Partia Demokratike nuk do t’i dorëzohet fatit të një një personi. Partia Demokraitke do të jetë e gjithë demokratëve, nga themeluesit te më i riu apo më e reja mes nesh. Për këtë kam qendruar i prerë në këtë periudhë, pa u zbrapsur edhe përballë individit me të cilin kam ndarë shumë vite bashkëpunimi. Sepse nuk bëhej fjalë për fatin e një njeriu, por për fatin e Partisë Demokratike, e për pasojë të të ardhmes së Shqipërisë. Luftova, dhe po luftojmë të gjthë bashkë, për normalitetin, që kjo parti të jetë një forcë politike që ngrihet mbi fuqinë e individëve që e përbëjnë, jo mbi fuqinë që individi që sundon një parti, që merr nga të tjerët, për të larësuar kultin e tij, deri në atë pikë sa të bëhet mbytëse për të ardhmen e saj.

Këtë normalitet kërkoj, dua të jem kryetari që punoj për t’i dhënë normalitetin Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. Dua të jem politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Dhe për të sjellë këtë normalitet, duhet ta paqtojmë Partinë Demokratike me shoqërinë, duke nisur nga shtresat që janë themelet e shtëpisë tonë, të përndjekurit dhe pronarët…Duke reflektuar me aktet dhe komunikmin tonë qytetarinë që kërkojmë t’i japim politikës, duke këmbëngulur në një model që është vendimtar në termat afatgjata për çlirimin e shoqërisë nga tensionet që i ngarkon asaj politika.

Kjo gjendje e Shqipërisë, që është e atrofizuar nga ndalimi i ndryshimit, nga ngërci politik dhe ekonomik që po e varfëron dhe zbrazë nga njerëzit më të mirë dhe krijues, kjo krizë e gjithanëshme është një mundësi për të hapur një kapitull të ri, sepse përsëri, si në 1991-shin, ndodhemi përballë një regjimi, të ndryshëm në formë, por të ngjashëm në qasjen përqëndruese. Dhe antidota e këtij regjimi janë vlerat tona.                                    Është shteti i vogël, liria e individit, ndarja e pushteteve, liria e sipërmarrjes, elementë që janë në genet e forcës tonë politike. Përmes tyre kemi shënuar arritjet më domethënëse që kanë ndryshuar për mirë jetën e shqiptarëve në të shkuarën, dhe janë po këto vlera me të cilat ne do të arrijmë ndryshimet më thelbësore për familjet shqiptare në të ardhmen. Vizioni ynë është demokracia përfaqësuese dhe pjesëmarrja  e gjerë e  anëtarëve  të partisë, e qytetarëve , e intelektualëve, e spacialistëve, e sipërmarrësve  dhe grupeve  të interesit në  ndërtimin e alternativës me të mirë, e  zgjidhjeve   më të mira.

Platforma qytetare për demokracinë, që u pengua nga zhvillimet e pas 9 shtatorit, do të marrë javët dhe muajt në vijim dimensionin e saj të plotë, dhe sot do ta sanksionojmë në statut përmes Aleancë Qytetare për Demokracinë, për t’iu përgjigjur sfidave të shoqërisë dhe në bashkëpunim me shoqërinë, për të cliruar ekonominë dhe për cuar përpara ndryshimet kushtetuese,  duke nisur konsultimet me grupet e interesit, pasi në asnjë moment nuk mund të përsërisim gabimet e vitit 2008.

Dhe që të kemi demokraci, institucione të forta, ekonomi të lirë, pra themelet të sigurta të shoqërisë sonë, duhet më së pari të ndalojmë pengesën kryesore, korrupsioni. E kam thënë më parë, e përsëris sot, se misioni im dhe i PD është lufta kundër korrupsionit, që ashtu si dekriminalizimi – është jetike për Shqipërinë. Kjo është beteja jonë parimore, të cilën e kemi imponuar edhe brenda radhëve tonë, duke kërkuar largimin e njerëzve të lidhur me krimin, e atyre që kanë abuzuar me pushtetin, duke mbajtur një qëndrim moral, në një kontrast të qartë me kundërshtarët tanë, pasi si do të jetë Partia Demokratike sot, do të jetë Shqipëria nesër. 

Ndaj edhe vjimin e betejës për vijmin e këtij misioni, ne kemi kërkuar vetingun e politikanëve, që është një mjet për të pastruar politikën nga korrupsioni – i cili është armiku i mirëqenies së shqiptarëve. Dhe në këtë përpjekje për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, monopoleve, krimit të lidhur me politikën, unë dhe Partia Demokratike do të mbështesim drejtësinë që kanë filluar të jap shenjat e para në goditjen e korrupsionit në nivele të larta, duke konfirmuar se betejat tona, si në rastin e inceneratorëve, ishin të drejta dhe në shërbim të qytetarëve.

Ashtu siç do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë me luftën e pakompromis kundër korrupsionin galopant të qeverisë Rama, që është sot qeveria me e korruptuar ne Europë. Dhe për ta ndarë në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të ardhmen nga e shkuara, ne jemi të vendosur ta luftojmë korrupsionin brenda vetes, për të ecur përpara dhe për të sjellë një ndryshim real për shqiptarët.

Fatkeqësisht të gjithë në këtë sallë dhe jashtë saj e dimë se ish-qeverisja e PD ka patur pjesën e saj në këtë plagë të madhe për gjithë shoqërinë!!! Dhe sot dua të deklaroj këtu para jush se për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës!!! Ne nuk jemi të gjithë njëlloj. Boll më! Ne sot do ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për ti ikur përgjegjësisë.

Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë, faji i tyre është personal dhe nuk mund të ndahet! Ndërsa ata që i vuajnë pasojat e këtij abuzimi janë vuajtës!

Kjo është një ditë e mirë për të parë brenda vetes, për të reflektuar mbi atë që ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi. Ky refelektim, që në disa aspekte të tij është i vonuar, është njëkohësisht i destinuar të udhëheq rrugën përpara, të na bashkojë brenda radhëve tona, të na afrojë me shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha për të na vendosur përballë regjimit me një kontrast të thellë.

Ky kontrast është më në fund i mundur, pasi përballë kemi një kundërshtar që ka mbi supe përgjegjësi të tmerrshme për atë që i ka bërë këtij vendi, që ky regjim e ka krimbur në korrupsion, duke e shndërruar në një djerrinë shpresash dhe aspiratash. Por tani ka përsëri një shpresë, dhe ajo jeni ju ajo jemi ne ajo është Partia Demokratike.

Ju demokrate dhe demokratë guximtarë, që keni zbritur pa u kursyer në fushëbetejë sa herë historia ju ka thirrue të veproni, jo për hesape të vogla, as për interesa peronale, por për të qenë gardainët e interesave të shqiptarëve. Ju demokrate dhe demokratë që me sakrificat tuaja, i keni dhënë mundësinë Partisë Demokratike të shkruaj faqet më të ndritura të 31 viteve të fundit, të shënojë arritjet më të mëdha në shërbim të shqiptarëve. Sot, të shpenguar nga kostot dhe gabimet e të shkuarës, ju jeni alternativa më e pastër, shpresa më e bukur, që shqiptarët kanë për ndryshim.  Ju jeni forca morale, që ndryshimin nuk e kërkon me mjetet e të keqes, por me vlerat me të cilat u mbrujtëm për dekada me radhë dhe na bëjnë krenarë që t’i themi vetes demokratë.

Ne na ra shorti të jetojmë një periudhë të vështirë kur po tentohet vënia në pikpyetje e demokracisë përmes minimit të saj, duke dashur ta tregojnë të dobët e të mbaruar përkundrejt regjimeve autokratike-totalitare, që nuk bëjnë zgjedhje të lira, që kontrollojnë lirtitë dhe i shtypin ato.

Vendet e lira të Perendimit dhe mbarë botës janë bashkuar për mbrojtjen dhe rikthimin   në piedestal me gjithë vitalitetin e saj të pashterrshëm të pasurisë më të madhe politikë që të njerëzimit që është demokracia. SHBA i prijnë kësaj aleance fitimatare. Partia Demokratike është krenarisht pjesë e saj. Partie Demokratike i prin këtu në Shqipëri mbrojtjes së demokracisë nga çdo formë e minimit të saj.

Demokracia do vazhdojë të jetë e para, do të vazhdojë të jetë ylli polar për ne. Ky është horizonti i ri që hapet si asnjëhërë tjetër për fitoren tonë.Partia Demokratike është thirrrur përsëri në skenën  e kohës për të hapur një faqe të re të përparimit, zhvillimit, punës, mireqënies, dinjitetit, kulturës, rifitimit të shijes së të jetuarit, forcimit të  lidhjeve  fizike e shpirtërore të  çdo shqiptari me  atdheun, me Shqipërinë. Fitorja jonë është e shkruar në vendosmërinë për t’i bërë fjalët akte, vepra. Për demokratët, përfshirë ata që dëshpërimi u ka errësuar përkohësisht gjykimin, për qytetarët dhe me qytetarët shqiptarë, në marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe BE.

Ne do të ecim në këtë rrugë.

Ne do të zgjedhim të ardhmen.

Rroftë Partia Demokratike.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

*Fjalimi i plotë i Lulzim Bashës në Kuvendin e 18 dhjetorit 

 

 

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128