Skema mashtruese e Sali Berishës për Reformën Territoriale dëshmon pazarin e tij me Ramën

2 Shkurt 2026, 18:26 / IDE NGA HERMES KAFEXHIU

Skema mashtruese e Sali Berishës për Reformën Territoriale

Dikush mund të mendojë, me një dozë naiviteti, se demokratët e prekur nga ultimatumi nuk do ta ulin kokën, të lënduar në atë që quhet krenari, dhe nuk do të ulen në Komisionin e Reformës. Por e vërteta është ndryshe. Krenaria lëndohet vetëm kur je një humbës kronik, që luan me verbin e sfilitur të demokratëve të raskapitur, të cilët vazhdojnë të besojnë gënjeshtrën e atij që, më shumë se kushdo tjetër, i shërben Edi Ramës, ndërkohë që predikon se është kundërshtari i tij më i madh.

Skema tashmë është e njëjtë për të gjithë ata që ende nuk e njohin.

Sali Berisha e ka mbyllur “deal”-in politik për Reformën Territoriale. Jo sipas interesit të demokratëve, por sipas interesit të vetes. Duke e ditur se demokratët nuk do ta miratojnë atë që ai ka rënë dakord të bëjë, ai ndërton alibinë e largimit nga Komisioni, që nesër të thotë se Reformën e bëri Rama. Përtej kësaj, duke qenë se Reforma nuk pritet të prodhojë dobi elektorale për demokratët, ai do të dalë sërish e të thotë se reformën e bën “regjimi”, se opozita nuk mund të jetë pjesë e tij, e kështu me radhë.

Nëse nuk je pjesë e regjimit, atëherë ik, dil fare nga sistemi. Nëse nuk je pjesë e kësaj maskarade, shko dhe dil në rrugë, në sheshe, dhe mos u komplekso aspak nga dhuna apo nga parullat që do të bien mbi hipokrizinë tënde. Por e vërteta është krejt tjetër. Berisha po përdor fiks të njëjtën skemë të vjetër, të njohur edhe në gjuhën arkaike të çifteve si “tërhiq e mos e këput”.

Sali Berisha voton Bordin e Paqes, nën justifikimin se Shqipëria i ka borxh SHBA-së ndihmën për Kosovën, ndërsa nga ana tjetër i lë demokratët rrugëve në atë që është reforma më e rëndësishme e dhjetëvjeçarit të ri politik, Reforma Territoriale, e cila do të ndikojë në vendimmarrjen politike, në ekonomi, në jetën sociale dhe, mbi të gjitha, drejtpërdrejt te vetë demokratët.

Pra, Berisha voton Bordin e Paqes, por nuk voton Reformën Territoriale.

Sikur qejfi personal i Trumpit të ishte më i rëndësishëm sesa sakrifica e Vrenozit dhe shokëve të tij.

Skema këtë herë do të fshihet pas një “agresiviteti protestues” me regji, që nuk do të prodhojë asgjë tjetër përveç mbajtjes së monopolit të opozitës. Gjithçka do të duket sikur ai nuk po i lë demokratët në baltë, sikur po lufton, sikur po sakrifikon, sikur po bën gjithçka në shpikjen e tij të re të “kilometrave të fundit”, me fishekzjarre kineze. Në thelb, është një cirk i përsëritur, i njëjti ritual që nga libri i vjetër i denoncimeve ndërkombëtare, që pas vitit 2029 do të rikthehet në bust publik: “Farsa zgjedhore”, pa të cilën Sali Berisha nuk mund të mbijetojë politikisht.

Nga ana tjetër dhe jo më pak kryesorja është se skema mban dhe rezistencën e tij ndaj drejtësisë në bunkerin e të vërbërve për demokratët.

Sepse në fund të ditës, problemi nuk është Reforma Territoriale. Problemi është një lider që ushqehet me konflikt, që jeton nga alibia dhe që mbijeton vetëm duke prodhuar dështim. Kur e di se je i mbaruar politikisht, nuk lufton për të fituar, lufton për të shtyrë fundin. Kur e di se je i humbur, nuk përballesh me realitetin, por gënjen veten se edhe pas vdekjes politike mund të ringjallesh. Historia, megjithatë, ka treguar se farsat mund të zgjasin, por nuk mund të sundojnë përgjithmonë.

Po ndodh...