Alarmi klimatik, gushti 2026 ndër muajt më të nxehtë në botë

2026-09-12 15:28:00 / BOTA ALFA PRESS
Alarmi klimatik, gushti 2026 ndër muajt më të nxehtë në

Gushti i sivjetshëm ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë, me temperaturat globale 1,65 gradë Celcius mbi nivelet paraindustriale,  thanë shkencëtarët.

Muaji i kaluar u barazua me korrikun e vitit 2023 si muaji kalendarik më i nxehtë në regjistrimet e temperaturave, si edhe si gushti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë, thanë shkencëtarët e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike “Copernicus” të Bashkimit Evropian.

“Evropa Perëndimore ka përjetuar verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2003”, tha Copernicus.

Valët e të nxehtit në gusht vazhduan një periudhë të temperaturave ekstreme që kishte nisur në maj.

 

“Kushte të rënda thatësire goditën Britaninë e Madhe Francën, Hungarinë, Rumaninë dhe Serbinë, ndërsa lumenj të mëdhenj, nga Reni dhe Danubi deri te Dniepri, patën prurje jashtëzakonisht të ulëta”, thanë shkencëtarët e “Copernicus”.

Në nivel global, muaji ishte 1,65 gradë Celcius mbi mesataren e vlerësuar për periudhën 1850–1900, një periudhë përpara se njerëzit të fillonin të digjnin lëndë djegëse fosile në shkallë të gjerë.

Djegia e lëndëve djegëse fosile çliron gaze serrë, të cilat do të vazhdojnë ta ngrohin planetin derisa emetimet të reduktohen në zero në përgjithësi, proces që njihet si zero neto.

Shkencëtarët thanë se gushti shënoi rikthimin e temperaturave mbi pragun kyç prej 1,5 gradë Celcius mbi mesataret paraindustriale, për herë të parë që nga nëntori 2025.

Sipas Marrëveshjes së Parisit për klimën të vitit 2015, vendet ranë dakord ta kufizojnë ngrohjen globale në planin afatgjatë në “dukshëm nën” 2°C mbi nivelet paraindustriale, si dhe të përpiqen ta kufizojnë atë në 1,5 gradë Celcius me qëllim parandalimin e thatësirave, valëve të të nxehtit, përmbytjeve, rritjes së nivelit të detit dhe shkatërrimit të biodiversitetit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

“Muajin e kaluar u regjistruan gjithashtu temperatura rekord të sipërfaqes së deteve, si pasojë e ngrohjes globale nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe ngrohjes së shpejtë të ujërave në Paqësor, e lidhur me fenomenin e fortë klimatik El Nino”, shtuan shkencëtarët.

Temperaturat e sipërfaqes së detit, jashtë rajoneve polare, ishin më të lartat e regjistruara ndonjëherë për muajin gusht, në 21,07 gradë Celcius dhe ishin të barabarta me temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë për çdo muaj, së bashku me marsin 2024.

Samantha Burgess, drejtuesja strategjike për klimën në ECMWF, tha se “Gushti 2026 ishte një muaj i jashtëzakonshëm në historinë e klimës globale”.

“Ai ishte njëkohësisht gushti më i nxehtë dhe muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, me temperaturat globale që arritën 1,65 gradë Celcius mbi nivelet paraindustriale, duke shënuar rikthimin e temperaturave globale mbi 1,5°C”, shtoi ajo.

“Kur kombinohen me temperaturat rekord globale të sipërfaqes së deteve dhe verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Evropën Perëndimore, këto vëzhgime tregojnë se ndryshimet klimatike po shkaktojnë ekstreme si në atmosferë, ashtu edhe në oqeane”, përfundoi ajo.

 

Po ndodh...

ide