Analiza e DW: Kush flet për Evropën me Moskën?

Berlini zyrtar duket i pakënaqur me presidentin e Këshillit të BE-së, António Costa. Njoftimi gjatë samitit të BE dy ditë më parë, se zyra e tij ka hapur kanale komunikimi me Moskën shkaktoi kritika, pasi kjo ishte kryer pa koordinim paraprak me shtetet anëtare. Sipas burimeve në Berlin, ky hap u cilësua si “i pakoordinuar” dhe “joprofesional”. Nuk ka pasur bisedime përmbajtësore, theksoi Costa, duke sqaruar se bëhet fjalë vetëm për përgatitje për negociata të mundshme.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i shmangu komentet publike për këtë, por theksoi se bisedimet për paqen duhet të zhvillohen nga Ukraina, Rusia, Evropa dhe SHBA-ja. Por kush do ta përfaqësojë Evropën mbetet ende e hapur. Sipas kancelarit gjerman Ukraina duhet të vendosë se kush ulet në tryezë e paqes: E Ukraina kërkon shprehimisht mbështetjen e shteteve të grupit të njohur si E3 – pra të Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Edhe António Costa nënvizoi pas samitit të BE rolin e Ukrainës: vetëm ajo është e legjitimuar të negociojë për veten. Duke sqaruar veprimet e tij, ai shpjegoi se duhet të krijohen “kanale të drejtpërdrejta diplomatike” me Rusinë, për të mundësuar marrjen dhe përcjelljen e mesazheve.
Mbështetje për Costan nga shtetet e vogla të BE
Janë pikërisht shtetet më të vogla të BE, që u treguan të hapura ndaj propozimit të Costas: “Nëse kanalet e komunikimit hapen tani, (…) atëherë unë e shoh këtë pozitivisht,” tha kancelari austriak Christian Stocker. Për të, nuk është aq e rëndësishme në çfarë niveli ndodh kjo.
Kryeministri belg Bart De Wever u shpreh se në fushat ku bëhet fjalë për kompetenca të BE-së, duhet të ketë një përfaqësues të BE-së. Ndërsa, sipas tij, shtetet e E3-it duhet të negociojnë kur bëhet fjalë për garanci sigurie për Ukrainën.
Ujdi brenda BE për presionin ndaj Putinit
Në një pikë krerët e shteteve dhe të qeverive të BE janë të një mendimi: koha për negociata nuk ka ardhur ende. “Duhet ta detyrojmë Rusinë të ulet në tryezën e bisedimeve. Dhe kjo do të thotë më shumë sanksione dhe më shumë presion ndaj Putinit,” deklaroi kryeministri holandez Rob Jetten.
Qeveria ruse u shpreh në parim e gatshme për të negociuar me shtetet evropiane. Megjithatë, nuk do të pranojë ultimatume dhe evropianët ose janë “budallallepsur ose jokompetentë”, nëse besojnë se mund të negociojnë nga një pozicion force.
Ndërkohë që shtetet e G7 ranë dakord në takimin e tyre në fillim të javës për sanksione të tjera kundër Rusisë, BE-ja po punon aktualisht për paketën e 21-të të sanksioneve, me qëllim kufizimin e mëtejshëm të të ardhurave ruse nga eksportet e energjisë. Përveç kësaj, Komisioni Evropian ka propozuar ndalimin e hyrjes në BE për luftëtarët rusë. Ishte kryeministri bullgar Ruman Radev kishte bërë të qartë se Bullgaria kundërshton pjesë të paketës më të fundit të sanksioneve: sipas tij, masat e planifikuara do të kishin ndikim negativ në ekonominë bullgare.
Ndihmat për Ukrainën në epokën post-Orban
Ky ishte takimi i parë i rregullt i krerëve të shteteve dhe qeverive pa Viktor Orbánin. Ish kryeministri hungarez i kishte vështirësuar ndjeshëm ndihmat për Ukrainën me qëndrimin e tij bllokues. Me kryeministrin e ri hungarez, Peter Magyar, situata ndryshoi: për herë të parë që nga shtatori 2024, BE-ja arriti të marrë vendime për Ukrainën në emër të të gjitha 27 shteteve anëtare, theksoi presidenti i Këshillit, Costa. Kështu, sanksionet ekonomike ndaj Rusisë u zgjatën për herë të parë me dymbëdhjetë muaj, në vend të gjashtë muajve.
Gjithashtu, në fillim të javës BE-ja hapi kapitullin e parë të negociatave me Ukrainën. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti këtë një “moment historik të madh”. Deri në verë synohet hapja e kapitujve të tjerë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyj, kërkoi sërish një anëtarësim të shpejtë të plotë të Ukrainës në BE. Por anëtarësimin e shpejtë e shohin me skepticizëm disa shtete anëtare. /DW
Happening now...
Sali is gone, Rama is gone.
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128