Dyshohet se spiunonte për Rusinë, SHBA merr në dorëzim nënkolonelin amerikan të arrestuar në Britani! FBI: Nuk tolerojmë tradhtinë ndaj vendit

2026-11-17 22:12:00 / BOTA ALFA PRESS
Dyshohet se spiunonte për Rusinë, SHBA merr në dorëzim

Një zhvillim i ri është shënuar në çështjen e nënkolonelit amerikan Brandon Carroll Tyner, i arrestuar javën e kaluar në Britaninë e Madhe nën dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë. Oficeri 41-vjeçar është marrë tashmë në kujdestari nga ushtria amerikane, ndërsa hetimi për dyshimet ndaj tij do të vijojë në bashkëpunim me autoritetet amerikane.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Kundër Terrorizmit në Britani, e cila bëri të ditur se çështja i është kaluar partnerëve amerikanë. Tyner u arrestua pranë Gloucesterit dhe fillimisht u mbajt në Londër, pas dyshimeve për përfshirje në veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare dhe për ndihmë ndaj një shërbimi të huaj inteligjence.

Sipas BBC-së, nënkoloneli shërben në ushtrinë amerikane që prej vitit 2008 dhe ishte i vendosur në kazermat Imjin, në Innsuorth të Gloucestershire, ku ndodhet selia e Korpusit të Reagimit të Shpejtë të NATO-s (ARRC).

Arrestimi i tij u krye në bazë të Aktit të Sigurisë Kombëtare të Britanisë së Madhe të vitit 2023, konkretisht neneve që lidhen me marrjen ose zbulimin e informacioneve të mbrojtura dhe bashkëpunimin me shërbime të huaja inteligjence.

 

Ndihmëskomisioneri Laurence Taylor, drejtues i Policisë Kundër Terrorizmit, tha se pas hetimeve fillestare ishte marrë vendimi që çështja t’u kalonte autoriteteve amerikane.

“Bëhet fjalë për akuza jashtëzakonisht serioze dhe reagimi ynë i përbashkët duhet të dërgojë një mesazh të fortë se do të veprojmë me shpejtësi dhe vendosmëri kur dyshojmë për veprimtari të tilla spiunazhi”, deklaroi ai.

Për çështjen ka reaguar edhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili konfirmoi se oficeri ndodhet në kujdestari pas një hetimi për spiunazh, të zhvilluar në bashkëpunim mes FBI-së, ushtrisë amerikane dhe partnerëve britanikë.

“Së bashku punuam për të identifikuar një kërcënim të mundshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe për të ndërmarrë masa të shpejta. FBI nuk ka asnjë tolerancë për këdo që tradhton betimin ndaj Shteteve të Bashkuara apo vë në rrezik sigurinë tonë kombëtare”, u shpreh Patel.

Ndërkohë, gjeneral brigade Sean Stinchon e cilësoi çështjen si një paralajmërim për çdo pjesëtar të ushtrisë, që dyshohet se shkel betimin e tij.

“Sa herë që dyshojmë se dikush ka tradhtuar besimin e kolegëve të tij ushtarë dhe ka vënë në rrezik mbrojtjen tonë të përbashkët, ne do t’ju identifikojmë dhe do të sigurohemi që drejtësia të vihet në vend”, deklaroi ai.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi informacionet që Tyner dyshohet se mund të ketë përcjellë apo mbi natyrën e kontakteve të tij të mundshme me shërbimet ruse. Ndërkohë, marrja e tij në kujdestari nga ushtria amerikane shënon fazën e re të çështjes, pas arrestimit të kryer nga autoritetet britanike.

 

Po ndodh...