Papunësia u rrit dhe punësimi u ul në tremujorin e fundit të 2023

Shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare shënoi një rritje të lehtë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Të dhënat e INSTAT treguan se shkalla zyrtare e papunësisë u rrit në 10.6%, nga 10.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, shkalla e papunësisë në ekonomi ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte në nivelin 10.8%.
Gjatë tremujorit të fundit 2023, treguesi i papunësisë pësoi rënie të lehtë për femrat, por shënoi rritje për meshkujt, shkruan Monitor.
Rritja e shkallës së papunësisë në ekonomi ka reflektuar kryesisht uljen e nivelit të punësimit. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç ra në 66.7%, nga 67.7% që kishte qenë një tremujor më parë, ndërsa ngelet lehtësisht më e lartë se niveli prej 66.5% i një viti më parë. Shkalla e punësimit ka shënuar rënie si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.
Me bazë tremujore, punësimi ka shënuar rritje vetëm për industrinë, me 1.7%, ndërsa ka pësuar rënie në shërbime, me 1.9% dhe në bujqësi, me 1.3%. Me bazë vjetore, punësimi është në rritje me 2.8% në sektorin e shërbimeve, por paraqitet në rënie për industrinë, me 0.1% dhe për bujqësinë, me 2.9%. Edhe shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës ka pësuar rënie në tremujorin e fundit 2023. Ky tregues zbriti në 75.1%, në rënie me një pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me 0.3 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës është raporti i forcës së punës (të punësuar plus të papunë punëkërkues) kundrejt popullsisë në moshë pune.
Pas pandemisë, tregu i punës është karakterizuar nga rritja e punësimit dhe rënia e papunësisë në nivelet më të ulëta historike. Mungesa e forcës së punës ka sjellë edhe një rritje të shpejtë të pagave, duke rritur edhe presionet inflacioniste në ekonomi.
Tremujori i fundit 2023 ka sjellë një përkeqësim të lehtë të treguesve të tregut të punës, megjithatë është herët për të kuptuar nëse tregu i punës po e kalon fazën e mbinxehjes. Duke pasur parasysh peshën në rritje të turizmit në ekonomi dhe në tregun e punës, është e pritshme që kërkesa për punë të rritet ndjeshëm pas tremujorit të dytë të viti, duke reflektuar edhe tendencën sezonale të këtij sektori.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128



