Eric Wendt, ambasadori i ri i SHBA-së në Tiranë dhe testi për SPAK-un

2026-08-06 21:22:00 / IDE ERMAL PEçI

PROFIL nga Ermal PEÇI: Eric Wendt, ambasadori i ri i SHBA-së në

Ka momente kur ardhja e një ambasadori kalon pothuajse pa u vënë re. Por ka edhe momente kur emri i tij ngjall pyetje përpara se të mbërrijë në vendin ku do të shërbejë. Sidomos për një ish-gjeneral si Eric Wendt, i cili vjen në Tiranë pikërisht në një kohë me vransira edhe rrufe politike. . Shqipëria ndodhet përballë sfidave që prekin marrëdhënien mes politikës dhe drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, të ardhmen e SPAK-ut dhe një protestë qytetare që prej 68 ditësh vazhdon pa ndërprerje kundër klasës politike tradicionale, një fenomen i paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar.

Një muaj më parë shkruaja në gazetën Mapo për gjeneralin Eric Wendt dhe arsyet se përse një ish-ushtarak, një njeri i hekurt, me një profil të tillë po vendosej pikërisht në Tiranë.

Ishte një analizë në planin makro, duke parë përtej emrit të një ambasadori dhe duke u përqendruar te mesazhi që përcillte zgjedhja e një figure me eksperiencë të spikatur në siguri dhe mbrojtje.
Tashmë, pas konfirmimit nga Senati amerikan, vëmendja është përqendruar te ardhja e tij në Tiranë: kur do ta nisë misionin diplomatik, çfarë qasjeje do të ndjekë dhe si do t’i ndërtojë marrëdhëniet me aktorët kryesorë politikë dhe institucionalë në Shqipëri.
Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri me 50 vota pro dhe 44 kundër. Emërimi i tij pritet të finalizohet me firmën e Presidentit Donald Trump, pas së cilës ai do të nisë zyrtarisht misionin diplomatik në Tiranë.

Por pyetja më e madhe që shoqëron ardhjen e tij nuk lidhet vetëm me politikën e ditës. Ajo lidhet drejtpërdrejt me raportin që ambasadori i ri amerikan do të ndërtojë me SPAK-un, një institucion i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe partnerët perëndimorë. Një strukturë që u kthye në simbolin e reformës në drejtësi, por që sot gjendet nën kritika dhe sulme politike si nga mazhoranca e Edi Ramës, ashtu edhe nga opozita e drejtuar nga Sali Berisha. Në SPAK ndodhen dosje që prekin nivelet më të larta të politikës dhe administratës. Qytetarët presin jo vetëm hetime, por edhe përgjigje konkrete nga drejtësia për çështje që prej vitesh mbeten pezull në opinionin publik.

Po aq i rëndësishëm do të jetë edhe raporti i tij me klasën politike shqiptare. Me Edi Ramën në krye të qeverisë, Eric Wendt do të përballet me një mazhorancë që vijon të ketë një rol dominues në skenën politike, por edhe me një opozitë që kërkon rikthimin e balancave politike dhe besimit të qytetarëve.
Nga ana tjetër, raporti me Sali Berishën, kryetar i Partisë Demokratike, do të jetë një nga çështjet më të ndjekura. Berisha pretendon se çështja e tij e “non gratës” ka marrë një dimension të ri politik, ndërsa për një ambasador amerikan sfida mbetet ruajtja e një qasjeje institucionale ndaj çdo aktori politik, duke u mbështetur te standardet, interesat strategjike dhe marrëdhëniet afatgjata mes dy vendeve.

Në këtë kuptim, ardhja e Eric Wendt nuk është thjesht një rotacion diplomatik. Është një moment për të parë se si një ambasador me një formim të fortë në siguri do ta lexojë realitetin shqiptar dhe cilat do të jenë prioritetet e tij në marrëdhëniet me politikën, drejtësinë dhe institucionet.

Historia e një ambasadori nuk shkruhet nga deklaratat e ditës së parë dhe as nga fotografitë e takimeve zyrtare. Ajo shkruhet nga mënyra se si ai lexon krizat, si ndërton raportet me institucionet dhe si reagon kur balancat vihen në provë.
Eric Wendt nuk vjen nga diplomacia klasike. Ai vjen nga bota e sigurisë, idhe planifikimit strategjik, ku faktet peshojnë më shumë se deklaratat dhe rezultatet vlejnë më shumë se retorika. Ai vjen nga një botë ku urdhëri zbatohet nuk diskutohet. Pikërisht për këtë arsye, mandati i tij në Shqipëri pritet të lexohet me një vëmendje të veçantë.
Nëse politika shqiptare e sheh ardhjen e tij vetëm si zëvendësimin e një ambasadori me një tjetër, rrezikon të mos kuptojë mesazhin që sjell profili i tij.

Ndoshta testi më i madh nuk do të jetë për Eric Wendt, por për politikën shqiptare, për institucionet dhe për SPAK. Sepse një ish-ushtarak është mësuar të mos besojë te fjalët, por te provat dhe në Shqipëri provat nuk mungojnë; ajo që qytetarët presin prej kohësh janë përgjigjet nga drejtësia./mapo.al

Po ndodh...