I ka pjellë me Bashën

27 Mars 2025, 13:25 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

I ka pjellë me Bashën

Në mëngjes e shajnë, në drekë e imitojnë, në darkë i kërkojnë llogari pse po gabon. Ky është paradoksi i atyre që kur "flinte" i kërkonin llogari pse fle, ndërsa kur është "zgjuar" janë shqetësuar nga "ardallosja" e allasojtë e tij. Është e qartë se kur një person del në skenë dhe merr përsipër një barrë të madhe, ai bëhet shënjestër për çdo kritikë, ironi apo pritshmëri të lartë.

Një gjë e tillë po ndodh edhe këto ditë me kritikët e Bashës në politikë. Në mëngjes, ai është fajtor për gjithçka që ka shkuar keq, e fajësojnë për humbjet, për lëvizjet e tij, për çdo fjalë të thënë apo të pathënë. Në drekë, ata që e shajnë, e imitojnë. Në darkë, të njëjtët i kërkojnë llogari pse vepron ashtu e nuk vepron si duan ata.

Kjo është ironia e politikës shqiptare dhe e shoqërisë në përgjithësi. Ne i kërkojmë një lideri të jetë perfekt, por e gjykojmë për çdo gabim. E duam të guximshëm, por e kritikojmë kur merr vendime të forta. E duam të butë, por e përçmojmë kur tregohet i matur.

Në fund të ditës, e vërteta është se njerëzit shpesh nuk e dinë çfarë duan nga ai që kanë përballë. Thjesht duan të ankohen, të shajnë, të kërkojnë një fajtor. Dhe kur vjen koha për të zgjedhur, shpesh zgjedhin sërish po atë që kishin shënjestruar gjatë gjithë ditës.

E kështu, rrethi vicioz vazhdon. Në mëngjes do ta shajnë sërish, në drekë do ta imitojnë, dhe në darkë do t’i kërkojnë llogari për gjithçka që nuk shkoi sipas pritshmërive të tyre.

Po ndodh...