Macron paralajmëron Evropën: Nëse Putin i imponon vullnetin Ukrainës, i gjithë kontinenti dobësohet!

2026-11-14 22:56:00 / BOTA ALFA PRESS
Macron paralajmëron Evropën: Nëse Putin i imponon vullnetin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka rikonfirmuar mbështetjen e Francës për Ukrainën, duke paralajmëruar se një fitore e imponuar nga Rusia do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e gjithë Evropës.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Macron theksoi se mbështetja për Kievin nuk është vetëm çështje solidariteti me Ukrainën, por edhe një domosdoshmëri për mbrojtjen e Francës dhe të vendeve të tjera evropiane.

“Nëse Rusia i imponon vullnetin e saj një vendi evropian me forcë, e gjithë Evropa dobësohet”, shkroi Macron.

Ai bëri të ditur se Ukraina ishte në qendër të diskutimeve gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin dhe takimit informal të Këshillit Evropian. Ai identifikoi dy prioritete kryesore: ndihmën për Ukrainën për të përballuar dimrin dhe krijimin e kushteve për një paqe të drejtë e të qëndrueshme.

 

Presidenti francez u shpreh se bisedimet e fundit me përfaqësuesit amerikanë kanë treguar, sipas tij, se Vladimir Putin nuk ka vullnet për të negociuar. Ai akuzoi Moskën se po synon ta gjunjëzojë Ukrainën përmes intensifikimit të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike, duke rrezikuar ta lërë vendin pa energji gjatë dimrit.

“Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që ky bast të dështojë”, theksoi Macron, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin.

Macron bëri të ditur gjithashtu se 42 vende kanë miratuar një deklaratë të përbashkët mbi parimet që duhet të udhëheqin sigurinë evropiane. Në këtë kuadër, ai përmendi edhe punën e “Aleancës së të Gatshmëve”, e krijuar për përgatitjen e garancive të sigurisë për Ukrainën. Plani parashikon mbështetjen e ushtrisë ukrainase dhe përgatitjen e një force shumëkombëshe, e cila mund të dislokohet në vend pas arritjes së një armëpushimi. Sipas Macron, Evropa duhet të përcaktojë qartë edhe rolin që pret të luajnë Shtetet e Bashkuara në garantimin e sigurisë së kontinentit pas përfundimit të luftës.

Në përfundim, presidenti francez theksoi se Ukraina, e cila sipas tij zotëron ushtrinë më të madhe konvencionale në Evropë, duhet të ketë një rol vendimtar në arkitekturën e ardhshme të sigurisë evropiane, në bashkëpunim me NATO-n.

 

Po ndodh...