Fakte të reja në 'Të rënët e Luftës së II Botërore'! 28 mijë dëshmorë? Libri me shifra të reja! Rama: Historinë e shkruan fitimtarët! Nika: Koha që të shkruhet pa emocione e censurë
Sipas Nevila Nikës gjatë luftës pati edhe elementë të një lufte civile, e lidhur pazgjidhshmërisht me dilemën se cila forcë politike apo grupim do të merrte pushtetin pas luftës.
Gjatë prezantimit të këtij botimi në kryeministri, historianë dhe studiues hedhin hapin e parë të çeljes së dialogut por rishikimin e kësaj periudhe të rëndësishme historike të popullit shqiptar, ndërsa i pranishëm vetë Kryeministri Edi Rama vëren se çështja e Luftës së Dytë Botërore mbetet e hapur pasi 80 vite më parë e dekadat që vijuan historia u shkrua nga regjimi diktatorial, si fituesit e asaj lufte.
“Kjo mbeti çështje e hapur se edhe pas regjimit diktatorial, pavarësisht se fitimtarët e radhës nuk kishin brutalitetin e regjimit ishin vijimësi e atij regjimi në aspektin e mendësisë. Mbeti çështje që më shumë se t’u lihej historianëve iu la përsëri të gjithë atyre që me mënyra dhe rrugë të ndryshme mund të bëjnë dhe bëjnë dëm kur ndërhyjnë në fushën e shkrimit të historisë.”, - shprehet Rama.
Sipas Ramës edhe pse kanë kaluar shumë vite nuk është gjetur ende distanca dhe qetësia e mjaftueshme për të shkruar historinë e Luftës II Botërore, ndërsa vetë historiania Nevila Nika bëri edhe një thirrje për rikonceptim të varrezave të të rënëve në luftë, si dhe të muzeumeve.
Gjatë luftës së II Botërore kanë humbur jetën rreth 7200 partizanë, ballistë dhe legalistë, ndërkohë që 2222 shqiptarë janë vrarë nga forcat komuniste në atë që quhet si lufta civile në vend. Botimi i historianëve flet gjithashtu për 5500 viktima civile si dhe rreth 17 mijë ushtarë të huaj, italianë (14.500) dhe gjermanë (2400) që humbën jetën në luftë.
Ky studim vjen me kontributin e studiuesve dhe profesorëve të njohur: Prof. Dr. Nevila Nika, kryetare ASSH-së; Prof. As. Dr. Hasan Bello; Prof. Asoc. Dr. Marenglen Kasmi; Dr. Çelo Hoxha; PhD Florian Çullhaj. Autorët risjellin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, përmes një perspektive më të gjerë, duke integruar të gjitha të dhënat e disponueshme për të kuptuar më në thellësi këtë periudhë të trazuar.
Përveçse një përpjekje për të rishikuar dhe rivlerësuar të dhënat historike të Shqipërisë, ky botim i ASSH-së, institucioni i krijuar në gjirin e Universitetit Europian të Tiranës, është edhe një ftesë për studiuesit, historianët dhe studentët e angazhuar, të mos i ndalin përpjekjet për të vendosur nën dritën e fakteve dhe të vërtetave të kaluarën tonë.
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128