Transporti publik merr 50 lekë/litër kompensim, masa zgjatet edhe për 4 muaj

2026-09-04 08:28:00 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Transporti publik merr 50 lekë/litër kompensim, masa zgjatet edhe

Operatorët e transportit publik pritet të përfitojnë kompensim prej 50 lekësh për litër për karburantin edhe për 4 muaj shtesë, përkatësisht për periudhën qershor–shtator.

Parimisht, dakordësia për vijimin e masës është arritur në takimin e dytë të zhvilluar mbasditën e sotme mes përfaqësuesve të shoqatave të transportit publik, operatorëve dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Ky ishte takimi i dytë me përfaqësuesit e sektorit, ku u diskutua kërkesa për zgjatjen e afatit të kompensimit të karburantit, në kushtet e rritjes së kostove të operimit.

Shoqatat e transportit publik kërkuan që kompensimi të jetë 60 lekë për litër, duke iu përafruar rritjes mesatare të çmimit të naftës gjatë kësaj periudhe.

Nga analiza e çmimeve të blerjes së karburantit, bazuar në faturat e paraqitura nga operatorët rezulton se rritja mesatare e çmimit për periudhën e marrë në shqyrtim qershor-shtator është rreth 54 lekë për litër, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Në ditët në vijim pritet që nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës të propozohet projektvendimi për shtesën e periudhës së kompensimit edhe me 4 muaj të tjerë.

Pas përfundimit të takimit Kostandin Foni kryetari i Shoqatës Kombëtarë të Transportit qytetas pohoi për Monitor se diskutimi me përfaqësuesit e sektorit dhe ministrinë ishte pozitiv, pasi me shtimin e periudhës së kompensimit do të krijohet mundësi operatorëve të përballojnë rritjen e kostove dhe të garantohet vijimësia e shërbimit të transportit publik.

“Masa prej 50 lekësh për litër konsiderohet një mbështetje e rëndësishme për operatorët, duke u dhënë atyre mundësi të përballojnë një pjesë të konsiderueshme të rritjes së kostos së karburantit.

Vijimi i kompensimit për 4 muajt e ardhshëm synon të mbështesë operatorët e transportit publik dhe të garantojë qëndrueshmërinë e shërbimit, ndërsa në rast se rritja e çmimit të karburantit do të vijojë, edhe nga ana e qeverisë pritet që të vijojnë kompensimet për sektorin, me qëllim përballimin e kostove të aktivitetit.

Ndërkohë, gjatë ditëve në vijim pritet të vijojnë diskutimet për kërkesat e tjera të paraqitura nga sektori. Ditën e nesërme do të diskutohen konkretisht edhe kërkesat e shoqatave për masat që nevojiten për përballimin e situatës dhe të kostove të rritura”, pohoi ai.

Prej datës 1 shtator operatorët e transportit publik në të gjithë vendin operojnë me 70% të flotës së autobusëve për shkak të mospërballimit të kostove. Që prej muajit maj shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas vetëm gjatë muajit gusht ka përsëritur 2 herë kërkesën se kostoja e operimet mbetet e papërballueshme dhe se kjo shumë shpejt do të sjellë reduktim të mjeteve për lëvizjen e qytetarëve.

Pavarësisht kërkesave dhe komunikimeve të vazhdueshme të adresuara pranë institucioneve përgjegjëse lidhur me kompensimin e kostove të karburantit, operatorët vijojnë të përballen me mosrealizimin e kompensimit.

Shoqatat kanë ngritur disa herë shqetësimin se kjo situatë, e kombinuar me nivelin e lartë të kostos së karburantit dhe shpenzimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e aktivitetit, ka cenuar ndjeshëm likuiditetin financiar të operatorëve dhe mundësinë e tyre për të përballuar kostot ditore të operimit të të gjithë flotës së mjeteve.

Për shkak të rritjes së naftës në muajin mars, operatorët përfituan kompensim në masën 50 lekë për litër karburant, për sasinë e karburantit të konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026./ Monitor

Po ndodh...

ide