Kosova ndalon tregtinë e energjisë elektrike me kompanitë serbe

16 November 2026, 10:41 / KOSOVA ALFA PRESS

Kosova ndalon tregtinë e energjisë elektrike me kompanitë serbe

Qeveria e Kosovës ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, për shkak të vendimit të Serbisë për të mbajtur të bllokuara linjat ndërkufitare për tregtim.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova po vendos kundërmasa ndaj Serbisë në fushën e energjisë, sepse “gjendja do të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim” nga shteti fqinj.

Kundërmasat e ndërmarra nga Kosova përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet me origjinë nga Serbia, pra, blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt apo përmes transitit, ose rishitjes.

Kurti tha se vendimi vjen pasi Serbia nuk e zbatoi kërkesën e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për t’i zhbllokuar linjat e interkoneksionit ndërkufitar më 1 korrik.

“Janë bërë katër muaj e gjysmë që nuk është zbatuar ky vendim i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ne e kemi bërë edhe një përpjekje tjetër që përmes Bashkimit Evropian të kemi një zgjidhje të kësaj çështje”, tha Kurti.

Kryeministri tha se nga ky ndalim nuk vlen për furnizuesin e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energji mes dy vendeve, Elektrosever.

Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike nga Serbia, Elektroprivreda Srbije (EPS), e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.

Kjo kompani furnizon me energji elektrike konsumatorët në katër komunat me shumicë në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Po ndodh...