Mjekësia e ortakërive/ Monopol në vend të fondeve, Spahiu konfirmon publikisht privatizimin e tenderave të shëndetësisë

Qeveria e quan "garanci shtetërore". Por nisma për të centralizuar blerjen e barnave përmes një ortakërie publiko-private rrezikon të krijojë një monopol abuziv, pikërisht në një vend ku financimi publik po bie dhe shpenzimet për frymë janë 11 herë më të ulëta se mesatarja europiane.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka konfirmuar publikisht se qeveria është gati të çojë përpara projektligjin për krijimin e një shoqërie aksionere (sh.a.), e cila do të marrë përsipër furnizimin e spitaleve publike me barna dhe pajisje mjekësore.
"E vetmja zgjidhje do të jetë vetëm atëherë kur garancinë për ta furnizuar sektorin publik e merr shteti. Cfarë dua të them me këtë? nëpërmjet kësaj sh.a-je do të jetë shteti garant i lidhjes dhe blerjes së këtij medikamenti direkt tek kompania mëmë dhe nuk do të ketë më mungesa në tregun e shëndetësisë shqiptare në lidhje me furnizimin me medikamente dhe me produkte mjekësore, tha Spahiu në një intervistë për Report TV.
Ky projekt ishte arsyeja se pse Edi Rama largoi nga qeveria Evis Salan, e cila nuk pranoi të firmoste projektligjin kontrovers që shtrin modelin Kayo edhe në sektorin e shëndetësisë.
Iluzioni i "garancisë shtetërore"
Sipas një varianti të projektligjit të publikuar nga Kapitali, kjo shoqëri aksionere nuk është menduar të mbetet një entitet thjesht publik. Ajo replikon modelin e "KAYO", kompanisë shtetërore të mbrojtjes të ngritur më herët nga kryeministri Edi Rama.
Drafti i jep shoqërisë së re të drejtën të krijojë kompani të përbashkëta dhe të bashkohet me kapitalin e firmave private që tregtojnë barna dhe pajisje mjekësore. Personi që përflitet se qëndron pas këtij projekti është një biznesmen izraelit i quajtur Sani Sanilevich, mik i afërm me kryeministrin Edi Rama.
Kjo e shndërron një mekanizëm të supozuar rregullator në një monopol të ligjëruar publiko-privat. Në vend të ankandeve të hapura ku kompanitë konkurrojnë për të ulur çmimet, një entitet i vetëm i përbashkët do të marrë ekskluzivitetin për të blerë ilaçet dhe për t'ia rishitur ato shtetit. Pa presionin e konkurrencës, stimujt për efikasitet zhduken, ndërsa hapësira për marzhe abuzive fitimi zgjerohet.
Nënfinancimi kronik, jo mungesa e monopoleve
Arsyeja e vërtetë pse spitalet shqiptare vuajnë nga mungesat e barnave nuk është për shkak se distributorët nuk i sjellin dot apo fakti se shteti nuk ka një ortak privat. Problemi është se qeveria shpenzon shumë pak për shëndetin e qytetarëve të saj — dhe po shpenzon çdo vit e më pak në raport me rritjen ekonomike.
Të dhënat zyrtare mbi buxhetin e shëndetësisë në Shqipëri ekspozojnë një hendek dramatik financiar. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria shpenzon vetëm 326 euro për frymë në vit për shëndetësinë publike — rreth 4.4 herë më pak se mesatarja e Europës Qendrore dhe Lindore (1 432 euro) dhe gati 11 herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian (3 552 euro).

Për shkak të këtij nënfinancimi, shqiptarët përballen me pagesat më të larta nga xhepi në Europë, që arrijnë në gati 60% të totalit të shpenzimeve shëndetësore.
Aktualisht shteti shpenzon vetëm 53.3 milionë euro në vit për rimbursimin e barnave të sëmundjeve kryesore kronike dhe 5 llojeve kryesore të kancerit (nga të cilat vetëm 11.7 milionë euro për tumoret), duke lënë jashtë skemës së rimbursimit 77.7% të pacientëve me kancer të mushkërive, 74.7% e atyre me kancer kolorektal dhe mbi 61% e diabetikëve.
Zgjidhja europiane kundrejt eksperimentit korruptiv
Për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, krijimi i një monopoli publiko-privat është një hap prapa. Mënyra se si vendet menaxhojnë kostot e barnave dhe mungesat në treg nuk është krijimi i ndërmjetësve ekskluzivë me privatin, por rritja e financimit publik dhe vendosja e mekanizmave transparentë të kontrollit, si Vlerësimi i Teknologjisë Shëndetësore (HTA) dhe Marrëveshjet e Hyrjes së Menaxhuar (MEA).
Këto instrumente u lejojnë shteteve të negociojnë ulje çmimesh direkt me prodhuesit përmes procedurave të hapura dhe regjistrave të pacientëve, pa asgjësuar konkurrencën.
Duke zëvendësuar tenderat e hapur me një kompani të hibridizuar shtet-privat, qeveria shqiptare po injoron plagën e vërtetë të sistemit — mungesën e fondeve dhe të transparencës. Në vend që të kurojë mungesat në spitale, ky model rrezikon thjesht të kanalizojë qindra milionë euro fonde publike në një arkë të vetme të pakontrollueshme./Kapital
Po ndodh...
What are the socialists without Rama, "shit"?!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

