Familja e Martin Canit del kundër Ramës: Po përdor emrin e djalit tonë për politikë, institucionet dështuan

17 July 2026, 09:04 / POLITIKË ALFA PRESS

Familja e Martin Canit ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor emrin e djalit të tyre për qëllime politike, ndërsa institucionet, sipas tyre, kanë dështuar të zbardhin përgjegjësitë dhe të garantojnë sigurinë e fëmijëve.

Në deklaratë të shpërndarë për mediat, familja thekson se mbyllja e TikTok-ut nuk ndaloi vrasjet e të miturve, duke sjellë në vëmendje rastet e Maliqit dhe Durrësit. Sipas familjes së Martin Canit,  vendosja e kamerave në shkolla është e pamjaftueshme, pasi siguria kërkon masa konkrete, psikologë dhe përgjegjësi institucionale.

Familja Cani ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mungesën e mbështetjes nga kryeministri, mungesën e pajisjes zemër-mushkëri dhe të kardiokirurgut në Spitalin e Traumës, si dhe kritikon mënyrën e hetimit të çështjes, duke kërkuar përfundimin urgjent të hetimeve për shkollën "Fan Noli" dhe sistemin shëndetësor.

Familja kërkon drejtësi për Martinin, siguri për fëmijët dhe përgjegjësi nga institucionet, duke theksuar se nuk do të ndalet së kërkuari zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Kujtojmë se dy ditë më parë Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin me 16 vite burg të Mario Përlleshajt, i cili vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij Martin Cani në vitin 2024.

Deklaratë për shtyp e familjes Cani

Tiranë, 17.07.2026

Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.

Edhe sot, në fjalimin e tij publik, kryeministri deklaroi se: “Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar… qeveria është ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale.” Por ndërkohë, realiteti është krejt tjetër: fëmijët vazhdojnë të vriten, institucionet vazhdojnë të dështojnë dhe tragjeditë nuk po ndalen.

1. Vrasjet e miturve nuk ndaluan pas mbylljes së TikTok

Pavarësisht mbylljes së TikTok, të cilën qeveria e përdori si justifikim politik pas vrasjes së Martinit, realiteti është i qartë:


•             Një i mitur u vra në Maliq.

•             Një tjetër i mitur u vra në Durrës.

Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjeve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale.

2. Vendosja e kamerave nuk zgjidh problemin

Kryeministri foli sot për “smart city në shkolla” dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se: “Algoritmi është një trup që bën atë që thotë.”

Por kamerat:

•             nuk parandalojnë dhunën,

•             nuk zëvendësojnë psikologët,

•             nuk zgjidhin mungesën e sigurisë,

•             nuk e shpëtuan Martinin, dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale.

Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë.

3. Kryeministri thotë se “mendon vazhdimisht për Martinin”, por nuk ka bërë asgjë për familjen tonë

Nëse Kryeministri mendon vërtet për Martinin:

•             Pse nuk ka takuar asnjëherë familjen tonë?

•             Pse nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale?

•             Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit që ai drejton?

Fjalët nuk mjaftojnë. Ne kemi parë vetëm heshtje, shmangie dhe përdorim politik të tragjedisë sonë.

4. Pse nuk është blerë pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin?

Martini vdiq sepse:

•             Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg;

•             Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri, që riparon zemrën e të plagosurve në zemër.

Kjo pajisje kushton më pak se një makinë qeveritare, por ende nuk është blerë.

Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të kuptojë se pajisjet shpëtojnë jetë, jo kamerat?

5. Pse Kryeministri nuk kritikoi ministrat që qeshën kur u përmend Martini në Parlament?

Kur u përmend emri i Martinit në Kuvend:

•             Ministrja Manastirliu qeshi;

•             Ministrja Balluku qeshi.

Kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Asnjë distancim. Asnjë ndëshkim. Asnjë ndjesë.

A është ky respekti që ai pretendon se ka për djalin tonë?

6. Policia nuk bëri detyrën – arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm

Nëse policia do të kishte vepruar siç duhet:

•             Arma e krimit nuk do të gjendej nga një qytetar i rastësishëm;

•             Provat nuk do të rrezikonin të humbnin;

•             Hetimi nuk do të ishte i cunguar.

Kjo është dëshmi e qartë e dështimit të strukturave të rendit.

7. Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit 18-mujor për shkollën Fan Noli dhe sistemin shëndetësor

Në vend që të politizojë tragjedinë e Martinit:

•             Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për përgjegjësinë e shkollës Fan Noli, e cila nuk njoftoi prindërit për incidentin e të premtes;

•             Duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për dështimin spektakolar të sistemit shëndetësor, që e dërgoi Martinin në spitalin e gabuar dhe nuk kishte pajisjet për ta shpëtuar.

18 muaj hetim pa përgjigje është turp institucional.

Ne nuk do të heshtim

Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera.

Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.

Ne kërkojmë:

•             Drejtësi për Martinin

•             Siguri për fëmijët e Shqipërisë

•             Përgjegjësi nga institucionet

•             Veprime, jo fjalë

Familja Cani Tiranë, 17.07.2026 

Po ndodh...

ide