Ish-ministri socialist: PS të dallojë atë që i përket një momenti politik nga ajo që i detyrohet Shqipërisë

2026-10-20 18:00:00 / POLITIKË ALFA PRESS
Ish-ministri socialist: PS të dallojë atë që i përket

 

Ish-ministri i Jashtëm socialist, Ditmir Bushati, ka mbështetur protestat e të rinjve dhe kërkesat e studentëve, duke dënuar njëkohësisht dhunën dhe brutalitetin e policisë, të urdhëruar së fundmi edhe nga vetë kryeministri Edi Rama.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bushati thekson se të rinjtë kërkojnë një Shqipëri të re, pa korrupsion, krim të organizuar dhe abuzim me pushtetin, ndërsa i bën thirrje Partisë Socialiste të reagojë ndaj kërkesave të tyre.

“Si prind jam me të rinjtë që kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre.

Si njeri i botës universitare mbështes plotësisht kërkesat e studentëve. E ardhmja do të përcaktohet nga aspirata, revolta dhe energjia e një brezi që nuk pranon të pajtohet me atë çka u ofrohet si normalitet.

Si qytetar jam kundër akteve të dhunës dhe kundër brutalitetit të policisë.

Kur Shqipëria është gjendur përpara një kthese të madhe, të rinjtë kanë ditur ti paraprijnë ndryshimit. E bënë këtë në vitin 1990.
U përpoqën në vitin 1996. Por kërkesat e tyre u shpërfillën, çka paralajmëroi tmerrin e vitit 1997.

Prej muajsh rinia shqiptare është rikthyer në sheshe duke shpalosur një pasion që rreh veç në gjokset e këtij brezi. Nuk është gjithmonë i shprehur qartë, e rrallëherë është i disiplinuar.

Rinia kërkon një Shqipëri të re, sepse refuzon normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike; personalizimin e tejskajshëm të pushtetit që e trajton atdheun si plaçkë; modelin e kapitalizmit grabitqar që prodhon kosto të papërballueshme jetese, braktisje të vendit dhe polarizim shoqëror.

Injorimi i kërkesave të të rinjve dhe strategjia e përçarjes mes flamingove dhe sorrave dështoi. Nuk do të funksionojë përpjekja për ti ndarë të rinjtë në të mirë e të këqinj. As gjuha kërcënuese ndaj tyre, prindërve dhe medias. Shkopat e gomës, gazi lotsjellës, uji i hedhur me presion, apo motivimi financiar i policëve nuk e shuan dot revoltën e një brezi që di për shumë skandale dhe jeton mes vështirësive të panumërta. Aq më pak kërkimi i fajtorëve te ‘forcat e huaja’ në një shoqëri europiane, thellësisht pro-amerikane.

Të rinjtë kërkojnë një Shqipëri të re. Tani është detyrë e mësuesve, prindërve, sipërmarrësve, punëtorëve, akademikëve, dhe po, para së gjithash, e Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që e thërret koha. Partia Socialiste duhet të dallojë atë që i përket një momenti politik nga ajo që i detyrohet Shqipërisë.”- thotë Ditmir Bushati.

Po ndodh...