Hasimja kërkon të "bashkojë" opozitën, si ai furrtari që tenton të bëjë bukë pa maja!

Nisma e Ermal Hasimes për të bashkuar partitë opozitare, veçanërisht në këtë krizë të pashembullt të vendit, padyshim që është për tu lavdëruar.
Por përpara se të nis procesi i bashkimit, ajo tryeza e rrumbullaktë ku do ulen të gjithë qoftë edhe si "të barabartë", ngre një pyetje që do përgjigje:
Përse opozita është e përçarë kur dihet se PD e Sali Berishës, "Mundësia" e Agron Shehajt, "Shqipëria Bëhet" e Adriatik Lapajt dhe "Bashkë" e Arlind Qorrit, janë të deklaruara pa hezitim, kundër pushtetit të Edi Ramës?
Pra grupi i Hasimes përderisa të gjithë këta janë kundër Ramës dhe duan rrëzimin e shpejtë të pushtetit të tij të korruptuar, do ta kishte shumë të lehtë ti ulte bashkë, për të mos thënë se nuk do të ishte fare i nevojshëm ndërmjetësimi i tij. Atëherë ku ngec ky bashkim?!
Hasimja dhe shokët e tij pikë së pari harrojnë, ose bëjnë sikur harrojnë, se përse janë krijuar këto parti të reja dhe kush ishte arsyeja që shqiptarët ju dhanë me votë në 11 maj, peshën që kanë sot.
Ato u krijuan dhe garuan si parti anti-tranzicion dhe anti sistemit politik e ekonimik bipolar, PS-PD.
Ata kërkuan vota kundër dyshes Rama-Berisha, të cilët kanë kapur dy partitë më të mëdha parlamentare, pra edhe sistemin zgjedhor që ata nuk i lë të rriten. Dhe kjo në marrëveshje të hapur. Së dyti këto parti të reja e kanë të lidhur krijimin dhe përkrahjen nga shqiptarët me pozicionimin pro dhe në mbrojtje të Drejtësisë dhe specifikisht të SPAK dhe GJKKO, duke qenë kështu në rezonancë me SHBA dhe BE.
Tani jemi në këtë situatë: Berisha, Qorri, Shehaj dhe Lapaj janë kundër Ramës, por Berisha dhe Rama janë kundër një Reforme Zgjedhore siç e duan partitë e reja dhe mbi të gjitha kundër Drejtësisë dhe posaçërisht, SPAK&GJKKO.
Ermal Hasimja bën mirë që po lufton ti bashkojë, por mbi tavolinë, "të rinjve" ju ka hedhur vetëm një premisë që e ka edhe Berisha: Të bashkohemi të rrëzojmë Ramën. Gati indentike si premisa e analistit Andrea Stefani në vitin 2013:
Të bashkohen të gjithë edhe pse bie erë qelb, vetëm të rrëzohet Berisha! Hasimja me shokë që të kenë sukses në këtë "bashkim", duhet ti zgjerojnë tezat e tryezës që kërkojnë të mbledhin.
Përpara se të ulen, të gjithë aktorët duhet që të dakortësohen, se vendit nuk i duhet thjesht një rotacion siç ka ndodhur këto 35 vite, por shumë më shumë:
Një sistem zgjedhor ku vota të jetë e barabartë për çdo parti, (Jo PS&PD "më të "barabartë" se të tjerët), vendosja më në fund e Shtetit të së Drejtës, (Mbrojtje dhe jo luftë ndaj SPAK&GJKKO), si dhe Koordinim dhe bashkëpunim me aleatët strategjikë të Shqipërisë, SHBA dhe BE.
Nëse Sali Berisha e pranon në parim këtë kornizë që në fakt është edhe vetë fakti pse ekzistojnë partitë e reja, atëherë po, mund të ulen sëbashku. Përndryshe ose kemi të bëjmë me një furxhi që kërkon të bëjë bukë pa maja, ose me lojën dhe teatrin e radhës, për ti dhënë edhe pak kohë dhe oksigjen, tranzicionit të kalbur korruptiv, që përfaqësohet nga Rama-Berisha!
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
