Problemi nuk është SPAK-u por korrupsioni

26 Nëntor 2025, 18:52 / IDE NGA BLENDI KAJSIU
Problemi nuk është SPAK-u por korrupsioni

Po të dëgjosh ekosistemin tonë mediatiko-politik sa herë SPAK-u fillon ndonjë arrestim apo hetim të ndonjë politikani të lartë të krijohet përshtypja se problemi themelor në Shqipëri nuk është korrupsioni por SPAK-u. 

Sa majtas edhe djathtas SPAK herë akuzohet se po i bën puç opozitës, herë se po i bën puç kushtetutës, herë se është vegël e kryeministrit për të goditur Berishën dhe herë se është mashë e tij për të pastruar PS-në nga rivalët dhe herë se është vegël e Dumanit dhe e prokurorëve për hakmarrje personale ndaj politikanëve të njohur. 

Nuk mungojnë edhe ata që e akuzojnë SPAK-un se po ndërton Republikën e Prokurorëve që mesa duket do zëvendësojë Republikën Rama duke na lënë pa pikën e demokracisë. Pa folur për propagandën berishiste që prej kohësh e ka denoncuar SPAK-un si strukturë kriminale me në krye kryekriminelin Dumani. 

Është një zhurmënajë e madhe që vjen nga pothuajse të gjitha anët, që merret shumë më tepër me SPAK-un se sa me korrupsionin që po nxjerr në pah ky institucion.  

Kështu në vend që hetimet e SPAK-ut të nxisin një debat në lidhje me fenomenin e kapjes së shtetit, e privatizimit të postit publik apo të lidhjeve korruptive biznes-politikë, shumica e debatiti fokusohet mbi SPAK-un. 

Të kuptohemi nuk po argumentoj se SPAK dhe veprimet e tij janë të pakritikueshme. Shumë nga paraburgimet e këtij institucioni, sidomos ai i Ilir Metës dhe Erjon Veliaj, janë gjithnë e më të stërgjatura dhe vështirësisht të justifikueshme. 

Përgjime si ato të antarëve të Gjykatës Kushtetuese pa miratim nga gjykata janë gjithashtu të rrezikëshme në një sistem demokratik. Ndaj natyrisht që është i rëndësishëm një debat juridik dhe politik në lidhje me kompetencat dhe praktikat e SPAK-ut, sidomos përsa i përket paraburgimit dhe përgjimeve të gjyqtarëve.

Ama një debat i tillë nuk ndodh sepse të gjitha palët nuk duket se kanë interes reformimin apo përmirësimin e SPAK-ut por denoncimin e tij sa herë që zbulon ndonjë aferë korruptive. Është e çuditshme të shikosh se sapo SPAK zbulon një aferë korruptive menjëherë debati zhvendoset nga fenomeni që ka zbuluar SPAK tek loja politike që qëndron pas “goditjes” së SPAK-ut, tek akuzat për puç kushtetues apo republikë prokurorësh. 

Kjo ndodhi edhe me akuzën, hetimin dhe pezullimin e zv.kryeministres Ballukut. Ajo që nxori në dritë SPAK është një praktikë që të gjithë e dinë se ekziston, përcaktimi i fituesve të tenderit me gisht dhe jo me konkurs. 

Natyrisht që i takon gjykatës të vendosë përgjegjegjësitë administrative apo penale në rastin konkret. Fakti mbetet, gjithësesi, se edhe përkrahësit më të zjarrtë të qeverisë nuk e mohojnë se nga evidenca që ka dalë në media është e qartë që këto tendera janë të përcaktuar dhe jo të konkurruar.

Shumë nga mbrojtësit e Znj. Balluku na thonë vazhdimisht se po bëhet gjueti shtrigash, se evidenca, tekstet dhe mesazhet janë nxjerrë nga konteksti. E megjithatë deri tani nuk kemi parë asnjë kontekst që të na tregojë se nuk kemi të bëjmë me përcaktimin e fituesit të tenderave me gisht. 

Është e vështirë të besosh se e gjitha kjo është produkt i censurës mediatike ndaj qeverisë.  Ndaj arësyetimi ta do që këtu mungon konteksti shfajësues i shumë përfolur, se përndryshe qeveria do kish gjetur një media ku do mund ta botonte.

Në këto kushte debati publik duhej të fokusohej mbi fenomenin korruptiv që ka zbuluar SPAK, që duhet thënë se fatkeqësisht është një praktikë e normalizuar në qeverisjen tonë. Duhet të kishim debate mediatike, jurdike dhe parlamentare mbi praktikat e tenderimit dhe se si ato duhet të përmirësohen për të evituar korrupsionin në të ardhmen. 

Dhënia e tenderave me gisht dhe jo me konkurrencë të ndershme, për arësye sa korruptive edhe politike, është një nga plagët e thella të qeverisjes sonë që ka deformuar jo vetëm shtetin por edhe politikën, biznesin dhe për pasojë edhe demokracinë shqiptare. 

Në rastin konkret një nga përfituesit korruptiv të tenderit të unazës është një biznes pranë familjes Berisha.  Kjo na bën të dyshojmë se këtu kemi të bëjmë me një lidhje okulte qeveri-biznes-opozitë që hedh në erë të gjithë llogjikën demokratike të përplasjes pozitë-opozitë. Ndaj ky do duhej të ishte kryedebati i sferës sonë publike sot. 

E megjithatë në vend që të kemi debate në lidhje me kapjen e shtetit, apo me trekëndëshin okult PS-biznes-PD, shumica e debatit është zhvendosur tek puçi kushtetues apo tek Repubika e Prokurorëve që po vendos SPAK me pezullimin e Ballukut. Të krijohet përshtypja se SPAK në vend që të godasë korrupsionin po godet Kushtetutën dhe politikën.

Që pezullimi i Ballukut ha një debat juridik është mëse e vërtetë. Në kuadrin tonë ligjor ka një nen në kodin e procedurës penale që e justifikon këtë pezullim. Ka edhe një nen në Kushtetutë që i jep imunitet ministrave dhe që mund të interpretohet si pengesë për pezullimin e Ballukut nga detyra. 

Ndaj është mëse e arësyeshme që çështja të shkojë për interpretim në Gjykatë Kushtetuese, siç duket se do të ndodhë. Pra nuk kemi të bëjmë aspak me puç kushtetues apo me grusht shteti. Puçi Kushtetues nënkupton një shkelje flagrante dhe arbitrare të Kushtetutës që nuk respekton as kuadrin ligjor dhe as hierarkinë institucionale të gjyqësorit. Ndërkohë që në rastin konkret masa e pezullimit është dhënë nga gjykata përkatëse, dhe jo nga prokurorët, në bazë të një neni që qartësisht e lejon pezullimin e nënpunësve publik, edhe pse ky nen mund të bjerë ndesh më ndonjë tjetër nen të Kushtetutës. 

Por edhe ky vendim do interpretohet nga Gjykata Kushtetuese që eventualisht do vendosë nëse pezullimi është kushtetues ose jo. Kemi të bëjmë me një proces thellësisht normal brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues që në përfundim nuk prodhon asnjë përmbysje të kushtetutës, përkundrazi e qartëson dhe e konsolidon atë.

Aq më pak kemi të bëjmë me vendosjen e një republike prokurorësh që i imponon kryeministrit apo Partisë Socialiste emrat e atyre që duhet të qeverisin. Është dhe mbetet kompetencë e kryeministrit emërimi i një tjetër zv.kryeministri. Pezullimi i Ballukut nuk ia kalon këtë kompetencë SPAK-ut dhe aq më pak përmbys PS-në nga pushteti.

Idea se SPAK-u po përcakton se kush duhet të jetë në pushtet e kush në opozitë është produkt i normalizmit të personalizimit dhe privatizimit të skenës sonë publike nga Rama, që është bërë sinonim i pushtetit, dhe Berisha, sinonim i opozitës.  

Është normalizmi i personalizimit të pushtetit që e përkthen hetimin e Berishës dhe Ramës nga SPAK-u në hetim të ekzekutivit dhe të opozitës. A thua se arrestimi i Ramës apo Berishës është identik me arrestimin e PS-së dhe PD-së që janë në fakt burimi i ekzekutivit dhe i opozitës. 

Sipas kësaj llogjike rizgjedhja e përjetëshme e Ramës në krye të ekzekutivit dhe përjetësia e Berishës në krye të opozitës janë produkte të pastra të vullnetit elektoral shqiptar. Ndaj nëse SPAK arreston për korrupsion këto personazhe dhe detyron partitë tona të rifreskojnë skenën politike atëherë ai shkatërron demokracinë shqiptare që nuk mund të ekzistojë përtej dyshes Rama-Berisha.

Për këtë arësye debati shpesh fokusohet tek goditja që SPAK po i bën Ramës, Berishës, demokracisë, kushtetutës, opozitës apo ekzekutivit dhe jo te goditja që ky institucion po i bën korrupsionit. 

Në këto kushte të krijohet përshtypja se problemi i demokracisë sonë është SPAK dhe jo korrupsioni i klasës sonë politike tradicionale që është e paaftë të prodhojë një kryetar opozite, kryeministër apo ministër që nuk është përlyer në afera korruptive apo në abuzim me pushtetin./Lapsi.al

Po ndodh...