Reportazhi i gazetarit turk në vitin 1980: Enver Hoxha e ka mbyllur vendin për ‘spiunët, hipitë dhe huliganët

21 Prill 2024, 09:42 / JETË ALFA PRESS

Reportazhi i gazetarit turk në vitin 1980: Enver Hoxha e ka mbyllur vendin

Të realizojmë të gjitha detyrat, e të shpartallojmë bllokadën”, shkruhet në një parullë në qytetin shqiptar të Shkodrës – por izolimi i Shqipërisë prej botës, është thjesht rezultat i politikës së saj të brendshme. Pa aleate dhe e rrethuar nga shtete që historikisht kanë pasur ambicie për tokën e saj, Shqipëria është organizuar në një mënyrë të tillë, që t’ia dalë vetë, nën diktatin e rreptë të Enver Hoxhës, që qëndron në fuqi prej 36 vjetësh.

Simbolet e kazmës dhe të pushkës, mbizotërojnë në vendet publike. Hoxha, një dogmatik marksist-leninist, më 1961, i preu marredhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilet ai i konsideroi “revizionistë”, dhe forcoi lidhjet me Kinën, dy vjet më vonë. Rruga për t’ia dalë mbanë i vetëm, është një rrugë e vështirë. Makinat në këtë vend janë të ndaluara, ndaj shqiptarëve i bie që të shkojnë kësaj rruge, hypur në biçikletë.

Vizitat e gazetarëve janë fare të rralla. Vitin e kaluar, Mehmet Biber, një fotograf turk që jeton ne Stamboll, mundi të siguronte një vizë vetëm pak muaj pasi gazetari Sami Kohen, një tjetër rezident i Stambollit, kishte mbaruar një vizitë atje.

Nga bisedat me Z.Kohen dhe përshtypjet e veta personale, Z. Biber, na solli këtë reportazh, i cili është i pari reportazh i plotë për Shqipërinë, që botohet në revistat amerikane, që prej shumë vitesh.

Reportazhi i gazetarit turk, Mehmet Biber

Aeroplani i vogël që fluturonte mbi Jugosllavi, u kthye drejt jugut, doli mbi ngjyrën prej kobalti të Adriatikut, e pasi u kthye përsëri 90 gradë, mori drejtimin drejt tokës – Shqipërisë.

Në antikitet, legjionet e Romës që zbrisnin poshtë nga Rruga e Apias, për tek taka e Italisë në Brindisi, kaluan ngushticën e Otrantos, zbarkuan këtu dhe pastaj marshuan drejt Lindjes, në autostradën e madhe të luftës drejt Selanikut e Kostandinopojës.

Gothet dhe Normanët, e pushtuan këtë vend. Bizantinët, Bullgarët, Serbët dhe Venecianet, ndërruan pushtetet me njeri-tjetrin. Pastaj Turqit Otomanë, qeverisën për 500 vjet dhe e kthyen Shqipërinë në të vetmin vend në Europë, me shumicë myslimane. Pastaj erdhën ushtritë e Musolinit dhe Hitlerit.

Sot, asnjë autostradë ndërkombëtare, nuk lidhet me Shqipërinë. 300 kilometrat e hekurudhës së saj, nuk kalojnë asnjë kufi. Asnjë aeroplan i huaj, nuk lejohet të fluturojë mbi hapësirën e saj ajrore. Fluturimet komerciale gjysëm bosh si ky i yni, që bëhen njëherë në dy javë nga Beogradi, duhet të kalojnë vetëm nga deti dhe vetëm në orët e ditës.

I hodha sytë rreth kabinës së aeroplanit, për të parë atë dorë pasagjerësh që udhëtonte me mua – një grua e vjetër, një profesor austriak, studiues i gjuhës shqipe (që ka vetëm lidhje të largëta me gjuhët e tjera europiane) dhe biznesmenë që vinin për të blerë minerale ose, për të shitur makineri.

Nuk e dija se në ç’grup futesha unë, në përshkrimin për vizitorët e huaj të përcaktuar nga diktatori i Shqipërisë, Sekretari i përgjithshëm i Partisë Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha. Ai kishte deklaruar që vendi i tij ishte “i mbyllur për armiqtë, spiunët, hipitë dhe huliganët, por ishte i hapur për miqtë (marksistë, ose jo marksistë), për revolucionarët dhe demokratët përparimtarë dhe për turistët e ndershëm…që nuk fusin hundët në punët tona”.

Mbase përcaktimi më me vend, ishte ai i një agjenti tregtar: “Vetëm të krisurit, diplomatët dhe gazetarët, udhëtojnë për në Shqipëri. Unë isha gazetar turk, dhe kisha pritur për mëse një vit, qe viza ime të aprovohej.

Kaluam bregun e detit dhe po fluturonim mbi fushën bregdetare të Durrësit dhe përtej kodrave të tarracuara, pashë në horizont një linjë të gjatë malesh të dhëmbëzuar mbuluar nga mjegulla, që ngjanin si një elektrokardiogram gjigante. Ndërkohë vrisja mendjen, se çfarë do të gjeja në këtë vend të vogël me 2.7 milion banorë, me madhësinë e Merilendit, dhe që njihej po aq pak sa Tibeti.

Për mijëra vjet, pasardhësit e fiseve të lashtë, të quajtur Ilirë, janë ngulur në këto vise shkëmbore të Ballkanit – që në turqisht do të thotë; “malet”. Mes majave që ngrihen deri në 2.764 metra, ato ndoqën një kod klanor të pandryshuar, që fshiu nga faqja e dheut familje të tëra, nëpër gjakmarrje që zgjasnin për breza të tërë.

Sot Toka e Shqipeve është e gjitha e kooperativizuar. Kalaja e fundit e Stalinizmit, ai është vendi komunist më dogmatik në Europë, i mbërthyer nën grushtin e hekurt të një udhëheqësi i cili e nxori vendin më të prapambetur të kontinentit, prej hirit të Luftës së II-të Botërore, në rrugën drejt modernizimit, nga zejtaria dhe qiriri, tek fabrikat dhe dinamo.

Këtu unë mund të shoh një eksperiment të pazakontë social: një gjeneratë të tërë që po rritet e vulosur brenda një laboratori socialist të linjës së ashpër, sfidues ndaj botës, i vetë-izoluar dhe i pa infektuar nga Lindja apo Perëndimi. Pa mëndje fërkova ‘goatee’ (lloj mjekre me majë si cjap) dhe u shtanga papritur, kur më shkoi ndër mend mendimi, se mund edhe ta humbja!

Shqipëria e ndalon hyrjen e burrave me flokë të gjatë ose me mjekër, grave me fustane të shkurtër, pantallona kauboj apo, shenja të tjera të borgjezisë dekadente. Tregimet për vizitorë që i kishin mbledhur tufë e, i kishin shpënë tek berberi i aeroportit, për t’i rruar e qethur, nuk ishin të rralla.

Por polici që më ndaloi tek dera e avionit, e kishte më shumë mendjen tek pasaporta, se sa tek mjekra ime, dhe unë zbrita nën diellin e mesditës së një dite shtatori, në një nga aeroportet më të vegjël e të përgjumur të Europës, ku hijezonin palmat dhe portokallet e rënduara nga frutat.

Kopi Kyçyku, më përshëndeti në turqisht. Anëtar i zyrës së Pritjes, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ai do t’i sillte çdo mëngjes shoqërues-përkthyesit tim, planin e lëvizjeve të mia ditore

TE PUNOSH PËR SHTETIN

“Plani”. Kjo frazë duket sikur ngjall respekt dhe frikë, sa herë që përdoret. Në fakt, në një vend kaq dogmatik sa Shqipëria, fjala “plan”, është e shenjtë.

Plani është bazuar mbi pronësinë e shtetit. Çdo dyqan, restorant dhe kioskë, i takon shtetit…! Çdo shofer taksie, berber, kamarier, bukë-pjekës dhe artist, punon për shtetin. Fshatarët, punojnë ose në fermat shtetërore, ose në kooperativat, po shtetërore.

Duke ardhur nga një Turqi ku inflacioni është problemi kryesor, unë gjej një tërheqje të pamohueshme në disa aspekte të ekonomisë shqiptare. S’ka taksë mbi të ardhurat. S’ka inflancion. S’është e varur nga burime të jashtme energjie.

Dhe për sa kohë që çdo gjë është e kontrolluar nga shteti, s’ka ngritje çmimesh – por as rritje rrogash. Punëtorët e fabrikave dhe fshatarët, marrin 600-700 lekë në muaj; një profesor universiteti, merr rreth 1000. Rrogat kanë një tavan që shkon deri në 1200 lekë, përveç zyrtarëve të lartë.

Me standardet Perëndimore, rrogat janë të ulëta, por kështu janë edhe shumë nga çmimet. Kilja e mishit është midis 12 e 18 lekë, buka 4 lek dhe një paket cigaresh vendase, 2 lek. Veshja e ngushton pak ekonominë e familjes. Unë pashë kostume burrash të bëra në Shqipëri, që kushtonin sa rroga e një muaji, dhe të cilat unë nuk do t’i blija…!

Këpucët janë 100 lek, bluzat 500. – por cilësia është shumë e dobët. Plani i lejon Shqipërisë të importoje deri në 250 milion dollarë, dhe ato janë kryesisht makineri, pjesë këmbimi dhe lëndë të para që duhet të balancohen nga eksportet.

Shqipëria i mban qeratë e ulëta – zakonisht jo më shume se 5 % e të ardhurave familjare. Por zyrtarët e pranojnë se ka mungesë apartamentesh, veçanërisht për çiftet e sapomartuar. Shërbimi shëndetësor dhe edukimi janë pa pagesë dhe shqiptarët shpenzojnë pak për transport dhe zbavitje. Tirana ofron pak argëtim: pak teatro, filma ideologjikë, opera dhe programe folklorike, por jo klube nate, që qelben era degjenerimi borgjez.

Tirana ka më shumë restorante se qytetet e tjera, por të paktë janë ata që mund ta përballojnë të hanë jashtë shpesh. Në Tiranë, një djalë mund të shkojë me të dashurën e tij në një park, nëse e lejon koha, ose për të parë një film me temën e preferuar të Luftës Nacional-Çlirimtare.

Sami Kohen, u ndodh njëherë në një mbrëmje vallëzimi të organizuar nga një ndërmarrje në Pallatin e Kulturës. Çiftet e reja hidhnin shtruar hapat e vallëzimit me ca ‘fox-trote’ dhe tango të vjetra që luheshin nga një orkestër amatore. Disiplina dhe qetësia, mbizotëronin.

Ne fakt “Revolucioni Kulturor” shqiptar, i jep tonin sjelljes dhe paraqitjes së rinisë. Jo vetëm flokët e gjata e minifundet, por edhe blu-xhinset, pantallonat e ngushta dhe tualeti, janë tabu. S’ka drogë, seks, para martesës, barsoleta të ndyra apo, çimçakiza. Muzika rrok dhe jazz, janë të ndaluara.

Vizitorët e huaj zakonisht i shtyjnë mbrëmjet në barin e Hotel “Dajti”-t, në tavernë. “Përveç koktejeve dhe mbrëmjeve në ambasadë, zor se gjen ndonjë vend ku të shkosh, ndonjë gjë që mund të bësh apo, njeri që të këmbesh një llaf”, më tha një diplomat i ri perëndimor, që vinte nga një post i mëparshëm në Paris.

Unë e shfrytëzova këtë rast, për të mësuar diçka më shumë mbi “rrënjët” e dyshimeve të Shqipërisë, ndaj botës së jashtme.

“Po të kisha qenë shqiptar, edhe unë do të isha bërë dyshues”, vazhdoi diplomati. “Gjatë gjithë historisë, fqinjët kanë dashur të rrëmbenin diçka prej tyre: Serbia, Mali i zi, dhe Greqia, kanë zhvatur copa të mëdha nga territori shqiptar. Mos harro që 1.5 milion shqiptarë, jetojnë sot në Jugosllavi, shifër kjo sa gjysma e popullsisë që jeton në atdheun mëmë.

Prej 70 vjetësh, Greqia kërkon Epirin e Veriut, që është Shqipëria e Jugut. Ndërkohë që diplomatët perëndimorë përdridhnin gishtat, Musolin marshoi përpara dhe e pushtoi të gjithë vendin, më 1939-ën. Më vonë Tito, donte ta bënte republikë të shtatë Jugosllave. Një histori si kjo, lë plagë të thella”.

Shqipëria sot nuk ka marrëdhënie diplomatike me SHBA-në, Anglinë dhe Gjermaninë Perëndimore. A do të funksionoje kjo politikë tani që ato janë shkëputur edhe nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina?

“SHBA-ja është një superfuqi imperialiste, që është po aq kërcënuese për ne, sa edhe social-imperializmi sovjetik, apo revizionizmi kinez”, një zyrtar i vjetër i Ministrisë së Jashtme, i kishte thënë Sami Kohenit. “Amerikanët na bënë oferta pasi ne u prishëm me Kinën, por ne nuk duam të kemi të bëjmë fare me ta”.

“Anglia na ka akoma të bllokuar një sasi ari në vlerë 40 milion dollarë, që na është marrë pas Luftës së II-të Botërore. Gjermania refuzon të na paguajë dëmet e Luftës, që arrijnë në 4.5 miliard dollarë. Ne nuk do të lidhim marrëdhënie diplomatike me asnjë nga këto vende, pa na dhenë më parë paratë”.

E ARDHMJA DUKET E PANDRYSHUAR

Shqipëria e sotme është prerë sipas imazhit të Enver Hoxhës, tashme 70 vjeçar. Çfarë do të ndodhë pas tij? Botuesit të revistës humoristike “Hosteni”, (Niko Nikollës, shënimi ynë), unë i kujtova ndryshimet që ndodhën në Rusi pas vdekjes së Stalinit dhe në Kinë pas vdekjes së Maos. A kishte ndonjë mundësi që Shqipëria të zbutej disi pas vdekjes së Hoxhës?

“Ti na krahason ne, me ato vende revizioniste”, m’u përgjigj ai me një fytyrë të vrenjtur. “Jo, asgjë nuk do të ndodhe pas vdekjes së shokut Enver. Partia dhe populli janë të bashkuar fort me njeri-tjetrin. Mësimet e tij ne na tregojnë rrugën e drejtë. Dhe ne nuk do t’i shmangemi asaj”.

Më shume se sa drejt hapjes ndaj botës së huaj, shqiptarët e vetë-izoluar, e kanë mendjen tek lufta. Përveç dy vjetëve shërbimi ushtarak, të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën, pavarësisht profesionit, duhet të shërbejnë një muaj në vit, në Forcat e Armatosura. Përgatitje të shpeshta ushtarake në fabrika, ferma e zyra, e përgatisin popullatën për rast lufte.

Kudo që unë udhëtova – në bregdet, shtigje malore, fusha, parqe qyteti apo, midis blloqeve të apartamenteve, – ngriheshin bunkerë për mbrojtjen civile. Ato duken si – dhe mbijnë si – kërpudhat, siç është edhe emri i tyre në gjuhën popullore. “Më shumë hekur e beton harxhohet për bunkerët, sesa për apartamentet”, më tha një diplomat i huaj.

Unë e di që Enver Hoxha ishte i shqetësuar për të ardhmen e Shqipërisë, pas vdekjes së Titos – dhe i tmerrohej një pushtimi Sovjetik. Por a ishte Shqipëria vërtet e kërcënuar?

“Ne duhet të përgatitemi për më të keqen”, më tha një gazetar shqiptar. Por a mundet vallë Shqipëria, ti qëndrojë dot sulmit të një fuqie të madhe”?!

Armatimi shqiptar, kryesisht kinez, është i vjetruar, dhe një vëzhgues diplomatik më tha se ka të ngjarë që shqiptarët të jenë duke kërkuar për armë, në Europë.

“Edhe sikur armiku të jetë më i shumtë në numër, ne mund t’i ndalojmë ato. Malet dhe lumenjtë tonë, e bëjnë Shqipërinë një fortesë natyrore. Çdo sulm do t’u kushtojë armiqve, shumë shtrenjtë”.

Më erdhën ndërmend shtëpitë prej guri të Gjirokastrës dhe të qyteteve të tjera malore; mure pa dritare poshtë dhe me frëngji sipër – çdo shtëpi si kala, një trashëgimi e shekujve mbushur me gjakmarrje. M’u kujtua kështjella e shekullit të 15-të në Krujë, nga e cila Skënderbeu udhëhoqi për 25 vjet një luftë guerile, kundra Perandorisë Osmane.

Gjergj Kastrioti, i dërguar ende fëmijë si peng në Oborrin e Sulltanit, ai arriti shkallë të larta në komandën e ushtrisë otomane. Me një emër të ri për nder të Aleksandrit të Madh (Iskander Bej, në turqisht) të cilin turqit e admironin, Skënderbeu bashkoi dhe udhëhoqi 300 kalorës shqiptarë, për të marrë mbrapsht trashëgiminë që i takonte.

Ai jetoi si një simbol i rezistencës. Dhe nën flamurin e Skënderbeut – shqiponjë e zezë me dy koka, mbi një fushë të kuqe si gjaku – partizanet shqiptarë, farkëtuan Shqipërinë e sotme të pavarur. Memorie.al–Mehmet Biber/ Pjesa e parë  -“Shqipëria, e vetme përballë Botës” – National Geographic – 1980

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128