Përqafimi i fundit mes Ramës, Berishës dhe Metajt!

31 Janar 2023, 15:46 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Përqafimi i fundit mes Ramës, Berishës dhe Metajt!

Konkluzioni, “Rama- Berisha- Metaj janë bashkë”, tashmë është bërë bajat. Vetëm po të kesh trurin dhe logjikën e një majmuni që ngatërron bananen plastike me atë të pemës, mund ta besosh ende të kundërtën. Por nuk mendoj se kanë mbetur akoma shumë të tillë mes demokratëve e socialistëve dhe aq më pak, mes shqiptarëve në përgjithësi.

Nuk janë më konspiracione dhe legjenda urbane, interesat e tyre të përbashkëta ekonomike dhe financiare. As oligarkët, Mane, Kastrati, Ulaj, Fusha, Salillari etj, ku janë direkt apo nëpërmjet “të tretëve” aksionierë. Edhe Bankën e Shqipërisë ku Olsi Rama me Gaz Demin kryejnë “operacione financiare speciale”, bashkë e kanë, nëpërmjet Gent Sejkos, Ridvan Bodes e Anastas Angjelit.

Bashkë kanë mediet më të mëdha dhe analistët të cilët e bëjnë çorbë opinionin publik, herë te njëri emision “prime time”, e herë te tjetri. Bashkë luftuan dhe sabotuan sa mundën Reformën në Drejtësi dhe bashkë i zgjatën duart te Vettingu e deri te SPAK.

Por mbi të gjitha janë bashkë brenda strategjisë për të shkatërruar demokracinë dhe veçanërisht rrugën penale që ka nisur për të hetuar dhe çuar në Gjykatën e Posaçme bëmat e tyre korruptive, gjatë pushtetit 32- vjeçarë që kanë ndarë me njëri tjetrin.

Shihni se si po sillet Sali Berisha me lakun që i ka shtrënguar keqas fytin, Edi Ramës, për “Çështjen McGonigal” të hapur në SHBA. Pikërisht kur kryeministri është kapur gafil jo vetëm duke investuar shkatërrimin e opozitës dhe të Lulzim Bashës, nëpërmjet korruptimit të një zyrtari të lartë të FBI, Berisha me një epizëm të çuditshëm tenton që të devijojë çdo gjë.

Shkon dhe prish një seancë parlamentare duke zënë foltoren dhe ulëritur përçart, ndërkohë që me qetësi duhej që të bënte atë që bën një opozitë parlamentare funksionale; procedurën për një interpelancë urgjente me kryeministrin e kapur në flagrancë. Pikërisht atë që bëri PD zyrtare “e shitur te Rama”. Prish seancat dhe nuk lë asnjë zë logjik nga opozita, që të flasë. Na ka marrë malli të dëgjojmë në parlament për shembull, Dash Shehin, por ku të lë Berisha.

Pas kësaj nis dhe shpërndan fantazira për çështjen “Rama- McGonigal”, duke shpërqendruar dhe mbuluar me tymnajë thelbin e skandalit, i cili në fakt gjendet në akt-padinë e dorëzuar nga prokurorët amerikanë në gjykatën e Uashingtonit, por edhe te ajo në Nju Jork për koncesionet ruse në Shqipëri. Flet për ishuj ku është rrëmbyer e pyetet Edi Rama nga agjentë të FBI, në vend që të bënte atë që bëri Gaz Bardhi në emër të PD-së; Të çonte kallëzim në SPAK, i cili për befasinë e Berishës u pranua.

Më e bukura është që në vend që të bëjë një “mea culpa” për rezonancën e plotë që pati me Edi Ramën për të sulmuar Lulzim Bashën me çështjen e fabrikuar, “Rublat ruse në PD”, (me të cilën mashtroi dhe mbajti gjallë gjithë lëvizjen për të uzurpuar partinë), ai vazhdon dhe e sulmon sërish bashkë me Metaj- Kryemadhin. Kjo e fundit ka dalë e thotë nëpër intervista, se McGonigal donte "të varroste" Ilir Metajn në fakt!

Kur hesht Lulzim Basha, i cili po duket se nuk kërkon që të trazojë edhe më shumë demokratët e ndershëm të dyzuar, Berisha, del dhe thotë prapë se është i shitur te Rama. Kur e pyesin se si është shitur te ai Ramë i cili kërkonte ta njolloste dhe shkatërronte duke korruptuar edhe vetë zyrtarë të FBI, se ke thënë që e ka pasur peng dhe bie logjika që të korruptonte për të hapur hetim për lobistin e PD në SHBA të thotë, “se ashtu është një muhabet” që do ta tregojë më vonë.

Ja bëri “qejfin” dhe foli edhe Basha. Por kaq ka mjaftuar që Berisha tërbohet edhe më keq dhe të sulmojë, edhe më në mënyrë alogjike. I është bërë Basha makth. Kur i bie atij, i duket se po dërmon Amerikën dhe trimëron ndjekësit!

Shpreson se mund të vazhdojë që ta përdorë për ata pak foltoris që i kanë mbetur, njësoj si bëjnë me pompën e oksigjenit të infektuarit rëndë me Covid.

Në fakt për Berishën e vetmja pompë oksigjeni, e cila është duke sosur dita- ditës, është Edi Rama. Siç është edhe për këtë të fundit tashmë, vetëm Berisha dhe Metaj. Nën thundrën e SHBA dhe të SPAK, kanë mbetur që të tre vetëm duke i kaluar njëri- tjetrit maskën e oksigjenit. Mirë bëjnë se kanë mbledhur “oksigjen”  me shumicë gjatë këtyre 32 viteve duke ua grabitur shqiptarëve. Por ja që ka ardhur dita kur “dikush” po e pret tubin ndaj dhe po e presin fundin të përqafuar, siç edhe kanë qenë gjithmonë, duke shkatërruan këtë vend!/Alfapress.al

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128