Për fodullin e vetmuar Agron Gjekmarkajn, Basha të kërkojë falje për ty!

16 Gusht 2022, 13:54 / IDE NGA VEHAP KOLA

Për fodullin e vetmuar Agron Gjekmarkajn, Basha të kërkojë

Përpjekjet e Gjekmarkajt për të fituar simpatinë e katolikëve përmes gjuhës së urrejtjes ndaj myslimanëve në Shqipëri, Kosovë e kudo në Ballkan janë dëshmi edhe më e fortë e injorancës së tij totale rreth mënyrës si mendojnë katolikët shqiptarë.
Duket qartë se ai nuk ka asnjë komunikim me terrenin por i izoluar në tarngërllëkun e tij fodull, bie në kurthin e një grushti injorantësh zhurmaxhinj të facebook-ut dhe ndjek budallallëkun e tyre të pashpresë.
Katolikët shqiptarë, këtej e andej kufirit nuk kanë bari të tyre një ekstremist që nuk ia ka parë derën kishës.
Ata kanë bari të shpirtrave të tyre Dom Gjergj Metën që i ka palosur me kohë mendimet përçarësve kur ka shkruar se nëse Europa nuk na pranon se në Shqipëri ka myslimanë, nuk e dua këtë Europë.

Vetmitari Gjekmarkaj nuk e ka kuptuar se maksima e At Gjergj Fishtës, “Shqipërinë e kemi bashkë”, nuk është thjesht normuese por është përshkruese e marrëdhënies së vërtetë të shqiptarëve të besimeve të ndryshme me njëri- tjetrin.
Edhe mes myslimanëve, Gjekmarkaj duhet të ketë kontaktet e gabuara apo qëmtimet e gabuara. Myslimanët nuk përfaqësohen e as nuk ndjekin një dorë të dëshpëruarish për vëmendje që i fryjnë ideve të ndarjes fetare dhe konfliktit civil.
Ata mund të jenë partnerët idealë të studiove ku Gjekmarkaj dembelisht kërkon të fitojë madhështinë që i mungon. Por nuk do të fitojnë dot as simpatinë, as aprovimin e myslimanëve shqiptarë. Prandaj, përsëri, Gjeku i vetmuar ka arsye të skuqet e trishtohet.

Për sëmundjen e tij shpirtërore nuk ka shërim. Kërkimi i mbështetjes dhe simpatisë së njerëzve të arsyeshëm nuk mund të bëhet duke u dashur dhe lutur të keqen disa të tjerëve.
Që katolikët shqiptarë të të duan dhe të të mbështesin, zahmet e ke të lëshosh shezlongjet e plazheve private dhe të djersisësh prapanicën duke u ngjitur në çdo fshat të braktisur e të tradhëtuar të qarkut të Lezhës.
Nuk duhet as të kesh ndot të dalësh një xhiro në rrugët e Lezhës dhe të ndalosh në trotuar për të biseduar me lezhjanët. Se të ka rënë fati i keq që shkëlqesia jote intelektuale, profesor prej 20 e kusur vitesh pa asnjë libër të botuar, të përfaqësosh këta njerëz të thjeshtë e të pasofistikuar. E bën dot?

S'ke si ta bësh sepse e di se askush nuk ta hap derën në Lezhë, Mirditë, Kurbin e Mamurras.
A do një provë për këtë? Një djalosh i ri, një shqiptar i krishterë shkruante para disa ditësh se të krishterët nuk duhet të binin në kurthin e komunistëve që fenë e kanë halë në sy.
Mbështetja e tyre kundër myslimanëve sot, mund të kthehet në boomerang nesër kur t’u vijë radha të krishterëve. 1400 vetë e kishin pëlqyer, mbështetur, shpërndarë e përmendur në rrjet postimin e tij.
Postimi yt i mbushur me teza mejhanesh e teori të gabit të historiografisë komuniste kishte marrë 190 reagime.
Mes tyre një tufë gajasjesh e fytyrash të zemëruara me gjuhën tënde të urrejtjes. Nuk të mjaftoi dhe ti dole edhe në televizor, atje nga distanca e hotelit ku me gjasë po bën pushime e po shullehesh plazheve, dhe sulmove me një gjuhë edhe më acide myslimanët shqiptarë. Ti e quajte mbulesën e flokëve nga ana e grave myslimane vrasje të lirisë: mbulesa është vrasje e lirisë.

Themeli i lirisë, Gjek i vetmuar, është të jesh i lirë nga yshtjet e egos dhe rebelimi i saj brenda zemrës tënde të ngushtë. Po të jesh i lirë nga deliri i madhështisë, po të jesh i lirë nga rendja pas famës faraonike, ndoshta mund ta kuptosh se shqetësimi yt për lirinë e atyre që kanë zgjedhur ta përdorin lirinë për të vendosur një shami mbi kokë është hipokrit. Ti ke hallin tënd, vetminë tënde që nuk ta shërojmë dot as me referendum. Tek e fundit, shfrytëzoje jetën tënde prej eremiti për të mësuar të shkruash saktë gjuhën shqipe.

Myslimanët dhe katolikët shqiptarë e kanë çuar shumë mirë me njëri-tjetrin gjithmonë. Nuk e kanë pasur aspak problem të punojnë bashkë me njëri-tjetrin për të themeluar Shqipërinë e pavarur, për ta mbrojtur dhe gjetur përkrahje për mëvetësinë e saj pa shikuar çfarë mbajnë mbi kokë apo mbi gjoks. Duke zgjedhur këtë ligjërim ekstremist, ti ia ke prerë vetes biletën për në viset e harresës historike.

Në fund, Lulzim Basha u detyrohet shqiptarëve një kërkesë faljeje që e vendosi këtë njeri me mendje të sëmurë, nxitës të përçarjes dhe konfliktit civil, në listën e deputetëve dhe, aq më keq, nënkryetar të PD-së. Me këtë ai dëshmoi se ose nuk njihte Gjekmarkajn, ose nuk njihte shqiptarët.

 

Po ndodh...