AlfaPena/ "Pak Polianë" nga Rakip Zhguni
(Dedikuar personelit shëndetësor të repartit të pediatrisë në spitalin e Elbasanit, në mënyrë të veçantë, mjekes Rezarta Kazazi (Saliu)
Titull disi i çuditshëm vërtet, por bëhet fjalë për një çikëz "Polianë", mjeke e spikatur e sipitalit të Elbasanit, zonjën Rezarta Kazazi (Saliu), për të cilën m’u desh gati tre vjet që të më mbushej mendja për të shkruar për të.
Gjithçka duket si histori vetjake, por në të vërtetë nuk është ashtu. Kam qenë dhe jam pacient i saj, por kjo nuk do të thotë se ajo më përkushtohet vetëm mua. Cilindo që të pyesësh për të, të thonë fjalët më përgëzuese për vetëmohimin e saj në shërbim të shëndetit të njerëzve.
Siç më tregonte një pacient i shtruar me mua në spital, një të shtunë, kur ai ishte për vizitë, para derës së saj ishin grumbulluar dyzinë pacientësh, që kërkonin prej saj qoftë edhe një fjalë të ngrohtë.
Dhe ajo, siç, më shpjegoi i bashkështruari, asnjë nuk përcillte pa vizituar, edhe pse ishin orët e vona të ditës.
Për mjekët nganjëherë mbizotëron opinioni keqdashës (përjashto rastet abuzive, për të cilat merret drejtësia dhe askush tjetër), kur thuhet se ata të shikojnë nga duart. “Pak Poliana” jonë, Rezarta, është e para mjeke, të paktën, në jetën time, që më ftoi për të pirë kafe, në vend që ta ftoja unë. Kjo u bë një nxitje dhe motivim më i fuqishëm për të “gdhendur” portretin e saj.
Cilindo të takosh e t’i kërkosh të flasë diçka për një njeri, në veçanti për një mjek, kuptohet menjëherë që ose do ta ngrerë në qiell të shtatë, ose do ta fundosë shtatë pash nën dhe, siç thuhet. Botë interesash. Kur na plotësohet një dëshirë, apo tekë, ooo, si lëshohen lëvdatat fare pa doganë dhe, e kundërta, nëse ndodh ndryshe, shpërthejnë të shara e të palara pa peshore.
U gjenda edhe unë pacient në repartin e pediatrisë në spitalin e Elbasanit. Kisha 3-4 ditë që kisha shumë shqetësime në gjoks dhe i telefonova mjeke Rezartës, e cila që prej kohës së kovidit ndjek ecurinë e sëmundjes sime.
- Nesër jam në spital,- më tha,- bëj një grafi tek urgjenca, që të fitojmë kohë.
Në të vërtetë mesnata më zuri ne urgjencë, pasi gjendja ime shëndetësore u rëndua jashtë mase. Kur i telefonova në mëngjes mjekes, ajo u çudit, si kisha ardhur aq shpejt. I shpjegova që erdha në mesnatë. Më porositi ato që do të bëja. Të gatshëm mjekët e urgjencës. Më bënë analizat në vend. Grafisti grafinë e mushkërive të mia menjëherë ia përcjell në telefon mjekes, kështu që kur erdhi ajo me autobus, kishin mbaruar të gjitha, kjo edhe falë teknologjisë së përparuar, ku çdo personel njeh në çast gjendjen e spitalit dhe në këto raste gatishmëria është akti i parë i domosdoshëm.
Gjendja ime kishte qenë vërtet e rëndë, por gojëmbla Rezarta ma “hutoi” mendjen dhe u shtrova. Vetë ajo më dërgoi me karrocë në pavion.
Ndërsa shkruaj këto radhë, më erdhi në mendje një tregim për pacienten Polianë, e cila edhe pse vuante nga një sëmundje e pashërueshme, shëtiste pavion më pavion nëpër spital, duke u dhënë kurajë njerëzve, veçanërisht fëmijëve. Poliana me fjalën e saj të ngrohtë u jepte shpresë e besim të sëmurëve, sa u bë si mjeke e dytë, madje jo me ilaçe, por me fjalën e saj të ëmbël, duke u bërë bëhet kështu “shëruesja” shpirtërore e tërë të sëmurëve, veçanërisht të moshatarëve të saj fëmijë.
E tillë është e Pak Poliana e repartit të pediatrisë në spitalin e Elbasanit, Rezarta Kazazi, e cila, me pasion, me përkushtim, me devotshmëri, me saktësi e përsosmëri, me vullnet e këmbëngulje, me dashurinë e pakufishme për njeriun, me fjalën e saj të utë, të ëmbël, shpresëdhënëse, me dashamirësinë dhe përkujdesjen si prej një nëne (ka dy fëmijë), do ta gjesh gjithmonë pranë të sëmurëve, dhomë më dhomë. Nuk të shërojnë vetëm ilaçet, mendoj unë.
Pacientët sikur marrin forcë dhe energji, kur ajo u gjendet pranë. Shpesh vrisja mendjen se ku e gjen kohën ajo të merret edhe me fëmijët? A nuk është kjo sakrificë sublime për këtë mjeke e nënë?
Ana tjetër është ai rregull, ajo disiplinë shkencore, ai përkushtim, ajo përkujdesje e tërë stafit të katit ku isha shtruar. Infermiere e sanitare duket sikur janë shkrirë në një. Nuk është thjesht rutinë e përditshme, por punë plot pasion. Do të gjesh mes personelit Kolin, djalë i papërtuar, i kudogjendur, fjalëpak e punëshumë.
Pastaj me radhë infermieret Ornela, Lindita, Sidorela, Xhulia, Pranvera, Pulina... Kryejnë detyrat sipas protokollit, pa bërë asnjë ndryshim e mbi të gjitha, me sjellje, edukatë, dashamirësi me të gjithë pacientët. Duket sikur mes personelit dhe pacientëve është krijuar një familje e madhe, ku secili ka vendin e vet, por ajo që na bashkon, është respekti, dashuria, pasioni e dëshira për t’i shërbyer për të lehtësuar sadopak dhembjet e sëmundjeve.
Fatkeqësisht nuk arrita t’ua mësoj emrat të gjithëve, edhe pse ato janë po aty e nuk kanë nevojë as për mburrje, as për lëvdata. Por nuk mbetet pas as stafi mbështetës. Ja, vijnë sanitaret dhe pasi na urojnë shërim të shpejtë, me mirësjellje, me kulturë dhe edukatë vazhdojnë punën. Nuk mungon as shakaja e përshëndetjes “Buon xhorno, sinjor!" (It: mirëdita), nga njëra prej infermiereve, nëse jam i saktë.
Në pavion shpërthen e qeshura. Se edhe humori shëron. Ja edhe “amvisa” e pavionit, e cila na lutet t’i hamë gatimet të ngrohta dhe na uron të na bëjë mirë. Ashtu si rregulli e pastërtia, edhe ushqimi është i përsosur. Ja edhe Buqja e çarçafëve që shkëlqejnë nga bardhësia si bora, të hekurosur për merak. Si në ekran kam parasysh shkatërrimin e kësaj pjese të spitalit, sa dukej sikur muret kishin kaluar dy luftëra botërore, por, falë përkujdesjes së shtetit, ky mjedis është bërë vërtet që t’i bjerë era spital. Jam i bindur që ky rregull, kjo didiplinë pune, ky përkushtim me siguri të çon deri ne hierarkinë e spitalit të Elbasanit, sepse nuk mund të jetë rast i shkëputur pavioni ku unë gjithçka e shoh me sy, e ndiej, e prek dhe e përjetoj.
Largohem nga pavioni, duke marrë me vete buzëqeshjen e tërë stafit e, midis tyre, edhe vlerësimet më të larta për mjeken e përkushtuar, Rezarta Kazazi./Alfapress.al
Rakip Zhguni
Shkrimtar/Pacient
ide
Donald Trump do të pushtojë planetin Mars
Që partitë e reja të mos jenë imitime të zbehta të atyre të vjetra
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128