Për palo-reformat, pushteti dhe opozita

3 Shkurt 2026, 11:03 / IDE NGA ARTAN FUGA

Për palo-reformat, pushteti dhe opozita

Lajm i aktualitetit u bë si gjithmonë ai që nuk është lajm. Pra, u vu në rend të ditës të informacioneve masive a do të merrte pjesë apo jo opozita në komisionin e reformës territoriale apo jo?
Po pse kush ishte lajmi?

Lajmi gjithmonë, sikurse e ka shkruajtur bukur Alexis Jones, është ai që mungon:

A ka opozita ndonjë platformë të studiuar, të krahasuar, të diskutuar, të aprovuar, të legjitimuar për atë që quhet paturpësisht reforma territoriale?

A thua se na preku atje ku na dhëmb ne qytetarëve kur diskutojnë a duhet të marrin pjesë apo jo në komision!!!

A thua se nuk është njësoj si të marrin pjesë apo të mos marrin pjesë? A thua se aty është puna! Se po nuk morrën pjesë lënë hapësira boshe për pushtetin!!!

Se nuk mund t'i shprehin idetë e tyre në media, me elektoratin, në seanca plenare të Kuvendit, në komisionet e përhershme, në kongrese, a rrugëve si predikatorë evangjelistë?

Iu duhet patjetër të jenë në komisionin e asaj që paturpësisht quhet reforma territoriale.

Në fakt përsëri opozita jep mesazhe kontradiktore: Nga njëra anë bën thirrje për një protestë madhështore në katër a njëmbëdhjetë shkurt, kundër pushtetit, pikërisht sepse nuk gjen hapësirë tjetër në institucione, në anën tjetër diskuton se duhet të vejë në komisionin e reformës elektorale. Ata e dinë vetë, unë nuk e di, por që mesazhet janë kontradiktore, duhet të jesh idiot mos e vësh re.

Dhe pastaj qahen se përse kanë një popull që disa prej tyre kanë filluar ta quajnë "të keq", intelektualë "të këqinj".
Para një muaji deklarojnë se nuk do të kenë asnjë kontakt bashkëpunimi a dialogu me pushtetin, pas kësaj, diskutojnë vajtjen në komisionin e asaj që paturpësisht quhet reforma elektorale.

Nuk ka të keqe të shkojnë, por si i bëhet me deklaratat e mëparshme, jo para një viti, por para dhjetë ditësh.

Cfarë ndryshoi? Apo thuaj, hajde fol, se mos dëgjon njeri!!! E kanë gabim! Elektorati edhe nëse nuk dëgjon me vëmendje, nuk i duhet shumë kohë të mbajë vesh ato që i interesojnë. Për të tjerat as ta vë veshin.

Pushteti premton reformë territoriale, emër i turpshëm po të nisesh se çfarë duhet të përmbajë.

Nuk e di nëse pushteti e di se popullsia periferike, rurale, ka zbrazur territorin më keq se më parë në këto vite?

Ka lidhje kjo apo nuk ka me atë palo reformë elektorale që gjoja u krye pesëmbëdhjetë a ku di unë më parë?

Di gjë njeri nga pushtetarët përse kryetarë të pushtetit lokal janë nën hetim nga jugu në veri, ose janë dënuar?

Di gjë njeri për shpërndarjen e fondeve në pushtetin lokal midis urbanizimit në qendrat urbane dhe investimet në zonat rurale?

Di gjë njeri se sa përfaqësohet në këshillat e pushtetit lokal popullsia rurale, ose e periferive të qyteteve?

Di gjë njeri nëse ka pavarësi, ose autonomi pushteti lokal nga kryeministria?

Di gjë njeri se ç'bëhet me rrugët, furnizimin me ujë, energji elektrike, etj? Ka studime, ka të dhëna pushteti? Po opozita?

A e dinë deputetët e opozitës dhe kryesia e tyre se nëse janë në gjendjen e humbësit permanent dhe në krizën brenda partisë prej pesë a gjashtë vitesh, arsyeja themelore është pikërisht e paturpshmja reformë territoriale?

A e dinë se janë të zhytur në një rreth vicioz ku pikërisht për shkak të asaj që paturpësisht e quajnë reformë territoriale ata nxjerrin gjithnjë e më pak deputetë, domethënë nxjerrin aq deputetë sa duan kryetarët e bashkive, dhe pasi vijnë të humbur në Kuvend, pikërisht prej reformës territoriale, diskutojnë në komisionin e përbashkët për reformën territoriale, ku nuk i dëgjon njeri sepse nuk përbëjnë në këto kushte një faktor politik?

E dinë apo jo këtë rreth vicioz ku janë zhytur? Se nuk i dëgjoj të kenë analizë. Bëjnë lojë batutash me palën kundërshtare që bën pallë në Kuvend.

Bëjnë ato që quhen fitore orale që nuk i duhen as dreqit.

Pse është e turpshme fjala "reformë territoriale"?

Sepse nuk është çështje thjesht ndarje kufijsh mes fshatrash, mes qytetesh. Ku nis Peqini, dhe ku mbaron Rrogozhina, ku nis Rroskoveci dhe ku nis Lapardhaja.

Problemet janë shumë më të thella:

1. Cilat janë të drejtat e qytetarit në pushtetin lokal?

2. Si do të përfaqësohet politikisht popullsia rurale dhe periferike në pushtetin lokal?

3. Cilat do të jenë kompetencat e bashkive për t'i decentralizuar ato?

4. Cilat janë burimet financiare të pushtetit lokal?

5. Përse nuk ka referendume lokale?

6. Cilat janë nivelet dhe si duhet të jenë ato në pushtetin lokal?

7. Si do të bëhet që bashkitë të mos jenë si komitetet e dikurshme ekzekutive që të administrojnë të gjithë rrethin?

8. Si do të rishikohen kompetencat midis këshillave bashkiake dhe kryetarëve të bashkive?

9. Si mund të ndryshohet gjendja e mjeruar, lëpirëse, mediokre e mediave lokale dhe të mos jenë më altoparlante të bashkisë?

10. Në ç'raport do të jenë drejtoritë qendrore me pushtetin lokal?

11. Si do të bëhet transparente puna e nëpunësve lokalë?

12. Si do të bëhet që punonjësit që kontrollohen nga bashkia të mos jenë mekanizmi elektoral që kontrollon balancën elektorale në qytet dhe në rreth?

13. Në ç'gjendje të mjeruar janë shërbimet për qytetarin nga ana e bashkive?

14. Si do të zgjidhen këshilltarët bashkiakë, me listë, me çfarë sistemi, kush kandidon, etj? Apo do të jenë si sot kur pushteti qendror ka monopolin e pushtetit lokal dhe partia demokratike ka nëpër bashki monopolin e opozitës?

15. Cili do të jetë statusi i nëpunësit në pushtetin lokal, apo do të vazhdojë të ngjajë me një leckë që pasi e përdor të fshish xhamat e makinës, mund ta hedhësh në koshin më të parë të mbeturinave?

16. Cila është përgjegjësia e pushtetit lokal për mjedisin, ekologjinë, mbrojtjen nga zjarri, estetikën e rrugëve, gardheve, kopshteve, fasadave?

17. Cilat janë të drejtat e qytetarëve që kanë pronë, investime në territor, por nuk janë qytetarë të atij territori?

18. A mund të votojë si në Evropë dikush që banon ta zemë në Tiranë për pushtetin lokal në Durrës nëse atje ka një investim çfardo, shtëpinë e të parëve, një banesë, apo varret e të parëve? Ta zemë në Tropojë, në Sarandë? etj.

19. Do të vazhdojë një emigrant që jeton në Toronto të votojë për komunën e Rroskovecit? Apo të Velabishtit?

20. Si i bëhet që megjithë respektin tim për ndonjë kryetar a kryetare të veçantë bashkie, si i bëhet që kryetari i bashkisë të mos i ngjajë një potentati mesjetar, një mytesarifi anadollak, një kryetari komiteti ekzekutiv proletar, një valiu, a një personi që njëherësh është edhe kryetar bashkie, edhe kryearkitekt, edhe inagurues rrugësh dhe parqesh, edhe kryetar de facto i këshillit bashkiak, edhe kryetari de facto i partisë, edhe shefi i fushatës elektorale, edhe kryetari i mediave lokale, edhe lepe-peqeja kryesor i kryeministrit në atë territor, edhe dhënësi i lejeve të ndërtimit, edhe shefi i shijeve estetike të qytetit, edhe trajneri i klubit të futbollit! Edhe ai që organizon karnavalet në qytet, edhe ai që prish ndërtimet pa leje, edhe ai që bën skenarin e koncertit të orkestrës së qytetit në parakalimin e 1 majit!

Pse çështje territoriale janë këto, kur bashkitë iu ngjajnë bunkerëve ku vetëm të futesh, në u futsh dot, të sheh me inat polici bashkiak, të tall nëpunësi, s'ta vërshellen fare kryetari që futet shpejt në zyrë nga porta e pasme?

Se nëse pushteti lokal qenka si duhet, autonom, si shpjegohet që aq vjet sa është një qeveri në pushtet te Bulevardi i Dëshmorëve në Tiranë, aq është edhe nëpër bashki?

Qindra janë problemet për t'u zgjidhur. Mjafton që quhet reformë territoriale dhe e kupton se vetëm reformë nuk duket se deri tani do të jetë!

Po ndodh...