Kina kundërshton tarifat e reja të Meksikës ndaj importeve

2025-12-12 09:16:12 / BOTA ALFA PRESS

Kina kundërshton tarifat e reja të Meksikës ndaj importeve

Qeveria kineze kritikoi sot vendimin e Meksikës për të vendosur tarifa importi deri në 50% për rreth 1,500 mallra nga Kina dhe vende të tjera.

“Pekini do të monitorojë nga afër hapat e ardhshëm të Meksikës”, tha Ministria Kineze e Tregtisë.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi në janar, pasi parlamenti meksikan i miratoi ato me propozim të presidentes, Claudia Sheinbaum.

Qeveria e saj planifikon të përdorë detyrimet e importit për të mbrojtur industrinë e vendit të Amerikës Latine, pjesërisht për shkak të ndikimit të politikës tregtare të SHBA-së në Meksikë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka akuzuar vendin fqinj si një “portë hyrëse” për produktet kineze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tregtia midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë është kryesisht pa taksa – sipas Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada, e cila hyri në fuqi në vitin 2020.

Tarifat e reja ndikojnë në 8,6% të importeve totale të Meksikës, me vlerë 52 miliardë dollarë.

Taksat janë planifikuar për mallra të tilla si automjete, pjesë automjetesh, çelik dhe alumin nga vendet me të cilat Meksika nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian nuk preken nga këto tarifa.

“Kina, gjithmonë i ka kundërshtuar tarifat unilaterale dhe shpreson që Meksika do të korrigjojë “praktikën e saj të gabuar” të unilateralizmit dhe proteksionizmit”, tha ministria në Pekin. 

Happening now...

ideas