Pas Malit të Zi, edhe me Maqedoninë e Veriut “Kartoni Jeshil” 1-vjeçar për 50 Euro

1 Prill 2025, 14:07 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Pas Malit të Zi, edhe me Maqedoninë e Veriut “Kartoni

Duke filluar nga data 1 Prill 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar prej 50 Euro.

Kjo është masa e dytë që ndërmerret në një hark të shkurtër kohor, për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendeve kufitare, pas hyrjes në fuqi më 1 Shkurt 2025 të policës së sigurimit “Karton Jeshil” 1-vjeçar me Malin e Zi.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, ka bashkëpunuar ngushtë me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), për të lehtësuar lëvizjen e autoveturave me targa shqiptare drejt vendeve kufitare.

Bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve (BSHS), qytetarët shqiptarë mund të pajisen tashmë në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit me policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me vlefshmëri 12-mujore, me çmim 50 Euro, e cila mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut. Ky vendim mbështet lëvizjen e qytetarëve duke ulur kostot dhe nxitur shkëmbimet ekonomike me fqinjin tonë juglindor.

Shoqëritë e sigurimit do të ofrojnë në të gjitha pikat e shitjes policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me afat vlefshmërie 1-vjeçar për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, si dhe do të vijojnë të ofrojnë edhe “Kartonin Jeshil” me afat vlefshmërie 15-ditor me çmim 15 euro.

“Kartoni Jeshil” është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit./Monitor

Po ndodh...