Krahu i djathtë i Suel Çelës në Shqipëri/ Kush është Mario Çela, vëllai i vogël i “kokës” së Elbasanit, tentativat e vrasjes dhe pasuritë që iu sekuestruan

2026-02-13 09:07:10 / AKTUALITET ALFA PRESS

Krahu i djathtë i Suel Çelës në Shqipëri/ Kush

Mëngjesin e kësaj të premte, Mario Çela, 37 vjeç, i lindur në Elbasan, u ekstradua nga Belgjika në Shqipëri, me qëllim  për tu përballur me drejtësinë shqiptare.

Procedura u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve belge, duke finalizuar kërkesën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mario Çela është vëllai i Marjus Lulaj, i njohur si Suel Çela, kreu i një prej organizatave kriminale më të mëdha që vepronin nga Elbasani me shtrirje në Europë dhe Amerikën Latine. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Gjykata e Posaçme i kishte caktuar më 22 nëntor 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Organizata kriminale”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”.

Arrestimi i tij në Belgjikë ishte pjesë e një operacioni më të gjerë të SPAK, ku u lëshuan 21 urdhër-arreste ndaj anëtarëve të dyshuar të organizatës kriminale, përfshirë ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe Gjykatës së Elbasanit.

Hetimet e SPAK kanë dokumentuar se Suel Çela ka drejtuar organizatën, duke koordinuar veprimtarinë kriminale që përfshinte vrasje, trafik ndërkombëtar droge, korrupsion dhe pastrim parash.

 Mario Çela dyshohet të ketë pasur rol aktiv në menaxhimin e këtyre aktiviteteve. Organizata ka tentuar të trafikojë sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori drejt Evropës, përfshirë rreth 930 kilogramë në dhjetor 2020 dhe 466 kilogramë në janar 2021.

Përveç arrestimeve, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë operacione për sekuestrimin e pasurive të dy vëllezërve. Në bashkëpunim me autoritetet italiane, janë bllokuar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, llogari bankare dhe një shoqëri tregtare në Itali, të cilat kapin vlerën e rreth 4 milionë eurove. Hetimet kanë treguar se këto pasuri janë krijuar dhe financuar nga fitimet e aktivitetit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilat më pas investoheshin në ndërtim dhe qira në Itali.

Në korrik 2024, autoritetet italiane, në bashkëpunim me SPAK, goditën organizatën e Suel Çelës, duke sekuestruar pasuri me vlerë 4 milionë euro, të ardhura nga trafiku i kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Me vendim të Gjykatës së Veronës, u sekuestruan:

Dy ndërtesa në provincën e Veronës, njëra prej tyre me rreth 30 njësi tregtare.

Një llogari bankare me rreth 400 mijë euro qira në vit.

Një kompani ndërtimi me 100% të kuotave në Itali.

Hetimet zbuluan se paratë transferoheshin nga Shqipëria përmes një shoqërie në pronësi të dy vëllezërve Suel dhe Mario Çelës dhe investoheshin në pasuri të paluajtshme, si pjesë e skemës së pastrimit të parave.

Ndërkohë që në fund të nëntorit 2024, SPAK goditi sërish organizatën kriminale të Suel Çelës, duke lëshuar 21 urdhër-arreste. Ndër të arrestuarit ishin Suel dhe Mario Çela, ish-shefi i Krimeve të Rënda Dedan Gjoni dhe ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu.

Sipas SPAK, organizata operonte kryesisht në Shqipërinë e Mesme, me qëllim kontrollin e territoreve dhe eliminimin e grupeve rivale në Elbasan. Financimi kryesor i aktivitetit vinte nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Belgjikën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

SPAK e identifikoi Suel Çelën si drejtues dhe koordinatori kryesor të strukturës kriminale, i cili menaxhonte veprimtaritë e organizatës që përfshinin vrasje dhe tentativa vrasjeje, trafik ndërkombëtar droge, veprime korruptive dhe skema pastrimi parash.

Hetimet zbuluan episode të rënda kriminale, përfshirë: Tentativën për vrasjen me snajper të Ardian Çopjas më 8 qershor 2020 në Elbasan; Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Bledar Muçës në mars 2020, ekzekutuar më pas në Belgjikë në janar 2022, i njohur si mik i afërt i Florenc Çapjas; Tentativën për vrasjen e Elvis Koçit gjatë vitit 2020, e cila dështoi.

Gjithashtu, u dokumentuan dy tentativa për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Ekuadori drejt Europës, rreth 930 kilogramë në dhjetor 2020 dhe 466 kilogramë me destinacion Holandën në janar 2021. SPAK akuzoi gjithashtu organizatën për ushtrimin e ndikimit në polici, sistemin gjyqësor dhe media përmes korrupsionit.

Happening now...

ideas