Macja, një enigmë shumëshekullore

17 Shkurt 2023, 14:15 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Macja, një enigmë shumëshekullore

E adhuruar apo e persekutuar si e keqe: le të zbulojmë marrëdhënien e ndërlikuar mes njeriut dhe maces nga "zëri" i maces më të dashur. Një intervistë e pamundur me kafshën shtëpiake më misterioze.

Fjalë maceje

Nuk e kisha mbushur ende moshën e pubertetit kur vdiqa dhe më varrosën, me nderime të plota. Po pushoja pak nga miku im i pandarë, një zotëri i dalluar dhe fisnik me të cilin kalova shumë ditë të bukura në ishullin e Qipros, rreth 9000 vjet më parë. Më gjetën shumë më vonë, vetëm njëzet vjet më parë, nga pasardhësit e atij njeriu dhe që atëherë jam konsideruar si macja e parë e zbutur në histori (duke rrëmbyer primatin nga koleget e mia egjiptianë).

Një titull për të cilin, nuk e mohoj, jam shumë krenare. Njerëzit na admirojnë dhe na duan sot. Por jo gjithmonë ka qenë kështu. Kemi kaluar momente të bukura me ta dhe disa shumë të vështira, për shkak të karakterit tonë jo tamam të lakueshëm. Pra, kush dhe pse na zbuti? Unë do t’ju them një sekret: ne bëmë gjithçka vetë, zbutëm veten.

Paraardhësit

E jona, po thosha, nuk ka qenë gjithmonë një jetë e lehtë. Të vlerësuara në disa periudha, në të tjera të persekutuara si të liga, bartëse sëmundjesh dhe krijesa të djallit (çfarëdo që do të thotë kjo, duke pasur parasysh këmbënguljen, duhet të jetë diçka shumë e keqe). Por le të fillojmë nga e para. Sipas studimeve njerëzore, ne kemi një paraardhës, proailurusin, i cili mendohet të ketë jetuar jo më pak se 25 milionë vjet më parë. Pak dihet për të. Ne dimë më shumë për të afërmin tim të drejtpërdrejtë, Felis silvestris ose macen e egër afrikane, duke qenë se macet e divanit të sotëm… Ehm, e kisha fjalën për macet shtëpiake (Felis catus) e kanë prejardhjen pikërisht nga ajo kafshë e egër, e cila ende ekziston dhe jeton vetëm, në stepat dhe savanat e gjysmës së botës.

Gjahtare

Pikërisht në Lindjen e Mesme, në të ashtuquajturën Gjysmëhëna Pjellore, macet e para të egra iu afruan njerëzve kur ata u bënë fermerë. Depot e tyre me drithëra, në fakt, ishin plot me brejtësa. Ishte një çështje me interes të ndërsjellë: hambarë pa minj për ta dhe ushqim me pak mundime për ne. Për sa kohë që ne mund ta bëjmë veten të dobishme jemi dakord, por të shkojmë në gjueti, të bëjmë luftëra ose aktivitete të tjera të lodhshme për njerëzit, siç bëjnë kafshët e tjera, këtë mos na e kërkoni.

Të shenjta

Megjithatë edhe ne kemi pasur heronjtë tanë.

Në deltën e Nilit, në Bubastis, një qytet egjiptian i shenjtë për macet, janë gjetur eshtrat e 30,000 mumieve mace. Mirë… ndoshta jo të gjitha ishin të guximshme (dhe ndoshta nuk ishin të gjitha mace), por një gjë është e sigurt: egjiptianët mundën të na falënderojnë për punën tonë “pastruese”. Përveç një qyteti, na kushtuan edhe një tempull, madje një perëndeshë që na ngjante: Bastet, mbrojtëse e shtëpisë dhe e familjes. Ah, dhe mjerë ata që na lëndojnë: ata që u përpoqën u arrestuan dhe madje rrezikuan dënimin me vdekje.

Shekuj migrimi

Më vonë filluam ta shtrinim dominimin tonë në kontinente të tjera. Gjë e cila, për shkak të manisë sonë të njohur për kontroll territorial, ishte shumë stresuese, por fitimprurëse. Me fenikasit arritëm në Greqi, ku ata njihnin vetëm nuselalat si gjuetare të minjve. Kështu filloi zgjerimi ynë në Evropë. Romakët na vlerësuan shumë, sepse ata kishin një mace që ishte simbol i pasurisë dhe fisnikërisë. Thuhet se edhe Muhamedi na donte, sepse njëra prej nesh një ditë e shpëtoi nga kafshimi vdekjeprurës i një gjarpri. Kjo është arsyeja pse muslimanët na kanë lënë gjithmonë të bredhim lirshëm, madje edhe nëpër xhami.

Demoniake

Në Evropën e Mesjetës Katolike, nga ana tjetër, pavarësia jonë dhe aftësia e pakët për t’u manipuluar u ngatërruan me keqdashje. Kafshët – besonin njerëzit atëherë – duhej të ishin krijesa të urta dhe të dobishme për njeriun, dhe ne nuk ishim (kështu mendonin ata, gabimisht!). Gjëra që nuk do t’i besoni: dy papë, në 1233 Gregori IX dhe në 1484 Inocenti VIII, u munduan të na dënonin si qenie djallëzore. Natën e San Giovanni-t, në sheshe, prej vitesh ka pasur masakra të vërteta të maceve që digjeshin, së bashku me gra të konsideruara shtriga.

Kokë turku

Dhe nëse rastësisht kontinenti do të tronditej nga ndonjë emergjencë shëndetësore, ata do ta kapnin me ne. Një shembull? Në shekullin e katërmbëdhjetë pati një epidemi të tmerrshme të murtajës bubonike, e quajtur Vdekja e Zezë, dhe mijëra mace u vranë, të akuzuara si bartëse sëmundjesh. Sidoqoftë, kurrë një bindje nuk ishte më pa lidhje dhe e dëmshme: ulja e popullsisë së maceve çoi në përhapjen e minjve, dhe ata po, ishin pjesërisht shkaktarë të përhapjes së sëmundjes.

Sallone

Më vonë, edhe në Perëndim, dikush filloi të na vlerësonte përsëri. Të parët ishin personazhe të rëndësishëm si mbretër dhe kardinalë (një farë Richelieu, në vitin 1642, i la trashëgim një pjesë të madhe të zotërimeve të tij disave prej nesh).

Prania jonë në oborre dhe në shtëpitë e të pasurve u rrit. Megjithatë, pika e kthesës erdhi në vitet 1800 kur borgjezia filloi të na adoptonte si kafshë shtëpiake.

Macet e “civilizuara”, ato të shtëpisë, ishin qenie për t’u kujdesur dhe për t’u ruajtur, ndryshe nga endacaket e rrugëve, që për disa ishin kafshë të “paqytetëruara”, për të tjerë simbol i jetës së lirë. Më në fund, megjithatë, erdhi pak qetësi për të gjithë. Dhe kështu ne ishim në gjendje të përmbushnim plotësisht misionin tonë: të gëzojmë njerëzit me shoqërinë tonë, nëse ajo që kam dëgjuar dikur, që “koha e kaluar me macet nuk është kurrë e humbur kohë”, është e vërtetë./ Focus – Bota.al

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128