BE u bën thirrje Kosovës e Serbisë të bien dakord për zbatimin e marrëveshjeve
Bashkimi Evropian tha se pret që Kosova dhe Serbia të bien dakord për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër.
Këto komente u bënë një ditë para takimit të radhës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga i dërguari evropian Miroslav Lajçak në Bruksel.
“Në rendin e ditës është nevoja për të filluar urgjentisht me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që të dyja palët më në fund të jenë në gjendje të bien dakord për një përparim në dialog”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano.
Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.
Autoritetet në Kosovë paralajmëruan sot se do t’i mbyllin të gjitha institucionet paralele të Serbisë që veprojnë në vend.
“Nuk ka në Kosovë hapësirë për asnjë institucion paralel të shtetit. Ato do të mbyllen që të gjitha edhe tash mund të kemi diskutime pse është mbyllur kjo dhe jo ajo, mirëpo krejt çfarë mund të them është se të gjitha do të mbyllen. Sigurisht se nuk do të shkojmë kështu me një publicitet se ku janë dhe kur do të mbyllen por që të gjitha do të mbyllen dhe atë shumë shpejt”, tha ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
Analisti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Besar Gërgi thotë për Zërin e Amerikës se në takimin e të enjtes në mes të kryenegociatorëve nuk pritet të ndodh ndonjë gjë.
“Tashmë pas marrëveshjes së Ohrit takimet e këtij formati janë organizuar shumë ndërsa rezultat nuk ka pasur. Pra, me metodë të njëjtë tashmë shihet se nuk do të ketë rezultate të ndryshme atëherë çfarë mund të presim është që të presim që aktorë të rinj të marrin detyrën qoftë në Bruksel qoftë në Shtetet e Bashkuara apo t’i presim rezultatet e zgjedhjeve të Kosovës që do të mbahen në shkurt dhe pastaj me rikonfigurimin e forcave politike mbase mund të ketë një momentum të ri në dialogun mes vendit tonë dhe Serbisë”, tha zoti Gërgi.
Ai thotë se nuk përjashton mundësinë për një marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë nëse ndryshon administrata amerikane.
“Marrëveshja që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë është në një mënyrë pak sa interesante sepse ekziston në letër por në praktikë nuk ekziston sepse nuk zbatohet nga palët. Serbia e ka bërë të qartë qoftë me shkrim qoftë verbalisht se nuk do ta respektojë pjesën e saj për njohjen de fakto të Kosovës, duke e parë këtë edhe Kosova ka bërë të qartë se nuk do të respektojë pjesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe prandaj nuk do të ishte çudi në qoftë se do të vinte një administratë e re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sidomos nëse zgjidhet president Donald Trump të shtyjë përpara ndonjë marrëveshje të re mes vendeve por se që do të kishte obligime të ndryshme për të dyja palët“, tha zoti Gërgi.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime 13 vjeçare për normalizimin e marrëdhënieve që kanë shënuar përparim të paktë, ndërsa një marrëveshje për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar as që ka filluar të zbatohet./VOA
Mesia Trump, ose ëndrra në diell e të korruptuarve
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128