
Klarineta që mban gjallë një familje: Historia e Abdulla Balkazit në shëtitoren e Durrësit

Në një qoshe të vogël në krye të shëtitores Vollga në Durrës, ku zhurma e qytetit përzihet me dallgët e lehta të detit, 63-vjeçari Abdulla Balkazi jep të njëjtën shfaqje për 30 vite me radhë. Ofron një koncert të vogël meklarinetën e tij të vjetër.
Ka lindur më 13 janar të vitit 1962 në qytetin e Shkodrës, por prej vitit 1991, së bashku me familjen, është shpërngulur në qytetin bregdetar.
Rruga e tij drejt muzikës nisi në moshën 12- vjeçare, atëherë kur bashkë me të vëllanë, në pamundësi ekonomike, ndërtonin kallama në formën e klarinetës, duke u hapur gjashtë vrima për të nxjerrë tinguj që përbënin një melodi çfarëdo. Është e rrallë të ndodhë sot, por pasioni që i shoqëronte Abdullain dhe vëllain e tij të madh ishte i tillë sa t’u jepte atyre idenë e ndërtimit të një “klarinete lodër”. Ai u rrit dhe bashkë me të vëllanë krijuan mundësinë për të blerë “klarinetën e parë” në familjen e tyre, aty ku praktikoi meloditë fillestare që një mjeshtër i zonës së Shkodrës i kishte mësuar.
Rreth të njëzetave u martua dhe krijoi familjen e tij. Ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, dhe sot jeton në banesë me bashkëshorten, vajzën dhe dy fëmijët e saj. Ndërsa djali është larguar drejt qytetit të Roskovecit, ku jeton me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij. Familja e Abdullait gjatë gjithë këtyre viteve është përballur me probleme të mëdha shëndetësore, gjë që ka sjellë trishtim e një mundim të pashmangshëm në jetën e tyre. Bashkëshortja e Abdullait vuan nga një paralizë në zonën e fytyrës, që e bën të pamundur të punojë dhe të jetë krah i familjes. Ajo ende nuk përfiton një pension invaliditeti, çka e bën situatën ekonomike edhe më të vështirë. Për Abdullain kjo nënkupton një barrë më të madhe për të siguruar të ardhurat bazë, por edhe për të mbuluar shpenzimet e mjekimeve që kërkon gjendja e saj shëndetësore. Situata bëhet edhe më e rëndë në familje nga nipi i tyre i vogël, i cili është po ashtu i sëmurë dhe ndodhet në shtrat që prej viteve të para të jetës. Përfitimi i një pensioni invaliditeti dhe një pagese shtesë për shkak të mungesës së babait shërben si një ndihmë e vlefshme për kujdesin e tij. Nevojat për familjen mbeten të shumta dhe kërkojnë një mbështetje të vazhdueshme si financiare ashtu edhe emocionale, të cilën sot e gjejnë te kryefamiljari Abdulla Balkazi.
Për disa vite, artisti i detyruar nga vështirësitë ekonomike u shkëput nga familja, e cila jetonte në qytetin bregdetar, dhe u drejtua drejt shtetit fqinj, Kosovës. Me idenë se në qytetet e
Kosovës do të fitonte më shumë se në Durrës, ai qëndroi atje për rreth një vit dhe në vitin 2009 u kthye sërish për të qënë më afër familjes.Tregon se shqiptarët e Kosovës e vlerësonin muzikën e tij. Kalimtarët atje filluan ta njihnin dhe kontribuonin në artin që ai servirte, edhe financiarisht
Abdulla Balkazi qëndroi në hotelet e Prizrenit, Prishtinës apo Gjakovës dhe u mundua që të ardhurat e ditës të ishin dora kryesore që do të ndihmonte familjen e tij në Durrës.
Me kthimin e tij në Shqipëri nisi të dilte çdo pasdite në shëtitore me klarinetë dhe të gjithë paraditen e harxhonte për të shitur në treg bashkë me vajzën. Kjo mënyrë e të shfrytëzuarit të kohës, duke bërë dy punë të ndryshme, një nga pasioni, një nga vështirësia e bënin familjen e tyre disi më të fortë financiarisht përpara problemeve.
Jeta e Abdulla Balkazit nuk ka qenë e lehtë që prej vogëlie e deri më tani, por muzika gjithmonë ka qenë shpresa e tij e vetme. Sot është i fokusuar vetëm te klarineta dhe nuk merret me asnjë punë tjetër. Qëndron që prej orës 10 të mëngjesit e deri në 5 të pasdites në stolat përbri shëtitores Vollga apo Te Kulla Veneciane. Në shëtitore, rreth 350 metra larg tij, qëndron edhe një artist tjetër që i bie po klarinetës, duke sjellë një lloj konkurrence të heshtur në rutinën e përditshme të Abdullait.
Në krahasim me klarinetistin tjetër, i cili luan kryesisht melodi të këngëve popullore shqiptare,
Abdulla Balkazi zgjedh të qëndrojë te muzika e lehtë. Ai mendon se kjo është ajo çka duan turistët dhe janë po turistët që e bëjnë diferencën mes të dy artistëve, duke qëndruar pranë tij e duke e dëgjuar deri në përfundimin e melodive. Nuk e ndjen si konkurrencë mes tyre, pasi fitimi është po i njëjtë për të dhe publiku gjithmonë e duartroket. Tregon se nuk është frytdhënëse për asnjërin prej tyre nëse do të luanin së bashku, ama nëse do të ishte një instrument tjetër, do ta mendonte punën më mirë.
Kur bie fjala te publiku, përmend me entuziazëm turistët spanjollë, të cilët jo vetëm vlerësojnë çdo melodi që ai luan, por shpesh nisin të kërcejnë rreth tij, duke u bërë pjesë e atmosferës që Abdulla Balkazi krijon nëpërmjet këtij arti. Edhe pse vjen nga komuniteti egjiptian, ai nuk është ndjerë kurrë i paragjykuar nga kalimtarët. Përkundrazi, ata e vlerësojnë dhe
kanë raporte të mira me të edhe përtej muzikës.
Puna e tij me klarinetë ka qenë kryesisht në Durrës, qytet të cilin ai e vlerëson krahasimisht me të tjerët si më të mirin në aspektin financiar.
Fiton rreth 40 mijë lekë të vjetra kur bashkohet me 3 instrumentistë të tjerë në rastet e dasmave shqiptare. Njëri prej tyre luan në fizarmonikë, artisti i dytë në daulle e i treti së bashku me Abdullain në klarinetë. Më parë interesi ka qenë më i lartë për orkestrën e tyre të dasmave ditën e diel, por humbja e traditave dhe zakoneve të vjetra të kulturës sonë e ka lënë edhe artin e punën e tyre mënjanë. Ndonëse mblidhen të katërt në raste të veçanta, përditshmëria nuk i takon shpesh. Abdullai është i vetmi prej tyre i cili luan në klarinetë në rrugët e Durrësit.
Ndër dëshirat e tij të parealizuara është agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Familja e tij, edhe pse ndër të paktat me prejardhje nga Shkodra që i përket fesë myslimane, për momentin është e mundur ta praktikojnë vetëm dy fëmijët e Abdullait. Bashkëshortja e tij është e mbuluar në respekt të besimit, por e ka të pamundur ta praktikojë atë si pasojë e problemeve shëndetësore dhe nevojës për të ndjekur një regjim të caktuar ushqimor. Ndërsa Abdullai, duke ndjekur çdo ditë punën e tij me një instrument frymor, është i detyruar të konsumojë ujë, edhe pse vite më parë e ka provuar si sakrificë. Ai beson se Zoti e mirëkupton dhe se kjo përkushtim ndaj familjes është një formë e vërtetë “sadakaje”.
Nuk ankohet. Vështirësitë i sheh si pjesë të jetës dhe mban mbi supe përgjegjësinë për t’i bërë ballë. Ngjarjet që është hasur gjatë këtij rrugëtimi e kanë bërë familjen e tyre të kalojë shumë përpëci dhe Abdullain të ndeshet shpesh me kontradita:
A duhet të jetë burimi kryesor i të ardhurave një instrument muzikor dhe një pasion i pashtershëm?
Në përfundim, ai insiston se puna e tij është e lidhur ngushtë me dëshirën dhe aftësinë që ai ka për ta bërë atë. Klarineta është jo vetëm burimi i të ardhurave në jetën e tij, por një dashuri e pafundme, e cila do ta shoqërojë deri në frymën e fundit.

Dështimi i kushtueshëm i Balluk-Reformës së ujit
ide

Shqipëria "tokë e zanun" e politikës!

Katër pamjet e Thethit

Beteja e Thethit fitohet në zyrat e shtetit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128