Efektet e “izolimit” të tregtisë së mishit me Brazilin/ Shqipëria importon nga SHBA dhe Paraguai

2026-11-07 12:01:00 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Efektet e “izolimit” të tregtisë së mishit me

Pas kufizimit të importeve nga Brazili për mishin e gjedhit dhe të shpendëve, industria përpunuese rrezikon të përballet edhe me kufizime për mishin e derrit. Industria paralajmëron rritje të kostove dhe të çmimeve të mishit, sallamit dhe të nënprodukteve të tjera deri në 40% për konsumatorët. Në mbrojtje të prodhimit, përpunuesit kërkojnë sërish heqjen e tarifës doganore 10% për importet nga BE dhe hapjen e tregut europian për eksportin e produkteve të përpunuara shqiptare.

Industria e përpunimit të mishit gradualisht po humbet një nga burimet kryesore të furnizimit me lëndë të parë. Pas ndalimit të importit të mishit të gjedhit dhe të pulës nga Brazili, Shqipëria është drejt mbylljes së një burimi të tretë të furnizimit, atë të mishit të derrit nga ky shtet.

Deklarata u bë publike nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në seancën e komisionit parlamentar, i cili paralajmëroi se do të rishikojnë marrëdhëniet tregtare me palën braziliane, në kuadër të problematikave të konstatuara gjatë kontrolleve me importin.

Rishikimi i marrëdhënieve tregtare për importin e mishit të derrit nga Brazili, risjell në vëmendje shqetësimin e industrisë të ngritur dy vite më parë.

Në vitin 2024, pas Takimit Dypalësh me Komisionin Europian, Ministria e Bujqësisë u angazhua që në kuadër të përafrimit të legjislacionit për kontrollet zyrtare sipas standardeve të BE-së, do të ndryshonte marrëveshjet tregtare me vendet jashtë Europës, përfshirë edhe marrëveshjet tregtare për mishin e derrit të importuar nga Brazili.

Në atë periudhë, pesë kompani përpunuese të mishit i dërguan një letër Ministrisë së Bujqësisë ku ngrinin shqetësimin se nëse ndërpritej importi nga Brazili për mishin e derrit, kur mundësia e tregut vendas për të furnizuar ndërmarrjet përpunuese është pothuajse zero, kostot e prodhimit dhe produkteve do të rriten me 10-20%.

Industria solli në vëmendje në atë periudhë se nëse do të furnizohen me mish derri nga Europa, Kanadaja dhe SHBA, çmimet ishin 35 deri në 38% më të shtrenjta sesa Brazili.

Në këtë situatë, zbatimi i ligjit për kontrollet e sigurisë ushqimore u shty për t’u zbatuar në fillim të vitit 2025, pasi në këtë periudhë, qeveria parashikoi të niste projektin e BE-së për sigurinë ushqimore, bazuar te vlerësimi, kategorizimi dhe përditësimi i standardeve për stabilimentet ushqimore.

Procesi për vlerësimin e sigurisë ushqimore në stabilimentet e prodhimit të produkteve me origjinë shtazore nisi në muajin prill dhe përfundoi në korrik 2026.

Për të njëjtën arsye, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, prej 3 shtatorit, në vend ka nisur ndalimi i importeve nga Brazili i mishit të viçit dhe të pulës.

Vendimi riktheu presionin për shtrenjtimin e kostove prodhuese dhe rritjen e çmimeve të konsumatorit tek industria e përpunimit të mishit.

Për Shqipërinë, këto ndryshime nuk përfaqësojnë vetëm një procedurë administrative, por prekin drejtpërdrejt një nga burimet kryesore të furnizimit të tregut shqiptar me mish.

Për shkak të çmimit më të lirë, importet kryesore të mishit si lëndë e parë për përpunim e nënprodukteve të tij përfshirë sallam, salsiçe etj., vijnë nga Brazili.

Për periudhën janar-gusht 2026, sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria importoi një sasi prej rreth 32,4 mijë tonësh për grupin e mishit dhe të brendshmeve të tij. Krahasuar me të njëjtën periudhë, importet u rritën me 7%.

Rreth 34% e importeve të këtij grupi për periudhën janar-gusht e kanë origjinën nga Brazili. E ndjekur më pas nga importet e SHBA-së, që përbëjnë 19% të totalit, 17% të importeve është me origjinë nga Greqia, 10% nga Italia. Nga Paraguai, importet zunë 4% të totalit për janar-gusht 2026. Importet nga Gjermania dhe Spanja zunë secila 3% të totalit./Monitor 

 





Po ndodh...