Roland Bejko nuk bën pazar me votën

23 Prill 2023, 20:15 / IDE ARBEN DEDAJ

 

Roland Bejko nuk bën pazar me votën

Kryeministri Edi Rama për të ndihmuar Erion Veliajn dhe kandidatët e tij po ofron rritje rrogash masive. I zgjedhuri i Sali Berishës për kryetar bashkie në Tiranë po ofron transport publik falas.

Këto janë thjesht e troç blerje votash.

Ti voto për mua, unë të rris rrogën. Ti voton për mua dhe e merr autobusin falas.

E para, kjo më duket ofenduese për shqiptarët. Me këtë llogjikë shqiptarët janë gati ta shesin votën.

E dyta, kjo “lloj” demokracie” do ta kishte falimentuar çdo shtet në botë nëse do të praktikohej si në Shqipëri.

E provoi edhe Bernie Sanders në SHBA dhe nuk shkoi askund.

I vetmi kandidat në Tiranë, që nuk po bën pazar me votën është Roland Bejko, kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranë.

Roland Bejko as do t’ju blejë e as do t’ju shesë. Dhe është i vetmi që po guxon të sulmojë me emër oligarkët, ata që e kanë blerë edhe Ramën edhe Berishën dhe po blejnë çdo cep të Tiranës dhe Shqipërisë.

E kisha menduar Belindin ndryshe, por duket se elektorati i tij janë ata që duan një autobuz pa lekë. Le të vonohet dy-tre, le të jetë rrangallë, le të përfundojë në Lanë si autobuzat e Velisë. Vetëm mos i marrin ato pak lekë.

Janë ata nuk kanë nerva të ulen e të dëgjojnë një analizë të mirfilltë nga Roland Bejko se si shërbimi  i transportit publik mund të përmirësohet , duke e bërë më efikas, më të përpiktë dhe më cilësor për ata që e përdorin. 

Dhe në qoftë se ti u garanton qytetarëve një shërbim korrekt dhe kualitativ, automatikisht rritet dhe kërkesa për këtë shërbim dhe si rrjedhojë rriten dhe të ardhurat qe përfitohen nga ky shërbimi.

Dhe është pikërisht në ato të ardhura nga ku duhet të gjenden fondet e nevojshme për atë pjesë të shoqërisë e cila me të vërtetë nuk ka mundësi për ta përballuar koston e biletës ose edhe për të siguruar blerjen e autobuzëve që ulen rrafsh me tokën për t’u shërbyer edhe atyre që nuk ngjisin dot shkallët si të tjerët.

Kapitalizëm 101, thonë amerikanët. Një ofertë e tillë dhe jo shërbim falas - me paratë e tjetërkujt - duhej të ishte ajo çka do ta entuziasmonte një elektorat të djathtë.

Do ta prisja këtë punën e autobuzit falas nga e majta. Rama e Veliaj me rritje rrogash. Kush po habitet që po i rrisin rrogat tani që erdhën zgjedhjet? Askush.

Mirëpo, Belindi si Berisha, ka një elektorat që me fjalë identifikohet si i djathtë por nuk ka as konceptet e të djathtës, as në teori e as në praktikë. Votuesi i djathtë në Tiranë e Shqipëri ndodhet, por nuk lodhet njeri që ta kërkojë.

Po ndoshta me Roland Bejkon fillon kthesa. Fillon edukimi i të djathtës, fillon ikja nga lëmosha e koncepti i votuesit si lypës dhe fillon ideja e votuesit si njeri i lirë dhe me përgjegjësi. Shqiptarët nuk kanë nevojë t’i blesh që të votojnë kundër Ramës dhe Veliajt. Të djathtët e dinë se kë duhet të votojnë në 14 maj.