
Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, apo serbi Nikolla Pashiq, kush e urdhëroi vrasjen e Bajram Currit?! Misteret e 29 marsit 1925 në Dragobi, çfarë thuhet në dokument

Më 29 mars të vitit 1925 u vra në Dragobi, patrioti e luftëtari Bajram Curri. Ai lindi në Krushë të Madhe, një fshat ndërmjet Gjakovës dhe Prizrenit.
Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900. Ndihmoi në themelimin e klubeve patriotike dhe shkollave shqipe në Kosovë, si dhe mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të Kongresit të Manastirit. Mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të Armatosur të vitit 1912, ku u shqua si një nga komandantët më të zotë në betejën me ushtritë osmane në Qafën e Prushit, si dhe në Fushë Kosovë. Pas vitit 1912 ai punoi për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar, si dhe për çështjen e Kosovës. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913, që lanë Kosovën jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Në shtator të vitit 1913 ai ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbo-malazeze. Në vitin 1918 u zgjodh një nga drejtuesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në emër të këtij Komiteti, Bajram Curri, së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë të Kosovës, i dërguan një protestë Konferencës së Paqes në Paris, në vitin 1919, në të cilën kërkonin që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe popullsisë shqiptare në Kosovë dhe asaj t’i njihej e drejta të shprehte lirisht aspiratat e veta kombëtare.
Në Kongresin e Lushnjës, të vitit 1920, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar. Ky këshill e ngarkoi me detyrën e ministrit pa portofol si dhe komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura. Ai u shqua në jetën politiko-shoqërore shqiptare, veçanërisht gjatë viteve 1920-1924, ku krahas luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar spikati edhe përpjekja për konsolidimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar.
Bajram Curri u lind në Gjakovë më 16 janar 1862 dhe ka qenë ushtarak i Perandorisë Osmane, politikan dhe aktivist shqiptar, i cili luftoi për pavarësinë e Shqipërisë, më vonë duke luftuar për Kosovën dhe inkorporimin në të pas Traktatit të Londrës në 1913. Pas vdekjes iu dha titulli Hero i Popullit Shqiptar. U lind në Krushë të Madhe, Rahovec derisa familja e tij po dërgohej në burg të Prizrenit. Currët njiheshin si zotní, titullin deri tek Bajrami e patën Agë. Kjo familje kishte me trashëgim titullin vojvodë për bajrakët Krasniqe, Nikaj e Mërtur. Prej pjesëmarrjes së të atit më 1860 në një kryengritje në malësitë e Krasniqes kundër taksave të rënda dhe rekrutimit, i burgosën Currët në Gjakovë.
Shaqir agë Curri ishte njeri i besuar i Abdullah pashë Drenit në Gjakovë, dhe, me sa duket, kishte luajtur rol në tagërmbledhjen dhe rekrutimin në krahinë. Ai ndihmoi Abdullah Pashën në sulmin kundër Mehmet pashë Maxharrit dhe u vra gjatë përleshjeve nga trupat e Lidhjes së Prizrenit. Nga pozitat tradicionale të familjes në Malësinë e Gjakovës, si për kundërshtitë ndaj Kryezinjve, u emërua komandant xhandarmërie e zgjodhi kapiten në Prizren, më vonë major në Prishtinë, e së fundmi kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e gjithë Vilajetit të Kosovës. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899- 1900, udhëheqës i lëvizjes në Kosovë dhe një nga prijësit kryesorë të Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës. Ndihmoi në themelimin e klubeve e të shkollave shqipe në Kosovë dhe mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit.
Qe nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908. Ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, dhe u bëri një qëndresë të fortë forcave osmane në Qafën e Morinës. Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga tribunët popullorë që theu forcat osmane në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në Fushë Kosovë. Me Hasan Prishtinën në krye, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze. Më 1914 mori pjesë në qëndresën kundër Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Po ashtu me Hasan Prishtinën, Ahmet Zogun dhe Isa Boletinin ishin organizatorë të kryengritjes antiserbe të vitit 1915. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkoi në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë, dhe për zhvillimin arsimor. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga veprimtarët e saj kryesorë. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë dhe komandant të përgjithshëm te forcave të armatosura.
Udhëhoqi veprimet ushtarake për shtypjen e lëvizjes esadiste në Shqipërinë e Mesme dhe gjithashtu bashkëpunoi me Zogun kundër lëvizjes separatiste të Republikës së Mirditës. Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit.
Në fund të dhjetorit të vitit 1924, Bajram Curri, pasi ishte kthyer nga një udhëtim në Europë, duke takuar kancelaritë për çështjen e Shqipërisë, arrin në Krasniqe të Tropojës dhe strehohet në Bujan, në shtëpinë e bajraktarit të Krasniqes, Sali Mani. Aty organizojnë takime nën drejtimin e Currit për t’i riorganizuar forcat për t’i bërë ballë ndonjë kryengritjeje të armatosur. Në këto takime përfaqësuesit nga fisi i Gashit dhe i Bytyçit ishin të paktë, duke arsyetuar se “kufiri i tokës së pashkelur ishte pjesa perëndimore e Valbonës” dhe më 3 shkurt 1925 lidhin besën për të qenë deri në fund me Bajram Currin, për të mbrojtur Tropojën dhe mbarë trojet shqiptare. Para disa vitesh Gjon Neçaj shkruante se më 8 shkurt filloi mësymja dhe qëndresa heroike, duke çliruar krejtësisht Gashin. Nënprefekti me suitën e tij ikin drejt Jugosllavisë. Forcat kryengritëse në mbrojtje të vendit, pasi i drejtohen prefekturës, ndeshen në forcat e Ceno Beg Kryeziut, i cili kishte marrë masat e fortifikimit dhe i detyron malësorët të kthehen pas një përpjekjeje të pasuksesshme.
Kushtet e një kryengritjeje të re ishin mjaft të vështira. Më 10 shkurt, forcat e xhandarmërisë, të organizuara në ushtri të rregullt, nga qafa e Luzhës, nga ku Tropoja dukej si në pëllëmbë të dorës, filluan bombardimet në rrafshin e malësisë. Një ditë më vonë, Ceno Beg Kryeziu, kishte nënshtruar krahinën e Tropojës, e mbi 10 mijë forca ushtarake mercenare të Ceno Beg Kryeziut dhe Muharrem Bajraktarit, vazhdonin shtypjen dhe terrorin në Malësinë e Gjakovës. Në bashkëpunim me Pashiqin, u shkatërrua Malësia si bazë dhe strehë e çetave të Kosovës. Duke vëzhguar aktivitetin e Bajram Currit si dhe influencën në Malësi dhe në Kosovë, kërkohej nga Tirana zyrtare me çdo kusht vendndodhja e tij, kundrejt shumës prej 10 mijë franga ari që Ahmet Zogu kishte vënë në dispozicion për ata që e informonin vendin dhe gjendjen e Plakut të Maleve, Bajram Curri. Në ditët e fundit të marsit 1925, u arrit zbulimi i vendit ku jetonin trimat. Paraja duket se kishte bërë punën e saj. Për vrasjen e Bajram Currit, përveç Ahmet Zogut e Ceno Beg Kryeziut, ishte i interesuar edhe Pashiqi i Jugosllavisë.
Ai kishte vënë në dispozicion gjysmë milionë dinarë si shpërblim të kësaj “vepre”, pasi me eliminimin e Bajram Currit, eliminohej ideja kryesore e udhëheqjes së luftës për një Shqipëri etnike, të cilën e kishte mohuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër qysh në vitin 1913 për të kënaqur shovinizmin serbo-sllav. Gjon Neçaj ka treguar se më 29 mars forcat rebele rrethuan shpellën e Dragobisë ku kishte disa ditë që strehohej “Plaku i Maleve” me shoqëruesit e tij. Të rrethuarit vendosin të qëndrojnë deri në fund në shpellë. “Vetëm të dimë me ba detyrën tonë të fundit që na takon, e për tjetër të mos kujtoni e mos kini dert”,-u thotë Bajram Curri njerëzve të tij që i qëndronin pranë. Rruga që ishte caktuar nga do të kalonte Bajram Curri vetë i tretë, ishte e pozicionuar nga xhandarmëria, siç mund të mendohet se ishin spiunuar, e ndërkohë i propozuan që të dorëzohej, por nuk pranoi asnjë marrëveshje. Siç është pohuar plaku i maleve me plumbin e fundit të revoles së tij, ia shtiu vetes, kurse përkrahësit e tij u kapën me armët e dala jashtë përdorimi.
Sipas tij Koço Kota, kryeministri dhe ministri i Brendshëm çonte telegramin e urimit prefektit të Kosovës në Lumë, ku shkruhej: “Në emën të qeverisë shqiptare ju falënderoj dhe ju përgëzoj për veprën patriotike që keni krye, tue e zhduk nga faqja e dheut njeriun e shpellave që kërcënonte qetësinë e Shqipërisë. Për vdekjen e tij shkruante Faik Konica në gazetën “Dielli”, që është botuar në Boston me titull “Me vdekjen e konfirmuar të Bajram Currit, u zhduk një fytyrë plaku fisnik nga sheshi i Shqipërisë”. Kurse Fan Noli i kushtoi vargjet: “Thonë u shtri, e thonë u vra, Po ti s’vdiqe, or Baba, As te shkëmb’ i Dragobisë, As te zëmr’ e Djalërisë. As je vrar’ e as po vritesh Legjendar Ante po rritesh. Dithiramb i Dragobisë, Tmerr, panik i mizorisë.”
Lavdia dhe tragjikja e akterëve të Pavarësisë
JUSUF BUXHOVI/ Pavarësia e Shqipërisë, akterëve të saj kryesor, u fali lavdi të përhershme, por një pjesë të tyre edhe tragjedi. Pse ndodhi kjo, që shumë prej atyre që udhëhoqën kryengritjet e pranverës dhe verës së vitit 1912 në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 28 11 1912 dhe në vitet në vijim, gjatë dhe pas konsolidimit të shtetit shqiptar, midis dy luftërave botërore, shumë prej tyre si: Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë, u vranë mes veti ose në atentate të përgatitura kundër njëri-tjetrit?
Shkurtimisht arsyet duhen kërkuar:
-Së pari – te vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që në gusht të vitit 1913 njohu pavarësinë e Shqipërisë të përgjysmuar, me çrast qendra e saj politike: Kosova dhe pjesë të tjera të Maqedonisë dhe të vilajetit të Janinës, iu njohën Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Me çka u rrënua projekti i shtetit etnik shqiptar;
-Së dyti – te logjika e shtetit, së cilës shteti shqiptar, iu nënshtrohet pas Konferencës së Paqes së Parisit dhe pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, që atë e detyronte të ratifikonte konventat shtetërore me Greqinë dhe Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene në vitin 1925. Me këto konventa, ku përcaktoheshin edhe kufijtë shtetëror, asokohe, Shqipëria nën kryeministrin Ahmet Zogu, pos tjerash, ishte e detyruar që të luftonte lëvizjen irredentiste përbrenda Shqipërisë që drejtohej nga liderët e Kosovës të përfshirë në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës të themeluar në Shkodër në qershor 1918, e ku vepronin personalitete të njohura të merituar për pavarësinë e Shqipërisë, siç ishin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani e të tjerë. Po ashtu, sipas këtyre konventave ndërshtetërore, shteti shqiptar ishte i detyruar që mos të përkrahte kurrfarë lëvizje irredentiste jashtë kufijve shtetëror (Kosovë dhe Maqedoni).
Këto qëndrime, patën pasoja të rënda dhe tragjike për forcat irredentiste brenda shtetit shqiptar në Veri (Krumë, Tropojë dhe Malësi të Gjakovës), siç patën pasoja edhe për lëvizjen kaçake në Kosovë, të udhëhequr nga Azem Bejta e të tjerë, që brenda një kohe të shkurtër u shua dhunshëm nga Beogradi.
Në këto rrethana, gjithnjë në përputhje me logjikën e shtetit, lëvizja irredentiste në Shqipëri, e përfshirë në Shqipëri në ngjarjet e vitit qershor-dhjetor 1924, që quhen revolucion demokratik dhe në tjetrën anë puç ndaj shtetit shqiptar, e që historiografia shqiptare ende nuk ua ka përcaktuar vendin sa nga shkaku i diktatetit ideologjik e sa nga konfuzioni për t’u liruar prej tij në përputhje me të vërtetën, u desh të sakrifikohet për hir të shtetit shqiptar. Bashkëluftëtarët e deridjeshëm, që morën pjesë në luftërat për pavarësinë e Shqipërisë dhe në shumë sosh për konsolidimin e saj midis viteve 1914- 1924, ndër ta më të dalluarit: Ahmet Zogu dhe Bajram Curri, u gjenden në taborë të kundërta. Konferenca e Londrës dhe ajo e Paqes e Parisit, në përputhje me interesat e Fuqive të Mëdha, ua përcaktoi këtë fat tragjik.
Vrasja apo vetëvrasja e Bajram Currit (krejt një), ajo e Hasan Prishtinës dhe të tjerëve, pa ua hequr meritat e mëdha për pavarësinë e Shqipërisë, duhet parë në këtë prizëm.
Sot, pas 100 vjetësh, kur përkujtojmë vrasjen e Bajram Currit, si dhe ngjarjet që i paraprinë asaj, gjithsesi duhet të kihen parasysh faktorët e mësipërm, që akter e pavarësisë së Shqipërisë dhe të zhvillimeve të saj në rrugën e konsolidimit të saj si shtet, nga lavdia e devotshme dhe oreoli historik i saj, i ktheu në figura tragjike, në kundërshtarë politikë, që ia kthyen pushkën njëri-tjetrit./Panorama

Rama-Meta, si aleanca e 1 Prillit zhbëri Shqipërinë
ide



top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128