Ndalimi i 16 serbëve, Osmani bisedon me Prattipatin për sigurinë në Kosovë

7 Prill 2025, 13:20 / KOSOVA ALFA PRESS

Ndalimi i 16 serbëve, Osmani bisedon me Prattipatin për sigurinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

Takimi ka ndodhur një ditë pas njoftimit nga autoritetet kosovare për ndalimin e 16 serbëve në jug dhe jugperëndim të Kosovës, nga të cilët shumica u liruan më pas.

Në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar tendencat e vazhdueshme të Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe. Ajo ka theksuar se veprimet e fundit të serbëve të arrestuar në Gjakovë dhe Prizren kanë lidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës, sipas hetimeve të para.

Osmani ka theksuar se këto veprime janë pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për të destabilizuar Kosovën përmes kërcënimeve dhe dhunës, dhe se kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Kosovës.

Për katër nga të arrestuarit në Gjakovë, Prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim, duke i akuzuar për shkelje të ligjit të armëve. Ndërkohë, 10 nga 12 të arrestuarit në Prizren janë liruar tashmë, ndërsa dy të tjerët, me inicialet L.S. dhe S.R., po mbahen në paraburgim.

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128