Tri krizat dhe tri zgjidhjet
Nga Përparim Gjeka
Shqipëria ka mbërritur në një pikë ku problemi është shumë më i madh se një qeveri.
Vendi po përballet njëkohësisht me tri kriza që ushqejnë njëra-tjetrën: krizë politike, krizë ekonomike dhe krizë shoqërore. Krizat qëndrojne mbi një pyetje që nuk mund të shtyhet më: çfarë po ndodh me Shqipërinë dhe kujt po i shërben ky model zhvillimi?
Sepse ndërsa shqiptarët largohen, të rinjtë nuk blejnë dot shtëpi dhe familjet luftojnë me koston e jetesës, pasuritë e vendit po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta dhe më të paarritshme për vetë shqiptarët.
Shqipëria po shitet në copa.
Jo në një ditë dhe jo me një marrëveshje të vetme, por përmes tjetersimit te tokës publike, projekteve “strategjike”, koncesioneve, lejeve të ndërtimit, kullave, resorteve, ndryshimeve të destinacionit të tokës dhe vendimeve që, njëra pas tjetrës, po transferojnë kontrollin mbi pasuritë e vendit.
KRIZA POLITIKE
Sot kemi një pushtet jashtëzakonisht të fortë, arrogant dhe të shkëputur nga qytetari. Por kemi edhe një problem tjetër që politika tradicionale nuk dëshiron ta pranojë: opozita nuk përfaqëson njerëzit që po protestojnë.
Nëse kryetari i PD-së do të vinte në sheshin e protestës, ai nuk do të pritej si shpëtimtar. Do të përballej me fishkëllima, tallje dhe pyetje. Do t’i kërkohej llogari për këto 36 vite shpopullim, ngecje demokratike, korrupsion dhe mjerim ekonomik, njësoj si kryeministrit që ka 13 vite në pushtet.
Shumë prej njerëzve që protestojnë nuk po protestojnë për Berishën, për PD-në apo për ndonjë parti tjetër. Po protestojnë sepse nuk pranojnë më këtë mënyrë qeverisjeje. Nuk duan që të njëjtët njerëz të vendosin gjithmonë për territorin, pasurinë publike, ekonominë dhe të ardhmen e tyre.
Kjo është kriza e vërtetë politike: Qytetari nuk e gjen më veten as te pushteti, as te opozita tradicionale. Njëra palë kërkon të ruajë pushtetin. Tjetra kërkon të rikthehet në pushtet. Qytetari kërkon diçka tjetër: t’i kthehet vendi qytetarit.
Pushteti dhe opozita tradicionale janë bërë pjesë e një klase politike që, në forma të ndryshme, ka lejuar përqendrimin e pasurisë dhe pushtetit në duart e pak njerëzve, me veten ne qender. Nëse ndryshojmë vetëm kryeministrin, por lëmë të paprekur të njëjtin mekanizëm pushteti, të njëjtat interesa, klientela dhe mënyrë vendimmarrjeje, kemi bërë vetëm një rotacion.
Një kastë do të zëvendësojë një tjetër, ndërsa qytetari do të mbetet përsëri spektator!
ZGJIDHJA POLITIKE
Shqipëria ka nevojë për një forcë të re politike, anti-establishment, që nuk lind nga pazaret e politikës së vjetër, por nga qytetari. Një forcë që nuk i përgjigjet një lideri, një partie, një sekti apo interesave të huaja, por interesit kombëtar dhe qytetarit shqiptar. Një forcë që nuk kërkon thjesht të marrë pushtetin, por të ndryshojë mënyrën se si ushtrohet pushteti.
Me një parim të thjeshtë: Shqipëria e Para. Jo partia e para. Jo lideri i pari. Jo oligarku i pari. Jo interesi i huaj i pari.
Vetem Shqipëria e para.
KRIZA EKONOMIKE
Na thuhet se ekonomia po rritet. Dhe mund të jetë e vërtetë në terma statistikorë. Por statistika mund të fshehë atë që qytetari e ndien çdo ditë. Nëse ti ke ngrënë dy pula dhe unë asnjë, statistikisht kemi ngrënë nga një pulë secili. Prandaj shiko çmimin e një apartamenti. Shiko pagat. Shiko pensionet. Shiko koston e ushqimeve. Shiko sa i duhet një familjeje të punojë për të blerë një shtëpi.
Po ndërtojmë shumë më tepër sesa duket se mund ta përballojë fuqia reale blerëse e shqiptarëve. Çmimet e pasurive të paluajtshme janë shkëputur nga pagat. Apartamentet janë bërë të paarritshme për një pjesë të madhe të popullsisë. Kullat vazhdojnë të ngrihen, toka vazhdon të shtrenjtohet dhe ndërtimi vazhdon të jetë një nga motorët kryesorë të ekonomisë. Kjo duhet të na bëjë të pyesim nëse po krijohet një flluskë e pasurive të paluajtshme, një krizë.
Kush po e mban gjallë këtë treg?
Këtu futet problemi i informalitetit, cash-it dhe kapitalit me origjinë të dyshimtë. Nuk mund të akuzojmë çdo ndërtues apo investitor se pastron para. Por është po aq e papërgjegjshme të bëjmë sikur problemi nuk ekziston.
Në një ekonomi me përdorim të lartë të cash-it dhe me një sektor ndërtimi kaq të fuqishëm, shteti duhet të jetë në gjendje të shpjegojë se nga vjen kapitali që ushqen këtë treg. Sepse nëse paraja e paligjshme hyn në pasuri të paluajtshme, ajo deformon të gjithë ekonominë:
Rrit çmimin e tokës.
Rrit çmimin e banesave.
Nxjerr shqiptarët nga tregu.
Favorizon kapitalin e pakufizuar kundrejt pagës.
Kjo është edhe një nga arsyet pse kursi i këmbimit dhe prurja e madhe e euros duhet të analizohen seriozisht, jo vetëm si problem monetar, por edhe në raport me burimet e kapitalit që hyjnë në ekonomi. Por kriza ekonomike lidhet drejtpërdrejt edhe me shitjen e pasurisë së vendit.
Kur një qeveri e kthen tokën publike, bregdetin, pronat shtetërore dhe territorin në instrument për të tërhequr investime, duhet bërë pyetja: A po zhvillojmë Shqipërinë apo po shesim Shqipërinë për të prodhuar statistika zhvillimi?
Një vend nuk bëhet i pasur vetëm sepse ndërton kulla.
Nëse toka shqiptare bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, por shqiptarët bëhen gjithnjë e më të paaftë për ta blerë atë, atëherë pasuria po rritet për dikë tjetër. Nëse bregdeti zhvillohet, por qytetari shqiptar nuk mund ta përballojë më të jetojë apo të pushojë aty:
Zhvillim për kë?
Nëse prona publike bëhet objekt marrëveshjesh që qytetari i zakonshëm nuk i kupton dhe nuk i kontrollon: Pasuri publike për kë?
Sepse Shqipëria nuk është një kompani që qeveria mund ta shesë pjesë-pjesë. Toka shqiptare nuk është mall i qeverisë. Është pasuri e shqiptarëve.
ZGJIDHJA EKONOMIKE
Shqipërisë nuk i duhet një ekonomi që duket e pasur sepse ndërton kulla. I duhet një ekonomi me strukture tjeter që është e fortë sepse prodhon: Prodhim vendas. Industri të lehtë dhe ushqimore. Bujqësi moderne. Teknologji. Eksporte. Energji. Biznese të vogla dhe të mesme të lira nga presioni i panevojshëm burokratik dhe fiskal. Paga dhe pensione dinjitoze. Fuqi blerëse që nxit konsumin e brendshëm.
Jo një ekonomi që ushqehet me kapital të dyshimtë dhe me shitjen e territorit për të justifikuar çmime që ekonomia reale nuk i përballon.
KRIZA SHOQËRORE
Në fund, të gjitha këto përfundojnë te njeriu. Te i riu që punon dhe nuk mund të blejë një shtëpi. Te familja që nuk e përballon dot jetën me një pagë normale. Te biznesmeni i vogël që konkurron me kapital shumë më të fuqishëm, por me probleme origjine. Te profesionisti që sheh jashtë Shqipërisë më shumë mundësi, meritokraci dhe siguri.
Dhe pastaj vjen pyetja më e dhimbshme: Pse të qëndroj?
Shpopullimi nuk është thjesht një problem demografik. Është pasojë e një krize besimi. Kur njerëzit nuk besojnë më se puna shpërblehet, se ligji është i njëjtë për të gjithë dhe se fëmijët e tyre do të kenë një të ardhme më të mirë këtu, ata largohen. Dhe sa më pak shqiptarë të jetojnë, punojnë dhe investojnë këtu, aq më pak rezistencë ka ndaj përqendrimit të pasurisë dhe territorit në duart e pak njerëzve.
Kështu krijohet rrethi vicioz: Shpopullim → pasuri e përqendruar → ekonomi e deformuar → mungesë mundësish → emigrim → edhe më shumë shpopullim. Dhe në mes të këtij cikli qëndron një shtet që duhet të ishte mburoja e qytetarit, por shumë shpesh është kthyer në ndërmjetës të interesave të mëdha ekonomike.
ZGJIDHJA PËR KRIZËN SHOQËRORE: ZGJIDHJA POLITIKE
Në fakt, tri krizat janë i njëjti problem zinxhir. Një sistem politik që nuk përfaqëson qytetarin krijon terrenin për përqendrimin e pushtetit. Pushteti i përqendruar kontrollon vendimmarrjen mbi territorin dhe pasurinë publike. Pasuria e përqendruar krijon një ekonomi ku kapitali i madh ka avantazh ndaj punës dhe sipërmarrjes së vogël. Ekonomia e deformuar krijon çmime që qytetari nuk i përballon. Dhe një shoqëri që nuk sheh drejtësi, meritë dhe mundësi humbet besimin dhe largohet. Na duhet drejtesi e shpejte dhe reale, jo gjyqe 10- vjeçare.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria nuk ka thjesht tri kriza. Ka një krizë të vetme: krizën e modelit të saj të qeverisjes dhe zhvillimit.
Prandaj nuk mjafton një rotacion politik. Na duhet një ndryshim modeli. Një politikë ku qytetari përfaqësohet me anë të bijve e bijave të tij më të mirë, që e njohin dhe e ndiejnë atë që përfaqësojnë. Një shtet që mbron pasurinë kombëtare dhe nuk e trajton Shqipërinë si pronë të pushtetit të radhës. Një ekonomi ku paraja ka burim të kontrollueshëm dhe puna vlen më shumë se lidhjet. Një treg ku shqiptari nuk përjashtohet nga vendi i vet sepse nuk mund të përballojë çmimin e tokës dhe shtëpisë së vet. Një shoqëri ku i riu nuk detyrohet të zgjedhë mes emigrimit dhe dorëzimit. Sepse nuk është normale që një vend që pretendon se po pasurohet të ketë një brez të ri që nuk mund të blejë dot shtëpi dhe një brez në moshë që nuk ushqehet dot me pensione. Nuk është normale që qytetet të mbushen me kulla ndërsa shtëpitë shqiptare boshatisen.
Nuk është normale që pasuritë publike të bëhen objekt marrëveshjesh që qytetari i zakonshëm nuk i kupton dhe nuk i kontrollon. Dhe nuk është normale që politika të vazhdojë të diskutojë se kush do të zërë karrigen e radhës, ndërkohë që pyetja e vërtetë është: A do të kemi ende një Shqipëri që shqiptarët mund ta quajnë të tyren?
Kjo është beteja. Jo thjesht kush do të qeverisë. Por si do të qeveriset Shqipëria, për kë do të qeveriset dhe çfarë do t’u mbetet shqiptarëve. Sepse Shqipëria nuk është pronë e asnjë partie. Nuk është pronë e asnjë kryeministri. Nuk është pronë e oligarkëve.Nuk është mall për t’u ndarë në parcela dhe për t’u shitur njëra pas tjetrës.
Shqipëria është e shqiptarëve.
Dhe politika duhet të ekzistojë për ta mbrojtur këtë pasuri, jo për ta shitur apo falur miqve të kryeministrit. Prandaj zgjidhja nuk është thjesht të ndërrojmë qeverinë. Zgjidhja është të ndryshojmë sistemin që e ka sjellë Shqipërinë deri këtu.
Dhe ndryshimi fillon nga politika.Nga SHQIPËRIA E PARA!
Po ndodh...
Basha, Berisha and a meeting with parents in the USA!
ide
Tri krizat dhe tri zgjidhjet
Innocence for the liberators, so that history is not judged!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128