Nuk i miratoi listën e kandidatëve, Lista Serbe apelon vendimin e KQZ-së

2 Shkurt 2026, 13:19 / KOSOVA ALFA PRESS

Nuk i miratoi listën e kandidatëve, Lista Serbe apelon vendimin e

Dy ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe mosmiratimit të kandidatëve të saj, Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të këtij institucioni.

Përfaqësuesi i forcës kryesore politike te serbëve të Kosovës, Igor Simic, tha se vendimi i KQZ-së ishte “i paligjshëm, anti-serb dhe diskriminues”. Ai ka dalë me pretendimin se Komisioni ka mohuar “42.759 vota të serbëve”, duke u munduar të pengojë komunitetin serb të zgjedhë përfaqësuesit e tij. Anëtarët e KQZ-së i miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive përveç Listës Serbe, ku tre anëtarë votuan për, dy kundër (nga Lëvizja Vetëvendosje) dhe të tjerët abstenuan.

“Presim që PZAP-ja ta shfuqizojë vendimin e turpshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të marrë një vendim në përputhje me ligjin, me ç’rast do të mbrojë të drejtat e popullit serb, ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, deklaroi Simic.

Situatën është duke e ndjekur dhe misioni i OSBE-së në Kosovë i cili nënvizoi nevojën për një “përputhje të plotë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, veçanërisht publikimin transparent dhe të plotë të rezultateve zgjedhore”. KQZ-ja e përfundoi të premten procesin e rinumërimit të votave, i cili u krye pas dyshimeve për manipulime gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

Pas rinumërimit, pati ndryshime votash deri në 6 mijë për një kandidat, por në vija të përgjithshme, nuk u prekën rezultatet për partitë.



Po ndodh...

ide